E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa e Tirana, Evropa kthehet në katastrofë

TIRANE-Një katastrofë! Vetëm kështu mund të përkufizohet paraqitja e djeshme e dy skuadrave shqiptare, Besa e Tirana, në Kupat e Evropës. Ekipi kavajas dhe ai kryeqytetas, janë mundur respektivisht 5-0 dhe 4-0, duke i dhënë praktikisht fund aventurës së tyre në kompeticionet ndërkombëtare. Për hir të së vërtetës, askush nuk mendonte se skuadrat tona do të kalonin grupin, duke parë nivelin e kundërshtarëve, por të paktën pritej një paraqitje më dinjitoze. Olimpiakosi është një pjesëmarrës i përhershëm në Champions League, madje duke u përballur denjësisht me emrat më të mëdhenj të Evropës, ndërkohë që Utrehti, është një skuadër e njohur e futbollit holandez. Mbrëmë, grekët dhe holandezët kanë bërë "shkrumb e hi" ëndrrat e tifozerisë shqiptare për të parë skuadrat e tyre të avancojnë më tej, një konfirmim i asaj se fitoret që ne arrijmë në Evropë janë përgjithësisht fryt i rastësisë dhe asnjëherë rrjedhojë e investimeve të suksesshme në futboll.
Besa-Olimpiakos
Grekëve u kanë mjaftuar vetëm 18 minuta për të rrëzuar në tapet skuadrën e paraqitur në fushë nga Shpëtim Duro. Olimpiakosi është një emër shumë i madh i futbollit në Evropë dhe një barazim ndaj tyre do të ishte kryevepër, por në fund të 90 minutave të zhvilluara në "Qemal Stafa", Besa e Kavajës është mposhtur 5-0. Spanjolli Oskar Gonzales gjeti rrugën e golit pas vetëm 18 minutash, duke i dhënë start goleadës helene. I njëjti futbollist dyfishoi shifrat në minutën e 31-të, një gol që praktikisht ka shuar çdo shpresë për skuadrën kavajase që të arrijë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje. Gjithsesi, Besa u mundua të krijonte diçka deri në fundin e pjesës së parë, por pa arritur të gjejë rrugën e rrjetës. Pjesa e dytë nisi menjëherë me gol për Olimpiakosin, këtë herë me brazilianin Dudu. Në minutën e 70-të, një tjetër brazilian, Diogo, arriti të shënonte golin e katërt, ndërkohë që 7 minuta para përfundimit, ai realizoi edhe të pestin. Në fund, ka patur edhe momente nervozizmi. Tifozeria kavajase ka braktisur stadiumin pas golit të pestë, ndërkohë që Orges Shehi u ka hedhur topin tifozëve në shenjë proteste dhe nervozizmi.
Tirana
Ndërsa Besa është mundur 5-0, nuk ka shkuar më mirë mbrëmja për Tiranën në Holandë, ndaj Utrehtit. Bardheblutë janë mundur 4-0 dhe praktikisht i kanë dhënë fund aventurës në Europa League. Skuadra holandeze ka kaluar në avantazh pas vetëm 8 minutash, kur një top i goditur nga Iljon Lika, ka rënë në trupin e futbollistit vendas Volfsvinkel dhe ka përfunduar në rrjetë. Minutat 27' dhe 30' kanë sjellë dy gola të tjerë. Në fillim ishte Pashaj që realizoi një autogol, ndërsa më pas Asare trefishoi shifrat. Pjesa e dytë ka qenë disi më e mirë për Tiranën, por çerek ore para përfundimit ajo pësoi edhe golin e katërt me anë të Mertens. Mbrëmja negative përfundoi me një karton të kuq të Iljon Likës, që ndaloi një top me dorë jashtë zonës, duke lënë ekipin shqiptar me 10 vetë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›