Argjentina, me avion të veçantë

Argjentina prezanton avionin e dedikuar për kombëtaren, me të cilin futbollistët do të fluturojnë në Doha për të marrë pjesë në Botërorin Katar 2022. Avioni Airbus A330-200 i një kompanie argjentinase, i krijuar me foto të anëtarëve të ekipit kombëtar të futbollit argjentinas, është paraqitur në Ezeiza në Buenos Aires. Për t’iu krijuar një udhëtim sa më komod futbollistëve të vet, Federata Argjentinase e Futbollit ka vendosur të shpenzojë dhe të blejë një avion të posaçëm për futbollistët dhe stafin që do të udhëtojë për në Doha.
Avioni do të përdoret për të fluturuar në Doha gjatë Botërorit të Futbollit, Katar 2022. Në avion janë vendosur foto të pjesëtarëve të kombëtares. Ku bien në sy pamjet e futbollistit kryesor të Argjentinës, Lionel Messit. Fotot janë vendosur si në pjesën e jashtme ashtu edhe në atë të brendshme të avionit. Janë prezantuar edhe fanellat e Kombëtares së Futbollit të Argjentinës, të cilat mund të admirohen nga shikuesit. Në një vend të dukshëm është vendosur edhe Topi zyrtar i Botërorit të Katarit si dhe një kopje e Kupës së Botës.