Argjentina mposht Shqipërinë

Ashtu edhe siç është pritur, përfaqësuesja e Argjentinës e ka mposhtur Kombëtaren shqiptare në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Buenos Aires me rezultat 4:0.
Të përzgjedhurit e Josip Kuzes, të cilët kanë qenë kryesisht lojtarë me minutazh të vogël në ekipin kquezi, janë mbajtur mirë përballë yjeve argjentinase që udhëhiqeshin nga futbollsiti më i mirë në botë, Lionel Messi.
Në minutën e 6’të sulmuesi i Napolit, Lavezzi e mposhti Arian Beqajn, pasi mori një top të mirë nga Messi. Ky i fundit shtoi epërsinë në 2:0, vetëm dy minuta pa përfunduar pjesa e parë.
Ylli i Barcelonës edhe në pjesën e dytë ishte në qendër të vëmendjes. Në minutën e 75’të ai asistoi për mrekulli deri te Aguero, i cili nuk e pati të vështirë ta dërgojë topin në rrjetën e Isli Hidit, i cili zëvëndësoi portierin prizrenas në fillim të pjesës së dytë.
Kurse, vulë këtij takimi i dha Carlos Tevez në minutën e fundit, duke e shënuar golin e katërt të argjentinasve.
Kuqezinjtë janë munduar që nëpërmjet kundërsulmeve ta rrezikojnë portën e gauçosëve, por pa sukses, pasi sulmet e tyre përfundonin pranë zonës së rrezikshme.
Në fanellën kuqezi ka debutuar mbrojtësi kosovar, Agonit Sallaj. Anëtari i klubit zviceran Biel është inkuadruar në fushë në minutën e 67’të pasi ka zëvendësuar sulmuesin Elis Bakaj.