Argjentina, një gol dhe shumë vuajtje
Argjentina e nis Botërorin 2010 me këmbë të mbarë, duke mposhtur me rezultatin 1-0 Nigerinë. Edhe pse nuk ka shkëlqyer, skuadra e drejtuar nga Diego Armando Maradona arriti Korenë e Jugut në krye të Grupit B me tri pikë, ndërsa tashmë pret përballjen me aziatikët, e cila do të luhet më 17 qershor. Drejtuesi i stolit të “selesion” ka marrë sinjale pozitive nga gjendja fizike e Lionel Mesit, ndërsa shqetësimet lidhen me organizimin e dobët në fazën difensive dhe me paraqitjen zhgënjyese të Gonzalo Higuain. Në disa raste, sulmuesi i Realit të Madridit është dukur i përhumbur në zonën kundërshtare dhe nuk u shfaq si “bomberi” që ka mahnitur me fanellën “merengue”. Në anën tjetër, Nigeria ka paraqitur mjaft probleme dhe ka nevojë për shumë punë, nëse kërkon të kualifikohet për fazën tjetër të aktivitetit. Me lojën e tyre, “shqiponjat” treguan se vuajnë mungesën e mesfushorit të çelsit, Xhon Obi Mikel.
Maradona, që pas këshillave të familjarëve ka hequr dorë nga tutat dhe është paraqitur me kostum në stol, hodhi në fushë formacionin 4-2-3-1, me Jonas në rolin e mbrojtësit të djathtë dhe Mesin që mund të lëvizte i lirë në gjysmëfushën kundërshtare. Lagerbak u kundërpërgjigj duke lënë jashtë Martins, për të aktivizuar Jakubunë si qendërsulmues në modulin 4-3-3. Sinjalin e parë të rrezikshëm e japin nigerianët, me Obasin që drithëron Romeron vetëm pas 180 sekondave lojë. Argjentina zgjohet dhe reagon me Higuain pak çaste me vonë: por, sulmuesi i Realit gabon vetëm 4 metra larg portës, duke shpërdoruar një asist të jashtëzakonshëm të Mesit. “Pleshti” shfaqet i papërmbajtshëm në minutat e para dhe në të 6-ën Enieama bën mrekullinë në tentativën e numrit 10: topi devijohet në goditje këndi, ndërsa ekzekutimin e merr përsipër Veron, që gjen Haincen të lirë në zonë. Mbrojtësi i Marsejës devijon bukur me kokë, një gjuajtje që dukej 11-metërsh në lëvizje, dhe zhbllokon rezultatin. Nigeria mundohet të reagojë vetëm me kundërsulme, ndërsa Argjentina ngre ritmin e lojës sa herë që ka mundësi. Në të 18-tën është sërish portieri Enieama që frenon goditjen e Mesit, ndërsa pak minuta më pas Higuain shpërdoron një tjetër mundësi përballë “gardianit” afrikan. “Shqiponjat” i afrohen barazimit kur kronometri tregonte 30 minuta lojë, por gjuajtja e dobët e Obasit, e cila shndërrohet në një kros nuk u shfrytëzua nga askush. Tentativa e fundit në pjesën e parë ka ardhur sërish nga këmbët e Mesit, me një të majtë milimetrike, por portieri nigerian shndërrohet në një “mace të zezë” për yllin e Barcelonës.
Fraksioni i dytë i lojës ka ritëm më të ngadaltë, ndërsa Lagerbak largon nga fusha Obinan dhe përdor kartën Martins. Ndërkohë, Argjentina vazhdon të mbështetet vetëm te klasi i lartë i Lionel Mesit, fillimisht me një devijim të rrezikshëm me majë, ndërsa më pas fare pranë golit pas asistit të Tevez: e majta e tij përfundon vetëm pak centimetra jashtë portës. Pritjet e Enieamas, portierit të Hapoel Tel Aviv, që neutralizon edhe një gjuajtje të Higuain, rrisin besimin te Nigeria. Në 20 minutat e fundit të ndeshjes, Argjentina ka rrezikuar seriozisht: Taiuo ka qenë fare pranë golit me një të majtë drithëruese, ndërsa më pas është Kalu Uçe ai që shpërdoron. Takimi mbyllet me një tjetër pritje të “gardianit” nigerian ndaj Mesit, ndërsa Argjentina merr tri pikët. Skuadra e Maradonës është shfaqur mjaft “e brishtë” në aspektin e organizimit taktik, por trajneri nuk duket i shqetësuar. “Rastet e shpërdoruara? Për momentin nuk më shqetësojnë. E rëndësishme ishte vetëm fitorja. Golat do t’i ruajmë për ndeshjet në vazhdim”, tha “Pibe de Oro”.
#