E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia në tapet, Koreja e Jugut firmos fitoren e parë në botëror

Triumfi Aziatikët debutojnë me lojë bindëse dhe dominojnë gjatë 90 minutave

Koreja e Jugut në Grupin B merr tri pikët e para në Afrikën e Jugut 2010. Aziatikët kanë mposhtur me rezultatin 2-0 Greqinë e Oto Rehagel, duke u dhënë ish-kampionëve të Europës një leksion rreth taktikës, lojës dhe sakrificës. Helenët janë një skuadër, e cila duhet rindërtuar në të gjitha repartet, ndërsa ata vazhdojnë “agjërimin” në Kupën e Botës: ende nuk kanë shënuar asnjë gol në këtë aktivitet. Me skemën 4-3-3, që më tepër duket si një 4-5-1, Greqia e nis lojën në mbrojtje, duke kërkuar të godasë me kundërsulme. Por, mbrojtësi koreanojugor Li Joung-So prish planet e Rehagel vetëm pas 7 minutave lojë: ai përfiton nga përgjumja e mbrojtjes kundërshtare pas një goditje dënimi pranë fundores dhe realizon golin e parë. Disavantazhi detyron grekët të lejojnë hapësira, duke ua lehtësuar punën aziatikëve, të cilët kanë disa raste të mira për shënim. Fillimisht gjyqtari Hester nga Zelanda e Re nuk akordon një penallti pas faullit të Torosidis ndaj Li çung-Jong; ndërsa në të 28-n ishte Park çu-Joung që i vetëm me portën hipnotizohet nga Tsorvas. Greqia kërkon të reagojë me fillimin e pjesës së dytë, por janë koreanojugorët ata që godasin përsëri në minutën e shtatë falë lojtarit më të mirë, Park Ji Sung: Vintra bën një gabim foshnjarak, mesfushori i Mançester Junajtid niset drejt portës, driblon dy kundërshtarë dhe dyfishon shifrat. Ndryshimet taktike të trajnerit Rehagel nuk sjellin asnjë efekt, përkundrazi është Koreja e Jugut që i afrohet rrjetës së tretë, por “gardiani” Tsorvas eviton që ndeshja të mbyllet me një rezultat më të thellë. Lojtari më i mirë i ndeshjes u shpall Park Ji Sung, i cili bëhet edhe golashënuesi më i mirë aziatik në botëror, me tre gola (nga një rrjetë në edicionet 2002, 2006 dhe 2010).

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›