Argjentinë, aksidenti si shkak i neglizhencës

Makinisti qe drejtonte trenin që u përplas pak ditë më parë në Argjentinë, dhe kur për pasojë humbën jetën 51 persona, tha se shkak i tragjedisë ishte një defekt në frena, ndërsa fajësoi edhe neglizhencën e atyre që duhet të kujdeseshin për sigurinë e mjetit të transportit. Nga ngjarja, mbi 700 persona mbetën të plagosur, pasi treni tejkaloi një stacion në Buenos Aires dhe u përplas në përfundimin e shinave. Sipas mediave argjentinase, makinisti, i cili i mbijetoi aksidentit në mënyrë të pabesueshme, kishte raportuar disa herë për probleme me frenat, por i ishte thënë që të vazhdonte rrugën. Megjithatë, zyrtarisht nuk është dhënë asnjë version për ngjarjen. 28-vjeçari Marcos Cordoba, makinisti i trenit, po kurohet në spital, ku njëkohësisht është vendosur nën arrest për akuzën që në kodin penal argjentinas klasifikohet “shkaktim i pavullnetshëm dëmesh”. Sipas “Noticias Argentinas”, lokomotiva kishte shfaqur që në fillim probleme me sistemin e saj të frenimit, por pavarësisht se shoferi bëri detyrën dhe raportoi për situatën në çdo stacion që ndalonte, atij i përsëritej gjatë të gjithë kohës që të vazhdonte rrugën. Testimet e gjakut treguan se Cordoba nuk kishte konsumuar alkool apo substanca narkotike në momentin kur ndodhi aksidenti. Aksidenti I së mërkurës është më i rëndi në hekurudhat argjentinase që prej vitit 1970, kur dy trena u përplasën me shpejtësi të lartë në periferi të Buenos Airesit, duke shkaktuar 200 të vdekur.