E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wisner për Kosovën: Marrëveshja nuk dëmton sovranitetin

“Marrëveshja për përfaqësimin rajonal nuk e dëmton sovranitetin e Kosovës. Rezoluta 1244 do të hyjë në histori si një lëmsh i pakuptimtë ligjor. Shtetet nuk do ta bazojnë njohjen e pavarësisë në këtë marrëveshje, por në interesat e tyre”, kështu ka deklaruar ish negociatori i SHBA-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Frank Wisner.
 

“Marrëveshja bën të mundur që Kosova të jetë e pranishme dhe të marrë pjesë në diskutimet që kanë të bëjnë me të ardhmen e Ballkanit dhe Europës si dhe do të ndihmojë në përcaktimin e rolit të Kosovës në këto rajone”, thotë Wisner.
Sipas tij, pas 24 shkurtit Kosova ka ecur drejt një niveli shumë më të lartë të bashkëpunimit me BE-në, në mënyrë që të avancohet prospekti i Kosovës që një ditë të jetë pjesë e BE-së.
 

“Kur BE-ja është ulur me Kosovën për të bërë marrëveshjen, Kosova është treguar si qytetare e mirë në familjen e BE-së. Pra, kjo i përmirëson gjasat e Kosovës në procesin që një ditë do të çojë drejt anëtarësimit të Kosovës në familjen evropiane. Ky është lajmi i madh”- ka shtuar Wisner.
 

“Shtetësia e Kosovës është legjitimuar dhe nuk ka nevojë askush që ta vërë këtë në pikëpyetje”, mendon Wisner.
 

“Kosova e ka deklaruar pavarësinë, Gjykata Ndërkombëtare ka thënë se kjo deklaratë është në pajtim të plotë me ligjin ndërkombëtar. Kosova ka hapur ambasada, ajo ka siguruar mbi 80 njohje. Çështja e pavarësisë është siguruar. Kjo nuk është më çështje. Çështje është se ku shkoni me këtë pavarësi, si t`i arrini ambiciet tuaja nacionale, si të forconi ekonominë, si t`i jepni shpresë popullatës tuaj të re. Kjo është për ku jeni drejtuar, drejt një asociimi më të ngushtë me Evropën”, thotë Wisner, duke shtuar se Serbia do t`i implementojë marrëveshjet, në të kundërtën do t`i bllokojë vetes rrugën evropiane.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›