Argjentinë, përplasje mes kishës dhe qeverisë për martesat gej
Argjentina katolike bëhet vendi i parë i Amerikës Latine që legalizon martesat mes personave të të njëjtit seks. Ligji hyri në fuqi menjëherë pas votimit në Senat dhe u transmetua direkt në televizion. Votimi përfundoi pas një odiseje të gjatë debatesh që zgjatën plot 14 orë pa ndërprerje. Ky ligj ka mbështetjen e plotë të qeverisë së qendrës së majtë të udhëhequr nga Presidentja Fernandez de Kirchner. Votat në favor të tij ishin 33, kundër 27. E gjithë kjo betejë u transmetua direkt nga televizionet vendase. Sipas ligjit të aprovuar, lejohen edhe adoptimet nga ana e çifteve homoseksualë. Në Argjentinë janë celebruar edhe më parë martesa mes homoseksualësh, shumë prej të cilave janë anuluar nga Gjykata Supreme, fakt ky që kishte krijuar një kundërshti ligjore. Lidhjet civile mes personave të të njëjtit seks ishin të legalizuara në Buenos Aires dhe në disa provinca të vendit, por nuk kishte asnjë ligj që t’i lejonte ato në nivel kombëtar. Por ligji që më parë ishte miratuar nga dhoma e deputetëve, shkaktoi një përplasje të ashpër mes qeverisë dhe kishës katolike. “Bëhet fjalë për një hap shumë të rëndësishëm në rrugën e barazisë për minorancat, për lirinë e personave për të zgjedhur prirjet e tyre seksuale dhe kjo është e lidhur ngushtë edhe me lirinë e shprehjes”, deklaroi Miguel Angel Picheto, drejtues i “Frente para la Victoria”, aleanca e partive që mbështet Presidenten Kristina Fernandez. Jashtë portave të Parlamentit, shoqatat e homoseksualëve festuan duke kënduar, ndërsa organizatat katolike protestuan ashpër. Kjo çështje kishte kohë që diskutohej në Argjentinë. Që në dhjetor të vitit 2002, qyteti i Buenos Airesit kishte aprovuar një rregullore për njohjen e çifteve të deklaruara gej, por pa parashikuar martesën mes tyre. Megjithatë shoqatat e homoseksualëve nuk e ndalën për asnjë moment presionin deri në këtë vendim të rëndësishëm për ta. Seanca e parë në Parlamenti u mbajt në tetor të vitit 2009, por ishte vendimtare sentenca e gjykatësit Gabriela Seijas, që e quante jokushtetuese ndalimin e martesave për personat e të njëjtit seks. Në favor të martesave gej gjatë këtij vitit kishin dalë edhe politikanë të njohur në vend, si ish-presidenti Nestor Kirchner dhe bashkëshortja e tij, Cristina Fernandez, Presidentja në detyrë. Megjithatë kisha katolike e ka kontestuar ashpër këtë ligj, madje ka folur edhe për “luftë kundër Zotit”. Tonet me të cilat e ka përballuar këtë çështje kanë qenë shumë të ashpër. “Jam e befasuar dhe shqetësuar. Duket sikur jemi rikthyer në epokën e kryqëzatave dhe inkuizicionit. Dikush ka folur edhe për luftë ndaj Zotit dhe të drejtat e plota që u jepen homoseksualëve janë një projekt i hartuar nga Djalli”, tha Kirshner që ndodhet për një vizitë zyrtare në Kinë. “Në këtë mënyrë do t’u heqim të drejtën fëmijëve të rriten sipas një modeli me dy prindër, nënë dhe babain”, tha kardinali Jorge Bergoglio. Të gjitha shkollat katolike i kanë inkurajuar studentët dhe prindërit e tyre të dalin në shesh për të protestuar kundër qeverisë. Nuk kanë munguar as veprimet e tilla si vendimi i peshkopit të provincës së Kordobës, Carlos Jose Nanez, të pezullonte një prift që kishte mbështetur martesat gej. Argjentina bëhet kështu vendi i parë amerikanolatin dhe i dyti në të gjithë Amerikën (tjetri është Kanadaja) që njeh martesat mes personave të të njëjtit seks. Sipas sondazheve, 70 për qind e argjentinasve janë pro të drejtave të barabarta edhe për çiftet e homoseksualëve.
#