Senati amerikan voton në vjeshtë ambasadorin e ri të SHBA-së në Tiranë
Senati amerikan nuk ka marrë ende në shqyrtim kandidaturën e Aleksandër Arvizut për ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Kandidatura e Aleksandër Arvizut u propozua nga Shtëpia e Bardhë në datën 12 korrik, por burime konfidenciale nga Uashingtoni bëjnë me dije për gazetën “Shqip” se ambasadori i ri i SHBA-së nuk do të vijë në Shqipëri përpara muajit tetor.
Zgjatja e procedurave do të bëjë që Shqipërisë t’i mungojë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për disa muaj. Ceremonia zyrtare e largimit të ambasadorit aktual, John Withers, është caktuar në mesin e muajit gusht dhe sipas procedurave ligjore vendin e shefit të diplomacisë amerikane në Tiranë pritet ta zërë zv.ambasadori aktual Deborah Jones. Deri në ardhjen e një ambasadori të ri, zonja Jones do të jetë e ngarkuara e posaçme e SHBA-së në ambasadën e saj në Tiranë. Të gjitha atributet e deritanishme të ambasadorit Withers do të kalojnë në duart e Deborah Jones. Më 15 gusht, ambasada amerikane do të përcjellë shefin e diplomacisë amerikane në Tiranë, John Withers. Vendimmarrjet dhe ndërhyrjet e ambasadorit Withers në momente të caktuara kanë qenë decizive për qetësimin e klimës së politikës shqiptare. Aleksandër Arvizu është emri i propozuar nga Presidenti Barak Obama, i cili pritet të marrë miratimin e senatit në vjeshtë. Ai është diplomuar në fushën e shkencave në Shërbimin e Jashtëm. Veç gjuhës mëmë, anglishtes, diplomati Arvizu nuk njeh gjuhë europiane, por ai ka njohuri pune profesionale në gjuhën japoneze dhe koreane, po ashtu ka njohuri të kufizuara profesionale në tailandisht dhe në gjuhën khmere. Aktualisht ai mban postin e drejtorit të karrierës për nivelin e zhvillimit tw karrierës dhe emërimet, jeton në Virxhinia dhe grada që disponon në shërbimin e jashtëm është ministër këshilltar. Ai është 42 vjeç dhe në kurrikulumin e tij disponon një medalje të lartë nderi dhe medalje nderi për merita në grup të fituar në vitin 1991. Arvizu ka punuar edhe në Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Ai u lind në një bazë ushtarake amerikane në Japoni dhe u rrit në Kolorado. Babai i tij ishte zyrtar i lartë ushtarak në këtë bazë, ku u njoh edhe me nënën e Arvizus, një shtetase japoneze. Pas studimeve në Universitetin Xhorxhtaun, Arvizu në vitin 1981 u bë pjesë e diplomacisë amerikane.
#