Festivali i Butrinit
Duket se edhe ngërçi i fundit kaloi për Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “Butrinti 2000”. Shfaqja "Peer Gynt” me regji të Slobodan Unkovskit, bashkëproduksion i tri shteteve Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, do të jetë pjesë e edicionit të njëmbëdhjetë të Festivalit të Butrintit. Pas reagimeve e polemikave nga Ministria e Kulturës, u mor vendimi për rikthimin e kësaj vepre të sakrifikuar në kalendarin e festivalit. Ky rikthim, sipas Alfred Bualotit, drejtorit të këtij festivali, nuk do të rrezikojë largimin e ndonjë shfaqjeje tjetër të programuar për t’u shfaqur në skenën e Butrintit nga data 17 deri më 22 korrik.
Shkurtimi i buxhetit kundrejt Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Butrinti 2000”, u prit jo pa polemika e debate nga ana e artistëve të “eliminuar” nga ky festival, por sigurisht që nuk u prit aspak mirë edhe nga ju si drejtues. çfarë ndodhi?
Mbështetja nga ana e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është baza për një aktivitet si ky, pastaj se çfarë ndodh me një sponsor këto janë thjesht elemente që plotësojnë ose jo, në një mënyrë ose në një tjetër boshllëqet e mëdha që ka programi i festivalit. Neve na u dha një shifër fillestare, e cila u rrit dhe u ul sipas dëshirës së atyre që vendosin për projektet derisa ne reaguam përfundimisht, sepse e gjitha kjo po ndodhte në prag të festivalit.
Përse u vendos kaq vonë shifra përfundimtare e dhënë nga ministria për festivalin, i cili në fakt çelej në pak ditë?
Vonesa e fondit vjen nga paaftësia e disa njerëzve dhe prej mos dëshirës për të promovuar vlerat në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Unë nuk mund të them se festivali që drejtoj është më i miri në mënyrë absolute, por ky festival është një vlerë, ka një figurë artistike brenda dhe kjo vonesë është një sulm i drejtpërdrejtë kundër vlerave. Nuk mendoj se ka ndonjë arsye tjetër kjo shtyrje e buxhetit në një kohë që ai është gati qysh në muajin shkurt. Por ndodh te ne që mbledhjet e bordeve të bëhen në maj, qershor apo korrik, kur një pjesë e mirë e aktiviteteve kanë përfunduar.
Me rikthimin në kalendar të shfaqjes "Peer Gynt të Ibsenit", drejtuar nga regjisori Slobodan Unkovski, do të thotë se nuk do të ketë asnjë lëvizje tjetër të shfaqjeve në program?
Pas kësaj, me shfaqjet nuk do të ketë asnjë lëvizje. Ne bëmë një program me aq mundësi sa kishim dhe do ta përcjellim deri në fund atë.
Ndërkaq, si do të veprohet për zhvendosjen e spektatorëve drejt Butrintit për të ndjekur shfaqjet e festivalit?
Lëvizja nga Saranda në Butrint nuk do të jetë kaq të lehtë e komode tani. Për këtë arsye ne kemi vendosur që hyrjen e spektatorëve që do të vijnë në Butrint ta kemi falas, pa biletë, në vlerësim të kësaj sakrifice që do t’u duhet të bëjnë njerëzit për të përshkuar rrugën në ndërtim për të mbërritur në Butrint.
ç’mund të tregoni për trupën, e cila është përzgjedhur për të çelur natën e parë të festivalit?
Për herë të parë ne do të kemi në skenën e Butrintit një trupë që vjen enkas, trupën ruse nga Shën Petërburgu. është fjala për “ëndrrën e një nate vere” të Shekspirit, që e sjell një regjisor si Aleksandër Morfov, tashmë i njohur edhe për spektatorin shqiptar dhe komunitetin e artistëve shqiptarë. është regjisor i madh i Europës, i cili vjen për të katërtën herë në Butrint. Për këtë arsye ne kemi vendosur ta shpallim në këtë edicion President Nderi të Festivalit.
“ëndrra e një nate vere” ka ardhur edhe në version tjetër në Butrint. Ku dallon “ëndrra” ruse?
Spektatori i ka të nënvizuara në kujtesë shfaqjet e Morfov, që nga “Shtrëngata”, te “Don Zhuani” etj., që për artistët janë shkolla të vërteta të aktrimit apo të performancës në tërësi të teatrit të sotëm. E tillë do të jetë edhe “ëndrra ruse”, prandaj them se çelja me këtë shfaqje e festivalit të sivjetshëm do të jetë një gong i fuqishëm. Jam i bindur se ajo nuk do të harrohet lehtë. E veçanta e saj qëndron në atë se ajo është një zbërthim jo vetëm dinamik, jo vetëm aktorial, por duhet thënë se ai është një teatër apo një ndërmarrje aktive krijuese e Aleksandër Morfov, me mjetet e kohës moderne. Do të shohim që artistët në performancën e tij këndojnë “live” në skenë, kërcejnë, aktrojnë në mënyrë të mrekullueshme.
A ka edhe të tjera vepra po kaq të mëdha ky edicion?
Duke përmendur pikat më të këndshme dhe më të dallueshmet e festivalit, ju them se do të kemi një shfaqje tjetër interesante në mjediset e Kalasë së Lëkurësit. Ajo do të evokojë 200-vjetorin e lindjes së Shopenit, kompozitorit të madh, pasi nga UNESCO 2010-a është shpallur “Viti i Shopenit”. Duke qenë kështu, kemi përzgjedhur një shfaqje që vjen nga vendlindja e tij, Polonia, dhe kjo na nxiti që i veçantë, siç është Lëkurësi, të jetë edhe mjedisi ku do të jepet ajo. është një shfaqje argëtuese, e këndshme.
Sa e ka prekur dhe e përmbush këtë radhë parametrin ndërkombëtar ky edicion?
Do ta konkretizoja këtë me shfaqjen e datës 20 korrik, për të thënë se çfarë interesi të madh ka për artistët Festivali “Butrinti 2000”. Në tërë këto edicione do të kemi një majë. Këtë e shënon shfaqja e tipit muzikal, siç njihet në gjuhën e profesionistëve të spektakleve muzikore. është “Romeo e Zhuljeta”, që vjen nga një produksion midis Rumanisë, Teatrit Kombëtar të Operetës së Rumanisë dhe Teatrit Kombëtar të Operetës së Budapestit në Hungari. është fjala për 70 artistë që vijnë të performojnë në Butrint. Jo vetëm artistët këndojnë ‘dal vivo’ dhe kërcejnë gjatë gjithë kohës, por edhe aktrojnë. Kostumet e tyre janë një gjë krejt tjetër nga ato që kemi parë. Po kështu, ndriçimi e gjithçka tjetër e organizuar. është fjala për një regjisor, i cili është udhëheqës artistik i Operës së Budapestit, me pseudonimin KERO.
Si ka mundësi që Butrinti u pranua prej tyre si skena e shfaqjes së parë jashtë vendit?
E vërteta është se kjo shfaqje ka pasur jehonë të gjerë dhe është fat për ne që ata e kanë marrë Butrintin si një vend dhe veprimtari të vyer, për të mos hezituar ta shfaqin “Romeo e Zhuljeta” në skenën e tij, për herë të parë jashtë vendit. Madje ata vendosën të shpenzojnë 25-30 mijë euro për të ardhur në Butrint, pasi ne nuk ishim në gjendje të përballonim këto shpenzime.
Në disa edicione kanë ardhur pjesë të njëjta në versione të ndryshme. A do të ndodhë kështu edhe me edicionin e 2010-s?
Po, dhe jo për rastësi. Kështu do të ndodhë sivjet me dy “Elektra”. Në ditën e parafundit dhe të fundit do të kemi një “Elektra” që na vjen nga Teatri Kombëtar i Sibiut të Rumanisë dhe një të dytë, që e sjellin aktorët e Teatrit Kombëtar Tiranë. Ata ballafaqojnë njëra-tjetrën, pa e përjashtuar. Shfaqja rumune është po ajo që vjen nga Antikiteti, por për shkak se ndërtimi i saj është ndërthurur dhe ka hyrë në baladat e tyre, vjen e papërsëritshme. Të tillë e bën loja e aktorëve, orkestra me 2-3 instrumentistë që ekzekutojnë bashkë me aktorët, por sidomos fakti që shfaqja është produkt i një regjisori të madh si Mihail Manjitju, emër i madh i regjisurës rumune dhe europiane, me shumë shfaqje dhe çmime. I njëjti “dublim” u bë 3 edicione më parë, kur në Butrint erdhën dy “Medea”. Dhe kjo jo pa qëllim, por për të pasur dy ballafaqime, dy “përplasje” modelesh, shkollash dhe kulturash. Prapë “Elektra”-t do të përmbushin një ballafaqim të tillë, jo vetëm për spektatorin, por edhe për profesionistët e teatrit, gazetarët, kritikët, që do të kenë rastin t’i shohin të dyja të brendashkruara në një edicion.