Argjiro, aty ku u ndërthur muzika, koha dhe artistët
Kalaja e Gjirokastrës, për të katërtin vit radhazi, mirëpriti artistët, të ftuarit dhe organizatorët e festivalit ndërkombëtar “Takimet muzikore të dy botëve”, i cili përfundoi dje në mbrëmje me interpretimin e grupit polifonik të Himarës dhe muzikantit me famë botërore Toni Kitanovski, bashkë me Chekrezi Orchestra, nga Maqedonia. Kjo veprimtari tashmë tradicionale bashkon nën harqet e gurta të kësaj kështjelle muzikën klasike, polifoninë tradicionale dhe muzikën bashkëkohore. Festivali, i cili organizohet nga shoqata “Argjiro”, përfundoi dje në mbrëmje. Për tri net, edicioni i katërt u prezantua nga dy aktorë të njohur, Viktor Zhusti nga Tirana dhe Blerta Syla nga Prishtina. Sipas drejtoreshës së festivalit, Ilda Mara, në këtë edicion janë ftuar për të marrë pjesë grupe muzikore nga Maqedonia, Kroacia, Kosova e Shqipëria. Në ditën e parë pas hapjes zyrtare, të premten në mbrëmje, në skenën e vendosur përpara portës së madhe të Muzeut të Armëve, nën harqet e mëdha të galerisë së brendshme të kalasë u shfaq e para sopranoja Eva Golemi, e cila ngriti siparin e këtij festivali, nën shoqërimin muzikor të kuartetit të harqeve të Akademisë së Arteve në Prishtinë, ARTUS. Në përbërje të këtij formacioni muzikor janë Gëzim Bulçari - violinë e parë, Dardan Osmani violinë e parë, Arben Llozi, violë dhe Antonio Gashi, violonçel. Ndërsa nata e dytë e festivalit vijoi me një koncert nga grupi i ri polifonik “Bilbilenjtë e Progonatit” nga Tepelena dhe një koncert i përkryer i Kuintetit Kamertal të Fizarmonikave të ardhur nga Kroacia, një formacion i njohur muzikor i themeluar dhe drejtuar nga pedagogu i Akademisë së Arteve nga Kroacia Bashkim Shehu.
#