E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK, presion Thaçit për ndryshime në qeveri

Haziri: Duhet një fazë e re e lëvizjeve strukturore në kabinet

Lidhja Demokratike e Kosovës, partnerja e Partisë Demokratike të Kosovës në qeverinë e drejtuar nga Hashim Thaçi, ka gjetur momentin më të vështirë të PDK-së për të rritur pazarin politik.
Nënkryetari i LDK-së dhe njëkohësisht ministër i Kulturës, Lutfi Haziri, në një intervistë për sektorin shqip të BBC-së ka kërkuar ndryshime të tjera në kabinetin qeveritar. Haziri tha se, nëse thyhet parimi i sundimit të ligjit dhe i funksionalitetit të institucioneve të shtetit, LDK-ja duhet ta rishikojë pozicionin e saj brenda qeverisjes aktuale. Zoti Haziri ka paralajmëruar edhe një fazë të re të ndryshimeve në qeverinë aktuale, duke përfshirë edhe struktura të larta qeverisëse. Ai tha se lufta kundër korrupsionit duhet të thellohet dhe sipas tij është detyrë e institucioneve të Kosovës që të marrin një rol udhëheqës dhe më aktiv në përballjen me këto dukuri, duke ruajtur mandatin e EULEX-it si monitorues dhe mbështetës të institucioneve. Haziri tha se jo domosdoshmërish të gjithë në LDK mendojnë dhe besojnë se kjo parti duhet të jetë pjesë e qeverisë, duke e paguar çmimin e kompromisit. Duke paralajmëruar zgjedhjet brendapartiake, në vjeshtën e këtij viti, Lutfi Haziri tha se LDK-ja nuk ka alternativa të shumta dhe asaj i duhen reformat e brendshme, përfshirë ato programore dhe udhëheqëse në të gjitha nivelet. Në të kundërt, tha ai, LDK do të përballet me ndryshime shumë radikale, që do të çonin në rithemelim.

Pse janë “mbytur” debatet në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së për koalicionin qeverisës?

Nuk ka qenë pjesë e rendit të punës dhe as në axhendë të Këshillit të Përgjithshëm. Ne kemi debatuar për rezultatet e fundit zgjedhore, për zgjedhjet lokale 2009-2010, të cilat janë përmbyllur dhe certifikuar dhe janë zbatuar. Faza paszgjedhore ka përfunduar, por ne kemi debatuar për mësimet që janë nxjerrë nga ky proces, duke qenë mjaft kritik. Debati ka zgjatur rreth tri orë dhe janë përmendur të gjitha rekomandimet që duhet të ndërmerren si pjesë e procesit përgatitor në këtë fazë nëpër të cilën po kalon LDK-ja, si dhe shpallja e zgjedhjeve në LDK si proces i brendshëm, me paketën reformuese. është shumë e rëndësishme që kjo të mos ndahet, sepse ne kemi krijuar katër grupe pune që janë pjesë e reformës, apo pjesë e përgatitjes së reformave, që në proces zgjedhor të zbatohet paketa zgjedhore, së bashku me politikat reformuese të LDK-së, në shkallën e strukturës, në shkallën politike-programore dhe që përfshin edhe shkallën e qeverisjes. Dhe natyrisht konsekuenca përfundimtare do të jetë reformim i plotë edhe në lidershipin partiak, në udhëheqjen e ardhme, e cila përgatitet me një vizion evropian që e drejton shtetin me këtë frymë. Pjesa tjetër është përmendur nga disa anëtarë, në debat e sipër, e cila ishte e ndarë nga kjo mbledhje dhe do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të KP-së të LDK-së, nëse është e nevojshme.

Nuk m’u përgjigjët në pyetje. Po shtohet pakënaqësia e anëtarëve të LDK-së me qeverisjen aktuale?

Jo, realisht ka zëra të arsyeshëm që kërkojnë të debatohet nevoja e vazhdimit të koalicionit me PDK-në, por nuk është në atë shkallë që mund të quhet pakënaqësi, ose kërkesë themelore. Në fakt, është përmendur nevoja e diskutimit për rolin tonë në qeverisje në përputhje me standardet për sundimin e ligjit dhe probleme që kanë dalë me afera korruptive, në dritën e hetimeve që EULEX-i ka ndërmarrë. Por, nuk është përmendur në mënyrë të prerë kërkesa që të rishikohet partneriteti, por nevoja e qëndrimit në koalicion në këtë proces të qeverisjes për shkak të gurit të rëndë që e ka në proceset që po kalojnë në Kosovë, lidhur me hetimet kryesisht.

Pra, sipas LDK-së, kjo qeverisje në Kosovë nuk është ajo që i nevojitet vendit aktualisht?

LDK-ja është brenda qeverisjes dhe kjo nuk nënkupton vetëm ekzekutivin, por janë edhe institucionet e tjera në të cilat LDK-ja merr pjesë. Ajo merr pjesë sipas një formule të marrëveshjes mbi partneritetin e koalicionit. Unë e kam kualifikuar edhe më herët, se qeverisja e “rëndë” është themeluar për nevojat e funksionimit të shtetit, të stabilitetit dhe sigurisë, si dhe mbi të gjitha mbi bazën e shpalljes së deklaratës së koordinuar për pavarësinë e vendit. Dhe ky është arritur si objektiv. Pjesa e dytë e themelimit të institucioneve të shtetit, të funksionalitetit më të mirë, është mision yni që jemi brenda, por nëse nuk e arrijmë këtë mision, atëherë do të jetë e vështirë për të parë një rol pozitiv dhe afatgjatë të LDK-së në këtë proces. Unë jam një nga ata që besojnë në koalicione “të rënda” për stabilitet, por jo domosdoshmërish të gjithë mendojnë dhe besojnë se LDK-ja duhet të jetë pjesë e qeverisë duke paguar çmimin e kompromisit. Në këtë rrafsh, zërat e arsyeshëm që kanë dalë në mbledhjen e KP-së të LDK-së, kanë qenë kryesisht të lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë dhe jo me proceset afatgjata në Kosovë dhe as me nevojën mbi të cilën është ndërtuar koalicioni. Ata kanë qenë të ndërlidhur me aferat që kanë pëlcitur kohët e fundit në Kosovë dhe që nuk duan të identifikohen me LDK-në.

A do të thotë kjo se LDK-ja e ka një qëndrim të qartë se deri ku mund të shkojë koalicioni qeverisës në Kosovë?

Ne kemi dy parime, dhe këtë e kemi konfirmuar edhe në mbledhjen e KP-së të LDK-së: parimin e sundimit të ligjit dhe të funksionalitetit të shtetit. LDK merr pjesë në proceset e shtetndërtimit dhe të stabilitetit, por nëse thyhen këto dy shtylla kryesore, apo parime kryesore të cilat janë vendosur, LDK-ja duhet ta rishikojë pozicionin e saj.

Pra ju jeni ithtarë të asaj që lufta kundër korrupsionit të bëhet në një formë edhe më të ashpër?

Absolutisht. Dhe ne mendojmë se është detyrë e vendorëve dhe duhet të jetë nën udhëheqje të institucioneve vendore, duhet të ketë një rol pro-aktiv të institucioneve të vendit. Kjo sepse mandati i EULEX-it në disa institucione, në disa segmente, është ekzekutiv, por mandati kryesor, që e kemi pranuar edhe me Kushtetutë, është monitorues dhe mbështetës në Kosovë. Dhe duhet të ruhet ky mision që ka. Mandati udhëheqës që duhet të përballet edhe me probleme, edhe me detyrime, në zbatim të ligjit e të rendit dhe Kushtetutës, është detyrë ekskluzive e institucioneve të vendit, e udhëheqësve të vendit dhe partive politike që janë në koalicion, por natyrisht të ndihmuara edhe nga partitë politike që janë në opozitë sot.

Kjo do të thotë se do të shohim shumë shpejt ndryshime brenda qeverisë së Kosovës?

Nuk shoh ndryshime të mëdha. Natyrisht, procesi i riformatizimit të qeverisë ka kaluar në fazën e parë, në atë që quhet qeverisje në shkallën e parë, e do të vazhdojë me ndryshime në shkallën e dytë, të cilat mund t’i japin një impakt pozitiv qeverisjes së mirë në Kosovë. Kjo sepse ka të bëjë me struktura dhe emërime të nivele të larta brenda qeverisë, qofshin zëvendësministra apo edhe autoritete ekzekutive që marrin misione. Pretendimi i LDK-së në këtë qeveri është përmirësimi i qeverisjes dhe tendenca për të vendosur qeverisje të mirë në Kosovë, si dhe të përballet edhe me problemet dhe me dukuritë, duke filluar edhe nga brenda strukturës sonë dhe duke reflektuar edhe në institucione ku LDK-ja merr pjesë.

Folët për ndryshime brenda partisë. Do të mund të shohim ndryshime rrënjësore brenda LDK-së, për faktin se po filloni zgjedhjet e brendshme?

Ajo që mund ta them është se prej sot e tutje, një lloj fushate zgjedhore në LDK fillon. Prej 10 shtatorit e deri më 10 nëntor është një proces i zgjedhjeve nëpër struktura, nëpër degë, por është fazë e zbatimit të zgjedhjeve dhe daljes së rezultateve. Në fund të nëntorit, LDK-ja do të ketë një udhëheqje të re, të strukturuar dhe e dalë nga procesi i saj zgjedhor. Unë besoj shumë se LDK-ja nuk ka shumë alternativa. Ose duhet ta detyrojë procesin reformues në tri shkallë: reformë strukturore të plotë, reformë programore-politike të plotë, që përfshin edhe politikat sektoriale dhe qeverisëse në Kosovë dhe reformë në udhëheqje në nivel qendror e lokal, dhe ky opsion është më i mirë dhe më i dëshirueshëm, i cili mund ta përgatisë LDK-në për zgjedhjet e ardhshme. Opsioni i dytë është jashtëzakonisht i vështirë për LDK-në, është i dhimbshëm, por nëse LDK-ja dështon në reformim, atëherë do të shkojë në refundim të partisë, që nënkupton ndryshime jashtëzakonisht radikale dhe rithemelimi i saj do të jetë një proces krejtësisht tjetër.

Marrë nga “BBC”

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›