Ari Han, vetëm dy sulmues për dy ndeshjet e radhës

Një gjë e tillë është bërë e njohur dje, kur trajneri holandez i tyre, Ervin Kuman, zbardhi listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e 11 dhe 15 tetor.
Tekniku ka në listë 24 lojtarë, të gjithë të gatshëm për të zbritur në fushë. Shihet qartë që bëhet fjalë për një skuadër me ambicie, pasi edhe pse do të luajnë kundër dy kundërshtarëve më të dobët në letër, ata nuk kanë dashur t’i nënvlerësojnë. Kuman ka mbipopulluar repartet ofensive, por jo më pak edhe mesfushën.
Për portë ka grumbulluar 4 portierë, ndërsa në mbrojtje janë 8 kandidatë për 4 vende si titullar. Futbollistët e këtij reparti vijnë skuadra të dorës së dytë.
Ndërkohë që është mesfusha ajo që ka koleksionuar edhe emrat më të njohur të futbollit hungarez. Bëhet fjalë për futbollistë cilësorë, të cilët luajnë në kampionate të mëdha si në Gjermani, Angli, Spanjë me ekipe si Dortmund, Hanover, Osasuna, Fulham etj.
Në këtë ndeshje, Altin Lala do të luajë përballë shokut të tij të repartit të mesfushës te Hanoveri, Szabolcs Huszti, autorit të golit të fitores 1-0 ndaj Bajernit të Mynihut në këtë fundjavë.
Ashtu sikundër edhe rivali kuqezi, Arie Han edhe Koeman preferon të luajë me një sulmues të vetëm dhe për ndeshjen me Shqipërinë ka grumbulluar vetëm dy sulmues.
Por fakti se ka thirrur për këto dy takime katër portierë nuk është pritur shumë mirë nga mediat vendase, të cilat nuk kanë hezituar ta thumbojnë me kritikat e tyre të para që dje.
Në repartin e sulmit, Kuman i beson Gergely Rudolf (Debrecen, Hungari) dhe Sandor Torghelle (Augsburg, Gjermani).
Ky i fundit duket se është i preferuari i Kuman, pasi në të gjitha takimet e fundit ka qenë titullar.
Me të marrë drejtimin e kombëtares së Hungarisë, Kuman ka bërë të ndihet dora e tij, pasi ai e ka rinovuar thuajse totalisht. Gjithsej 16 lojtarë janë thirrur vetëm në vitin 2008.
Më 11 tetor, në stadiumin “Ferenc Pushkash”, Shqipëria do të zbresë përballë kësaj skuadre me synimin për të marrë rezultat pozitiv. Ndaj tyre kemi një bilanc negativ në tri ndeshje të zhvilluara, vetëm një barazim dhe dy humbje: Hungari-Shqipëri 3-0 (në 1947-ën, Kampionatin e Evropës Qendrore), Shqipëri-Hungari 0-0 (në 1948-ën për Kampionatin e Evropës Qendrore) dhe Hungari-Shqipëri 12-0 (në 1950-ën, miqësore).