Lorik Cana, i gatshëm për Atletikon e Madridit

Olimpiku i Marsejës do të udhëtojë drejt fushës së vështirë të Atletikos së Madridit, skuadër që së bashku me Liverpulin cilësohet si favorite në Grupin D.
Fillimisht, mesfushori shqiptar ishte në dyshim, por dje trajneri Erik Gerets e konfirmoi në grupin me 18 futbollistë që udhëtuan drejt kryeqytetit spanjoll.
Në barazimin 1-1 që Marseja mori në fushën e Lë Mans, Cana pësoi një goditje në gju dhe u zëvendësua 10 minuta përpara fërshëllimës finale.
Megjithatë, kuqeziu qetësoi tifozët duke thënë: “Pësova një goditje të fortë në gju dhe kur vrapoja ndjeja shumë dhembje. Provova që të vazhdoja lojën, por e kisha të pamundur.
Nuk kam asgjë të rëndë, për të cilën duhet të shqetësohem, por preferova të zëvendësohesha (nga holandezi Zenden), pasi nuk doja të qëndroja në fushë duke luajtur vetëm me 50 për qind të mundësive”.
Këto fjalë janë një sinjal i mirë edhe për Kombëtaren shqiptare, që më 11 dhe 15 tetor do të luajë me Hungarinë dhe Portugalinë.
Ende nuk dihet nëse kapiteni i marsejezve do të aktivizohet si titullar në sfidën e së mërkurës në “Vinsente Kalderon”.