Blerim Destani:E shijoj jetën, jam i lumtur dhe i dashuruar
Blerim Destani, aktori simpatik që jeton në Gjermani, javëve të fundit ka qenë prezent në vendin tonë në krah të aktores Eliza Dushku, si i ftuar i dokumentarit te saj. Ai tregon në këtë bisedë për gazetën “Mapo” njohjen me Elizën, shoqërinë 6-vjeçare që ka me të, idenë për të punuar edhe në të ardhmen së bashku, bukuritë e Shqipërisë në këtë udhëtim, marrëdhëniet e tij me femrat, me të bukurën, mënyrën si e shijon jetën dhe impenjimet profesionale që e presin… për më tepër le të ecim në këtë rrëfim interesant...
Blerim, këto ditë jeni në Tiranë së bashku me aktoren hollivudiane Eliza Dushku. Si po ju duket Shqipëria në këtë udhëtim?
Shqipëria vazhdimisht po ndryshon, që do të thotë se gjithçka është në një dinamikë produktive. Këtë nuk e konstatuam vetëm unë dhe Eliza, por të gjithë që e kanë vizituar Shqipërinë. Bile disa miq të mi gjermanë dhe austriakë që këtë verë (me sugjerimin tim) kanë kaluar pushimet në Shqipëri, ishin mahnitur jo vetëm nga bregdeti, por edhe nga vendet turistike malore në veri. Ky është tregues i qartë që Shqipëria tashmë në axhendat e europianëve është futur për vlera të rëndësishme kulturore dhe turistike. Në këtë udhëtim (xhirimin e filmit dokumentar) me Elizën ne vetëm sa e japim kontributin tonë për promovimin e vlerave të Shqipërisë. Puna e palodhshme e Fadil Berishës për promovimin e Shqipërisë në botë është vërtet inspiruese dhe ai ka merita të rëndësishme.
Me aktoren Dushkun njiheshit më parë? Si do ta përshkruaje atë? Miqësinë që keni së bashku? Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje tek ajo?
Eliza është aktore me të arritura impresive në kinematografinë ndërkombëtare. Ne njihemi tashmë prej gjashtë vjetësh. Deri më tani nuk kemi luajtur bashkë në ndonjë film, (ndoshta në të ardhmen), por kemi një miqësi që bazohet në personalitetin dhe profesionalizmin e saj. Ajo që më ka bërë përshtypje tek Eliza është modestia e saj dhe urtësia për të dëgjuar. Dhe kuptohet që nuk e mohon prejardhjen e saj, përkundrazi kontribuon në promovimin e vlerave tona kombëtare.
Ju vetë do të jeni pjesë e dokumentarit krah Elizës, apo jo?
Dokumentari është ide dhe projekt i Fadili Berishës dhe Eliza Dushkut, unë jam vetëm mysafir i tyre. Ftesë e pranova me shumë dëshirë, pasi i vlerësoj kontributet e tilla që bëhen për kulturën tonë dhe trojet tona.
Përsa u përket planeve tuaja, jeni duke u marrë aktualisht me ndonjë projekt?
Kuptohet. Ardhja në Shqipëri ishte një lloj “ikje” nga faza përgatitore e projekteve që kam të kontraktuara. Por për këto do të flasim pasi të realizohen, nuk dua të flas para realizimit.
Një aktor i suksesshëm, i bukur, e ka me të lehtë të gjejë dashurinë apo më të vështirë?
Nuk e di se çfarë të them?!? Gjykuar nga ky këndvështrim, si duket mua “nuk po më ecën mirë puna”. Hahaha... Mendoj se dashuria duhet shikuar jashtë kontekstit të famës, dashuria është diçka që ndodh vetvetiu dhe nuk pranon ndikime të jashtme. Ndoshta fama mund të ndikojë për të stimuluar shprehjen e ndjenjave dhe përjetimeve.
Mund të na tregoni, më i suksesshëm keni qenë me vajzat kur nuk ishit bërë ende i famshëm, apo tani që jeni i tillë?
Mua më duket vetja se jam i njëjtë, vetëm se tani në këtë fazë kam shumë pak kohë të lirë, dhe ndoshta për shkak të presionit të kohës përjetimet janë më intensive.
Jeni i dashuruar aktualisht? Është një femër në mendjen, zemrën tuaj?
Njeriu kur nuk është i dashuruar nuk e shijon plotësisht jetën, pasi i ngelën vetëm puna, gjatë së cilës harxhon shumë energji dhe emocione. Ndërsa dashuria ia rigjeneron emocionet. Unë jam përplot me emocione dhe kam shumë dashuri brenda vetes dhe e shijoj jetën plotësisht në të gjitha dimensionet e saj.
Jeni duke e kërkuar dashurinë?
Jeta në vetvete është një rrugëtim, pra edhe kërkim. Njeriu e kërkon atë që mendon se i mungon. Unë jam i lumtur.
Si do ta përshkruanit ndjenjën e dashurisë? Po femrën?
Dashuria është forca më e madhe motivuese për çdo njeri, kuptohet që unë kam motivime të fuqishme në jetë. Do të gënjeja nëse them se nuk kam pasur përjetime të fuqishme. Jeta të mundëson të kalosh nëpër shumë situata të ndryshme, prej ku mund të nxjerrësh përvoja të ndryshme. Njeriu përderisa ka dashuri brenda vetes gjatë gjithë jetës e kërkon dashurinë me të cilën do të ketë interaksion emocional. Unë jam i lumtur që kam interaksion emocional, dhe e shijoj jetën me të gjitha bukuritë e saj. Dobësia ime është se unë asnjëherë nuk jam indiferent ndaj të bukurës. Më pëlqen jeta dhe dua ta jetoj e shijoj maksimalisht. Dhe femrat janë ajo pjesë e bukurisë së jetës. Pa të cilën jeta nuk do të kishte kuptim.
Keni pushuar këtë verë? Cilat janë vendet tuaja të preferuara për pushime?
Ende jo. Si duket për pushime më duhet të mendoj në kohën e dimrit. Përndryshe vendet e mia më të preferuara për pushime kanë qenë Spanja, Franca dhe disa ishuj të largët. Por tani bregdeti shqiptar zë vendin më të rëndësishëm.