Arista, e vogël dhe e madhe
Në moshën 11 vjeçare, peshon 84 kg ose 34 kg më shumë se nëna e saj. Por vogëlushja vlonjate ka filluar të kuptojë se obeziteti është një problem...
Arista është vetëm 11-vjeç dhe peshon rreth 84 kg, plot 34 kilogramë më shumë se nëna e saj, Jeta. Sigurisht që sikur të kishte disa kile me pak do të ngjante më elegante, por këtë ka filluar ta kuptojë vetëm tani që është rritur. Është vetëm 11-vjeçe dhe peshon plot 84 kg, ose saktësisht 34 kg më shumë se nëna e saj, që tashmë është penduar që e ka lënë vajzën të abuzojë më ushqimet duke krijuar këtë situatë.
Pikërisht mbipesha ose obeziteti është problemi i Aristës. Ajo dhe nëna e saj kanë bërë një veprim të zgjuar. Po nisin ta luftojnë obezitetin. Fillimisht kanë menduar të paraqiten në shërbimin e Diabetologjisë, në Pediatrinë e QSUT-së, për mjekim. Aty dhe i takuam për të folur me to rreth problemit. Arista Dukaj nuk është e vetmja me këtë shqetësim. Shefi i këtij shërbimi, Petrit Hoxha pohoi se obezë po vjen gjithnjë në rritje.
Arista është të paktën 2 herë më e rëndë se bashkëmoshatarët e saj. Ajo di t'u përgjigjet pyetjeve tona, madje me një zgjuarsi të mprehtë dhe kilet e tepërta, për ta cilat tashmë është ndërgjegjësuar, i quan si një problem i vogël që do ta riparojë.
"E di që jam e shëndoshë, por tani që do të konsultohem me mjekun do të mundohem që ndjek këshillat e tij, për të humbur kilet e tepërta",- pohon ajo. Madje 11-vjeçarja ndonëse nuk është elegante si shoqet e saj, ajo pretendon se i sfidon ato në mësime pasi merr gjithmonë vetëm nota të mira.
"Jam në klasën e 6-të dhe asnjëherë nuk kam marrë notë poshtë 8-ës. Për mua është e rëndësishme që të mësoj dhe sa për kilet e tepërta, shpresoj se do të largohen sepse edhe në këtë drejtim do të tregoj kujdes",- thotë ajo. Ndërsa nëna e saj, Jeta Dukaj tregon se Arista ka lindur me peshë normale, por që e vogël filloi të vinte kile të tepërta.
Jo vetëm që nuk bën asnjëherë naze për ushqimet, por ha orar e pa orar dhe kurrë nuk heq dorë nga të ngrënit. Po cilat zakone të përditshme e kanë bërë vogëlushen tonë të tillë? "Sa herë që kaloj tek frigoriferi dhe dollapi i bukës do ha diçka",- thotë Arista duke qeshur. Pastaj ul kokën. Ka filluar të kuptojë se kjo është e gabuar. Madje ajo pohon se, edhe kur është në shkollë merr ndonjë gjë për të ngrënë. Nuk ndalet së ngrëni jo vetëm nga ato që i gatuan nëna e saj, por as tek produktet që gatuhen në fast-food, të cilat i ka të përditshme.
Sa për ëmbëlsirat është më mirë të mos e pyesësh fare, sepse ajo i ka pikë të dobët dhe konsumon shumë nga ato. "E vërteta është se unë konsumoj shumë ushqime, madje edhe pije të ndryshme, por tani do të mundohem të jem më e kufizuar ndaj tyre, sepse e di që ato kanë ndikuar në kilet e tepërta",- thotë Arista, duke shtuar se për mbipeshën ka filluar të lexojë edhe libra dhe tashmë është bindur se kjo s’është aspak pozitive. Madje kujdesin ndaj ushqimeve dhe mësimet, Arista i shikon si dy preokupimet më të mëdha, të cilave do t'u kushtojë vullnet dhe kohë.
-------------------------------------------------------------Jam e shëndoshë, por edhe e fortë, ndaj nuk më shajnë
Megjithëse është më e shëndoshë se të gjitha shoqet e saj, askush nuk guxon ta ofendojë me fjalë të tillë si "bufe" apo "e shëndoshë", pasi do të përballej me zemërimin e vajzës. Kështu, nëse e pyet se çfarë mendimi kanë moshataret e saj për të, ajo përgjigjet qetësisht se kjo nuk është problem për të.
"Po kush guxon të flasë, unë vërtet jam më e shëndosha, por jam edhe më e forta. I kam goditjet tepër të rënda dhe askush nuk mundet t'i përballojë",- thotë ajo duke qeshur, duke lënë të nënkuptojë se përveçse e zgjuar është edhe garipe dhe se kudo në shoqëri merr komandën, sidomos në lojë.
Megjithatë vajza vlonjate, tani që po rritet ka filluar të kuptojë se eleganca do t'i shërbente për të qenë më e bukur, ndaj dhe ka filluar t'i kushtojë vëmendje këtij detaji. Madje është e bindur se disa kilogram më pak do t'i jepnin hijeshi më shumë syve të saj jeshil.
"Nuk jam më e vogël dhe tani më shumë se ushqimet e tepërta që konsumoj, do të më interesojë eliminimi i kileve, që më tregojnë shumë të shëndoshë",- thotë ajo. Në pritje të mjekut kurues, Arista dukej shumë e vendosur në synimin e saj, pasi tashmë është ndërgjegjësuar se abuzimi me ushqimet nuk është i dobishëm.
---------------------------------------------------------------------Nëna e Aristës: Jam penduar që nuk e solla më parë tek mjeku
Është penduar që nuk është këshilluar tek mjeku, që kur vajza e saj filloi të vinte kilogramë të tepërta. Madje, Jeta Dukaj, nëna e Aristës thotë se është hera e parë që e sjellin tek mjeku, pasi Arista nuk ka pasur probleme shëndetësore. "Në fakt e kuptoj se jam gabuar që nuk e kam sjellë vajzën tek mjeku, pasi nuk e kam parë si fakt problematik që vajza hante aq shumë. Duhej të kisha ardhur më parë, por shpresoj që edhe tani mjekimi t'i bëjë efekt",- pohon Jeta. Ndërkohë, ajo thekson se të gjithë prindërit duhet të tregojnë kujdes në këtë drejtim dhe kilogramët e tepërta t'i shohin si problem që duhet evituar.