Dua sy... si të tigrit!
Lentet e kontaktit me ngjyra janë kthyer së fundmi në shumë të pëlqyera nga të rinjtë e kryeqytetit. Një masë shumë e vogël hidroxheli, material i njëjtë me atë të silikonit për operacionet plastike, mund të të ndryshojë ngjyrën e syve, duke të bërë një njeri krejt tjetër për njerëzit që të njohin. Bojëqielli, blu e fortë, violetë dhe jeshile janë disa nga ngjyrat që preferohen nga vajzat mesdhetare, të cilat përgjithësisht kanë sy në ngjyrë kafe apo të zezë. Kërkohen tej mase “Sy si të tigrit”, “Sy si të maces” dhe “Sy si të krokodilit”.
“Dua të kem sy si të tigrit”. Klejda është një vajzë tek të 25-at, e cila i kërkon me ngulm optometristit që t’ia gjejë menjëherë lentet e kontaktit që preferon. Një ngjyrë e blertë në të verdhë, e cila fillon të afrojë edhe nga ngjyra kafe duket qartë në sytë e Klejdës, e cila vetëm disa sekonda më parë shfaqej një vajzë jo shumë e gjatë, me flokë biondë, e veshur shik në të zeza por me një palë sy pis të zinj. Sytë e rinj e tregojnë ndryshe, me doza më të larta misteri, aventure.
Duket se diçka fsheh poshtë atyre syve që sapo të shohin, shfaqin një dozë të fortë agresiviteti. “Hë, si po dukem? Sa paskam ndryshuar, nuk mund t’ju besojë syve që jam unë, me duket sikur në këtë pasqyrë po shoh një vajzë tjetër. Edhe fytyra dhe flokët e mi po më ngjajnë ndryshe tani”,- nxjerr nga përjetimi i vet Klejda, e cila është e bindur se tashmë që i mori lentet e kontaktit në këtë ngjyrë të re, do të ketë sukses më tepër, së paku tek komplimentet e drejtuara nga djemtë, “Çfarë sysh që paske!”.
Sy të çelët për ne mesdhetaret
As që e kanë problem që femrat mesdhetare, kryesisht kanë sy në ngjyrë kafe apo të zezë, por ajo që mbetet në kureshtinë e tyre, është ndërrimi të paktën një herë në jetë i ngjyrës së syve. Dhe kjo mbetet tipike për femrat, pasi kryesisht në klinikat optike të kryeqytetit mbeten klientet më të shpeshta, krahasuar me meshkujt, të cilët janë më shumë të dhënë për të patur lente kontakti korrigjuese në rastin kur mbajnë syze. Alma, një vajzë që hyn në një nga klinikat optike të Tiranës për të blerë solucionin pastrues të lenteve që përdor, të befason me ngjyrën bojëqielli të hapur të syve të saj. Më bojëqielli nuk kanë ku të shkojnë!
Madje, në rast se nuk e ke dëgjuar më parë që po kërkon një lëndë të posaçme për lentet që përdor, mund të kujtosh se në bazë të ngjyrës së syve mund të jetë me origjinë nga vendet nordike. “Lentet e mia janë në ngjyrë bojëqielli, kurse sytë e mi i kam në ngjyrë kafe të errët. Më pëlqen ngjyra bojëqielli dhe për këtë i kam blerë lentet në këtë ngjyrë. Pastaj unë jam mësuar dhe ngopur me ngjyrën origjinale të syve të mi, sa thashë që njëherë të ndryshoja. Ne femrat mesdhetare vdesim për sy në ngjyrë të çelët”,- tregon Alma, e cila shton se gjithnjë çdo femër që përdor lente kontakti kërkon ngjyrën e kundërt të syve të saj. Megjithatë, treguar nga ajo duhet bërë shumë kujdes kur përdor lente kontakti. “Nuk duhet të kruash syrin, edhe pse unë ndonjëherë e bëj por ka edhe raste kur vetë lentet ngjiten lart nga lëvizjet e shpeshta të qepallave të syrit, të cilat ndikojnë tek to. Madje me lente kontakti unë e kam shumë të vështirë të qëndroj në plazh, sepse nuk mund të futem në ujë”,- rrëfen Alma.
Hallouini dhe karnavalet
Nëse bën një vëzhgim në optikat kryesore të Tiranës patjetër që do të marrësh vesh se “çmenduritë” për të ndryshuar shkojnë edhe më larg. Sytë mund t’i kesh si të tigrit, si të maces, si të krokodilit, por edhe të përbërë nga vija horizontale, apo vertikale. Madje edhe në shumë raste, vijat kombinohen edhe në mënyrë të çrregullt. “Ka kërkesa nga më të ndryshmet. Sidomos në festat e veçanta si hallouini apo karnevalet, klientët kërkojnë që bashkë me veshjen e tyre të çuditshme dhe të përshtatur për festë, të ndryshojnë edhe ngjyrën e syve”,- thotë një nga punonjëset e optikave, ku shiten lente kontakti. Sipas saj, në modë mbeten sytë e bardhë me një iris në ngjyrë gri, sytë me iris të përbërë nga vija të drejta apo të lakuara, madje kanë dalë së fundmi edhe lentet e kontaktit në përbërje të të cilave qëndrojnë flamujt e shumë shteteve, në varësi të origjinës së klientit. “Sa u përket rasteve të tjera, pushimet dhe martesat mbeten më të veçantat, ku femrat kërkojnë të ndryshojnë dhe bashkë me stilimin e flokëve dhe trukun e fytyrës, ndryshojnë edhe sytë, të paktën përkohësisht”,- thotë më tej punonjësja e optikës.
Festat e Maturës
Por edhe adoleshentët lënë kokën për të patur një palë sy në ngjyrë të bukur dhe ndryshe nga e zakonshmja. Optometristi, Elior Bilali tregon se kanë patur një fluks kërkesash të mëdha në muajin korrik, muaj kur adoleshentët përfunduan vitet e katërta për të realizuar edhe mbrëmjen e maturës. “Në muajin që shkoi ka patur një rritje të kërkesave për lentet e kontaktit me ngjyra, kjo shpjeguar me faktin se shumë adoleshentë kërkonin që në një nga ditët e tyre të shënuara të ndryshonin ngjyrën e syve. Mirëpo këto kërkesa nuk kanë ardhur vetëm nga të rinjtë që mbaruan Maturën Shtetërore dhe organizonin festën finale, por edhe nga adoleshentë të tjerë, të cilët organizonin mbrëmje të fundvitit”,- thekson optometristi Bilali. Rrëfyer nga ai, sërish ndër adoleshentët, femrat mbeten më të prirura për të ndryshuar ngjyrën e syve. “Femrat përgjithësisht kërkojnë ngjyra të çelëta si gri, bojëqielli, jeshile e hapur, kafe shumë e hapur, violë etj. Kjo, për shkak se këto lloj klientësh kanë sy në ngjyrë të errët dhe kërkojnë që të ndryshojnë”,- shprehet Bilali.
Një zë kundër...
Por opticieni dhe laboranti optik, Dritan Bajramaj është kundër përdorimit të lenteve të kontaktit. Jo vetëm se, sipas tij, përdorimi i syzeve që korrigjojnë shikimin është më i këshillueshëm, por përdorimi i lenteve të kontaktit mund të të krijojë infeksione të syve. “Eshtë e vështirë që të përdorësh lente kontakti në Shqipëri, për shkak të ndotjes së madhe me pluhur. Sidomos në kryeqytet situata është vërtet shumë problematike, ku pluhurat sidomos tek ata që përdorin lente kontakti mund të krijojnë infeksion të syze”,- thotë Bajramaj. Shpjeguar më tej nga ai, përdorimi i lenteve të kontaktit është i këshillueshëm në vende që nuk janë të ndotur nga pluhurat. Por optometristi Elior Bilali argumenton se përdorimi i lenteve të kontaktit në Shqipëri, e sidomos në Tiranë, nuk duhet të komentohet si shqetësues. “Nuk ka aspak rreziqe për infeksione të tilla, sepse këto infeksione mund të krijohen vetëm nga mungesa e higjienës personale. Madje përdorimi i lenteve të kontaktit mund ta mbrojë syrin nga depërtimi i pluhurave”,- thekson Bilali. Sipas tij, Tirana ka parametra të lartë të ndotjes së ajrit, por nga ana tjetër në të gjitha shtetet e botës rezultojnë parametra të caktuar të ndotjes së ajrit, e cila në asnjë mënyrë nuk është bërë pengesë për përdorimin e lenteve të kontaktit.
Lente kontakti, jo më syze
Sipas optometristit Elior Bilali ka një rritje të kërkesave edhe për lentet e kontaktit korrigjuese. Kjo, thënë nga ai, jo vetëm për të përmirësuar paraqitjen. “Shumë klientë, sidomos në raste të veçanta të jetës së tyre, si në martesa, festa të ndryshme, apo pushime kërkojnë të mos i mbajnë syzet korrigjuese të shikimit. Ata shtyhen më shumë për të kërkuar lente kontakti korrigjuese për të mos u dukur fare se kanë probleme të tilla me shikimin”,- thotë Bilali. Sipas tij, lentet e kontaktit korrigjuese nuk kryejnë vetëm këtë funksion. “Një klient që përdor lente të tilla, padyshim që nuk dallohet aspak, por ajo që është më pozitive në këtë rast, mbetet fakti se zgjerohet fusha e shikimit të klientit. Nëse syzet me lente korrigjuese përcaktojnë një fushë shikimi të caktuar, ku klienti nuk mund të shohë lart apo anash, me lente kontakti mund të shohësh në të gjitha drejtimet e mundshme sepse ato janë të puthitura me sytë”,- shpjegon optometristi Bilali.
-------------------------------Si të kujdesesh për lentet e tua të kontaktit
Elior Bilali
Optometrist
“Higjiena duhet të jetë absolute”
Edhe pse nuk ka ndonjë kufij të grupmoshave që mund të përdorin lente, logjika të çon tek sugjerimi që mund t’ju bëjmë të rinjve: Do të ishte mirë që lentet e kontaktit të përdoren pas moshës 16-vjeçare. Kjo për arsye se më të rriturit tregojnë më mirë kujdes sa i përket përdorimit të tyre dhe mirëmbajtjes. Përdorimi i lenteve të kontaktit, si ato korrigjuese me numra për shikimin, si edhe ato me ngjyra kërkon një kujdes shumë të veçantë dhe të përhershëm. Personi që mban lente kontakti duhet të mos ta ekzagjerojë me mbajtjen e lenteve. Nuk sugjerohet që këta persona, pas një dite intensive, edhe të flenë pa i hequr lentet e kontaktit. Këto lente duhet të hiqen çdo natë dhe të vendosen në kutinë e posaçme ku ndodhet edhe solucioni që i pastron, në rastet e lenteve të kontaktit mujore apo njëvjeçare. Kujdes të madh duhet treguar edhe me higjienën personale, sepse nuk duhet prekur asnjëherë lentja që përdor me duar të palara. Kjo mund të çojë edhe në infeksione të ndryshme të syrit. Si kur e vendos lenten në sy, ashtu edhe kur e heq duart duhet të jenë shumë higjienike. Njëkohësisht nuk duhet prekur syri gjatë ditës, për të mos e acaruar me kruajtjet që mund t’i bëhen atij. Sa u përket lenteve të kontaktit ditore, ato pas përdorimit njëditor nga çdokush duhet të hidhen duke mos u përdorur më, sepse edhe materiali përbërës është destinuar që të përdoren vetëm një ditë. Sa u përket lenteve të kontaktit korrigjuese, të cilat kryejnë funksionin e lenteve të syzeve, kujdesi duhet të jetë po i njëjtë, pasi edhe këto lloj lentesh kontakti, përbëhen nga i njëjti material që quhet hidroxhel, i cili mban në vetvete edhe korrigjimet e shikimit të çdo personi. Këto lloj lentesh kontakti mund ta ndihmojnë shumë personin që mban syze për t’u shfaqur me një pamje, nga e cila nuk e kupton aspak që ai mund të ketë probleme me shikimin.
-----------------------------Sa kushton look-u i ri ?
Të blesh lente kontakti me ngjyra, për të ndryshuar look-un, nuk kushton edhe aq shumë, duke marrë parasysh se këtë gjë e bëjnë ata që shpenzojnë për përmirësimin e pamjes së tyre fizike. Kështu për shembull, që të blesh 6 lente ditore, kushton 2500 lekë të reja, dy lente mujore, rreth 4500 lekë të reja dhe 1 lente njëvjeçare kushton rreth 14 mijë lekë të reja. Po të tilla janë edhe çmimet e lenteve të kontaktit, të cilat kryejnë funksionin e syzeve për të korrigjuar shikimin. Veçse, këtu shifra rritet pak më shumë edhe për shkak se funksioni nuk mbetet vetëm tek estetika por mbi të gjitha, tek pamja më e mirë e shikimit që i ofrohet përdoruesit. 6 lente kontakti korrigjuese që përdoren për tre muaj kushtojnë rreth 4500 lekë të reja, ndërkohë që një lente kontakti korrigjuese që mund të përdoret përgjatë një viti të tërë kushton nga 15 mijë, deri në 20 mijë lekë të reja.
Si dolën në dritë lentet e kontaktit
Lentja e parë e kontaktit është konceptuar dhe ideuar se si mund të funksionojë nga Leonardo da Vinçi, në vitin 1503. Më pas në vitet 1700-1800 u shpikën materialet e para të përshtatshme për syrin e njeriut. Kurse në vitin 1947 doli për herë të parë lentja e kontaktit e fortë, e cila u përgatit në një fabrikë amerikane të Pasluftës së Dytë Botërore. Ky ishte një lloj materiali, i marrë nga xhamat mbrojtës të avionëve të luftës dhe u eksperimentua për herë të parë tek disa pilotë. Duke qenë se rezultoi i suksesshëm, filloi në masë prodhimi i këtyre llojeve të lenteve. Por rreth 6 vjet më vonë, një shkencëtar çek zbuloi materialin e lenteve të kontaktit të buta. Ky material quhet hidroxhel, sepse në 62 deri në 65 për qind të tij, përbëhet nga uji. Nëse lentet e kontaktit të buta nuk janë të përshkrueshme nga oksigjeni, lentet e kontaktit të forta bëjnë dallim sepse ato përshkruhen nga oksigjeni. Përbërja në masën më të madhe të lentes së kontaktit nga uji, bën që kjo të përshtatet shumë lehtë me syrin, aq sa ndonjëherë përdoruesit harrojnë që kanë vendosur lente në sytë e tyre.
Çfarë është një lente kontakti
Lentja e kontaktit përbëhet nga Hidroxheli, një lëndë që kryesisht ka në përbërje ujë dhe që është e ngjashme me masën e silikonit që përdoret në operacionet plastike të rritjes së gjoksit te femrat, apo pjesëve të tjera të trupit. Si lentja e kontaktit korrigjuese e shikimit ashtu edhe ajo me ngjyra, kanë të njëjtën përbërje, atë të hidroxhelit. Por ku dallojnë këto dy lloj lentesh kontakti? Në rast se në lentet e kontaktit me ngjyra, vendosen materiale të tilla për ndryshimin e ngjyrës së syve të një personi, në ato korrigjuese qëllimi drejtohet për nga korrigjimi i mundësisë pamore të personit, i cili mban syze për të patur mundësi shikimi më të mirë. Lentet e kontaktit korrigjuese mund të mbajnë nga të gjitha numrat e lenteve të syzeve që përdor një pacient, por që në këtë rast, kërkon t’i zëvendësojë me “syzet e padukshme”.
------------------------------------------Jam një prind dhe shqetësohem për djalin 5-vjeçar se ka mungesë të testeve. A ka mjekim dhe a është problem shqetësues?
Andrologu Evi Dani
Kiptokirdia është një ndër patologjitë e shpeshta tek meshkujt. Na vjen keq kur shohim që meshkujt të moshës madhore të vijnë me një patologj të tillë. Kiptokirdia nuk është gjë tjetër vetëm mungesa e pranisë apo e zbritjes së testeve në skrotull.
Të dy testet (në gjuhën popullore: “koqet” (shën.red.) gjenden në barkun e fëmijës që kur ndodhet në barkun e nënës. Në muajin e 6-të apo të nëntë këto 2 teste zbresin nga pjesa abdominale e barkut të fëmijës në drejtim të kanalit urinal dhe përfundojnë në skrotull.
Rreth 1 për qind e fëmijëve mund të kenë shansin që të kenë mungesën e një testi apo të dy testeve i cili mund të jetë në projeksionin e rrugëve të tij. Shkaqet për këtë patologji janë të shumta por mendohet se janë hormonale.
Patologjia është problematike për arsye të moszbritjes së testeve në vendin e duhur dhe bëhet shkak që këta meshkuj të kenë probleme e tyre madhore në moshën e rritur dhe është ky kontigjent meshkujsh që zë vendin e dytë si shkaktar për infertilitetin.
Sot e kësaj dite të vjen keq që një patologji e tillë që është shumë e diagnostikueshme ne konstatojmë persona të tillë në mosha madhore, ndërkohë që mund të ishte kapur shumë më herët. Këtu ka një defekt për arsye se, në radhë të parë, personeli mjekësor i konsultorit të gruas ka një influencë shumë të madhe dhe mund të jetë barriera kryesore për diagnostikimin e kësaj patologjie.
Konsultori i gruas punon pasi merret me mirërritjen e fëmijës por shpeshherë vet konstatimi i mungesës së testeve te fëmijë është defekti tek vetë mjekët. Nëse do të ishte kujdesur konsultoret, në këtë rast, do të themi se nuk do ta kishim kiptokidisë në moshë të madhe. Mjeku i kësaj sëmundje ka shumë rëndësi nën moshën 5 vjeç. Sa më shpejt, aq më mirë, është e mundshme të kurohet kjo patologji pa pasojat e veta.
Nëse kjo do të kishte konstatim pas kësaj moshe apo mjekim pas kësaj moshe ndoshta nuk do të kishte mundësi riparimi të saj, për arsye se qelizat e testit janë të dëmtuar tashmë dhe ato nuk mund të rikuperohen apo riaftësohen përsëri pra është faktori i moshës.
Mjekimi është shumë i thjeshtë është hormonal kryesisht me injeksione të cilat ndikojnë për uljen e testit në skrotull dhe në pamundësi për t’ia arritur këtij qëllimi është në fund të fundit një ndërhyrje operatore, që edhe kjo është e thjeshtë. Operacioni bëhet tek fëmija brenda 2 ose 3 orëve dhe mund të kthehet në shtëpi brenda ditës. Është e këshillueshme që defekti të kapet sa më shpejt e jo kur personi shkon deri në moshën e adoleshencës.