E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arjan Beqaj kërkon pikë përballë Interit

Surpriza e këtij sezoni në Ligën e Kampionëve, Anorthosis, nga Qipro, sot do të përballet me Interin, kampione e Italisë, në stadiumin "Xhuzepe Meaca". Kjo është sfida e tretë në Grupin B, që kryesohet nga zikaltërit e Murinjos dhe kampionët qipriot, me 4 pikë të grumbulluara pas dy ndeshjeve të para. Portieri i Kombëtares shqiptare, Arian Beqaj, e cilëson si tejet të vështirë këtë përballje, por shpreson se skuadra e tij do të arrijë të marrë një rezultat pozitiv përballë yjeve të drejtuar nga trajneri Hoze Murinjo. "Të gjithë e njohin Interin dhe se çfarë skuadre janë ata. Ky klub është favoriti kryesor jo vetëm në këtë ndeshje dhe në grup, por ata janë mes kandidatëve për fitimin e trofeut. Sidoqoftë, ne do të luftojmë dhe do të japim më të mirën në fushën e lojës", deklaroi, Beqaj për kosovaren "Express".

Kjo ndeshje do të vejë sërish përballë "gardianit" kuqezi, lojtarin më të mirë të Interit, suedezin Zlatan Ibrahimoviç. Gjatë muajit të kaluar, ata kishin luajtur kundër njëri-tjetrit në "Qemal Stafa", në Shqipëri-Suedi, të mbyllur në barazim pa gola, sfidë e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2010. "Ibrahimoviç është një sulmues i madh, i vlerësuar në të gjithë botën, si një prej lojtarëve më të mirë të momentit, megjithatë do të mundohem që sërish mos të pësoj gol", shtoi portieri, i cili po kalon momentin më të mirë të karrierës si profesionist.

Pas dy ndeshjeve të para, Anorthosis Famagusta, ende nuk e ka njohur humbjen në aktivitetin më prestigjioz për klube në kontinent. Ndërsa Beqaj, në 180 minuta të luajtura ka pësuar vetëm një gol, duke u shndërruar në heroin e padiskutueshëm të klubit modest. Në takimin e parë, qipriotët barazuan 0-0 në mënyrë surprizë në fushën e Verder Bremenit, ndërsa më pas ata fituan 3-1 në shtëpi, përballë grekëve të Panathinaikosit.

Bazel - Sot në fushën e lojës, përveç Arjan Beqajt dhe Lorik Canës do të jenë edhe tre futbollistë të tjerë shqiptarë. Jurgen Gjasula, Beg Fehrati dhe Orhan Mustafi, të cilët aktivizohen me Bazelin, kampione të Zvicrës. Klubi helvetik do të përballet me gjigantin spanjoll, Barcelona, e cila është një prej skuadrave më në formë për momentin në Evropë. Në këtë sfidë, ekipi i drejtuar nga trajneri Pep Guardiola synon të arrijë fitoren e tretë radhazi në Champions, që do t‘i siguronte vazhdim e qetë të garës. Ndërsa në krahun tjetër, nga kjo përballje skuadra e treshes shqiptare do të kërkoj me çdo kusht të marrë një rezultat pozitiv. Në fakt, Bazeli renditet në vendin e fundit në Grupin C, me 0 pikë pas dy takimeve të para dhe humbja mund të përkthehet si lamtumirë nga Liga e Kampionëve, por edhe nga gara për të qenë të paktën në Kupën UEFA (ku do të luajnë skuadrat, të cilat renditen në vendin e tretë në grupe).



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›