E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gabo, "gjenerali" s‘ka dëshirë të shkruajë

Shumë vjet më vonë, përpara mbretërve, presidentëve, kryeministrave, shkrimtarëve dhe artistëve nga e gjithë bota, të mbledhur në Kartagjenë për të festuar ditëlindjen e tij të 80-të, fituesi i çmimit "Nobel" për letërsinë, Gabriel Garsia Markez, kujtoi atë pasdite të largët, kur ai dhe bashkëshortja e tij, Mercedes, çuan materialin e daktilografuar të librit "100 vjet vetmi" në zyrën postare të qytetit të Meksikës, për t‘ia dërguar një shtëpie botuese në Buenos Aires. Ishte gushti i vitit 1966. Materiali, që ishte shtypur me makinë shkrimi, kishte plot 490 faqe. Ai kujton se si punëtori i postës i tha: "Kushton 82 pesos, zotëri". Mercedes filloi të gërmonte në çantën ku kishte vetëm 50 pesos, me të cilat mund të dërgoje veç gjysmën e librit. Atëherë, Garsia Markezi i tha punëtorit të postës që t‘i hiqte disa fletë të shkruara dhe ta reduktonte librin deri në atë pikë sa të mjaftonin 50 pesos. Pastaj, të dy u kthyen në shtëpi dhe ditën tjetër lanë peng një sobë elektrike, telefonin, një fshesë me korrent dhe u kthyen në zyrën e postës, ku postuan faqet që u kishin ngelur pa dërguar. Ndërsa dilnin nga posta, Mercedesi u ndal dhe i tha të shoqit: "Eh, Gabo, tani na mungon vetëm fakti që libri të mos vlejë fare".

Ishte 26 marsi i vitit 2007, kur Mercedesi e kujtoi publikisht atë ngjarje në ceremoninë për 80-vjetorin e tij të lindjes, ku mes njerëzve të pranishëm në publik ishte edhe Bill Klinton, mbreti i Spanjës Huan Karlos, 5 presidentët e Kolumbisë dhe shumë VIP-a të tjerë. Mes tyre gjendej edhe Gerald Martin, docenti anglez i letërsisë hispano-amerikane, që po shkruan biografinë e tij. "E di, Gabo, shumë njerëz kishin lot nëpër sy", i tha në fund të evenimentit. "Edhe unë qaja, vetëm se e mbaja brenda vetes", iu përgjigj Markezi. "Nuk do ta harroj kurrë këtë ditë", përfundoi Martin. "Ishte mirë që ti të ishe, ishte replika e tij. Sepse kështu mund t‘u them të gjithëve se nuk e kemi shpikur vetë". Tani biografia ka përfunduar. "Gabriel Garsia Marquez, a life" do të dalë në Britaninë e Madhe dhe SHBA në 10 nëntor, pastaj do të publikohet në dhjetëra gjuhë anembanë botës. 20 vjet punë, 300 intervista dhe tridhjetë takime me Markezin për të nxjerrë në dritë atë që ai e quan "biografia zyrtare". Disa vjet më parë ishte botuar vëllimi i parë i kujtimeve të shkruara nga Markezi nën titullin "të jetosh për të treguar", ku rrëfen për vitet e tij të rinisë. Por, ajo vepër, i pati treguar Gaboja Martinit, nuk do të përfundohet kurrë. "Nuk jam i sigurt nëse do të vazhdoj të shkruaj akoma diçka", i tregon i lodhur paksa nga vitet dhe beteja e gjatë me kancerin. "Kam shkruar mjaft. A nuk është kështu? Njerëzit nuk mund të presin më gjë nga unë". Megjithatë, ai i Martinit është versioni përfundimtar i jetës së një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohërave tona, ose më mirë shkrimtarit më të madh. Për të, aty mund të gjesh gjithçka: që nga fëmijëria në Arakataka e deri te "realizmi magjik" i historive të tij. Takimi i parë me Mercedesin, gruan e ardhshme, që kur ishte vetëm një fëmijë nëntëvjeçar. Më pas gazetaria, pasioni i pëlqyer dhe braktisja e tij në fund, pastaj pasioni i zjarrtë për letërsinë. "Dreq, ky shkruan njëlloj siç fliste gjyshja ime", u entuziazmua teksa lexonte "Metamorfozën" e Kafkës. Ndërsa për Virxhia Woolf, në një letër drejtuar një mikut të tij, shkruante: "Nëse Virxhia nuk të pëlqen, vafsh në djall". Pastaj me radhë kujtimet më të bukura nga kryeqytetet e botës: Roma, vendi që ka vizituar për herë të parë dhe qëndrimi në një hotel në rrugën "Nazionale", ku ndjente "erën e urinës së maceve të Koloseut". Pastaj të tjera mendime mes të cilave edhe ato kur mbi një motor të vogël "Vespa", të marrë me qira, shëtiste rrugëve për të parë prostitutat jashtëzakonisht të bukura në vilën "Borghese". Pastaj Parisi, qyteti ku pati një histori dashurie të zjarrtë me spanjollen Tachia Quintana, e cila ngeli shtatzënë, abortoi dhe e braktisi; aty ku është aq i varfër sa për të jetuar bën zhigolonë me një zonjë të moshuar, së cilës i thërriste "La Puppa" dhe ku një ditë pa në rrugë mitin e tij, Ernest Heminguej. I thirri nga larg, "Maestro", ndërsa ai iu përgjigj: "Adios amigos". Më vonë, takimi me Fidel Kastron, pjata e preferuar e të cilit janë makaronat, "që i gatuan vetë në mënyrë të mrekullueshme"; fillimin e një pasioni politik dhe një miqësie të gjatë dhe të thellë me të. Librat e tij të parë, kur një ditë në makinë me Mercedesin dhe fëmijët- kur ishin nisur drejt Akapulkos -nga hiçi i erdhën në mendje fjalët e para të një romani, të qarta sikur dikush i kishte thënë me gojë: "Shumë vjet më vonë, përballë skuadrës së ekzekutimit, koloneli Aureliano Buendia do të kujtohej për atë pasdite të shkuar, kur i ati e kishte detyruar ‘të njihte‘ të ftohtin". Ktheu makinën, mori rrugën e kthimit për në Meksiko dhe pastaj shkroi pa pushim për 18 muaj me radhë veprën nga e cila do të vinte triumfi botëror. Bëhej fjalë për "100 vjet vetmi". Vend të veçantë në autobiografi zë edhe takimi me Mario Vargas Llosa-n, shkrimtarin nga Peruja, që është edhe miku i tij më i mirë. Ai tregon se si Vargas Llosa u shndërrua në një rival letrar dhe një politikan antagonist, dhe shpjegon me detaje edhe prishjen e marrëdhënieve mes të dyve. Ngjarja ndodhi para fillimit të një filmi në qytetin e Meksikos: "Vëlla", i thirri Markezi teksa e pa nga larg, ndërsa Vargas Llosa e gjuajti me grusht, duke i thënë: "Kjo është për atë që sapo the". Në fakt, Gabo kishte pasur një marrëdhënie me gruan e tij, Patrisian, të cilën e kishte ngushëlluar pas një zënke të ashpër bashkëshortore. Autobiografia vazhdon me episode të tjera, si dehja me uiski në Panama, takimi me Kryeministrin spanjoll Felipe Gonzalez dhe liderin panamez, Torrijos, i cili, kur shpërtheu një stuhi, shkoi e u shtri me Markezin në bar, si dy fëmijë të vegjël. Nuk mund të harrohen kujtimet e "Nobel"-it. Gabo u zgjua në Stokholm, në mes të natës, duke menduar se ishte duke fjetur në të njëjtin krevat ku kishin fjetur më parë fituesit e këtij çmimi si: Kipling, Tomas Men, Neruda, Faulkner. Shkoi dhe u ul në divan. Në fund, darka në Havanë, me bazë havjarin, që Kastro e kishte sjellë posaçërisht për të nga Moska, ndërsa Graham Greene u tregonte të dyve eksperimentin e tij me roletën ruse. E kështu, fjalë pas fjale, rresht pas rreshti, pjesë nga jeta dhe letërsia, derisa në faqen dhe bisedën e fundit të bërë me Martinin...: "E di që ndonjëherë ndihem depresiv"? "Po si ka mundësi Gabo? Me gjithë këtë që ke arritur, nuk është e mundur. Përse?", i përgjigjet Martin. Ai bën një shenjë drejt njerëzve pafund që e rrethojnë dhe thotë: "Sepse e kam kuptuar që e gjithë kjo po më çon drejt fundit".

Librat

"100 vjet vetmi"

Është botuar në vitin 1967, në spanjisht, e më pas në shumë gjuhë të tjera. Konsiderohet si kryevepra e Markezit, ku fantazia ndërthuret me historinë e realitetet, deri atëherë të panjohura e të frikshme të botës latine. Është historia e një familjeje në disa brezni, një rrëfim magjik, që i dha emrin dhe shijen një epoke të re në gjithë letërsinë e jugut të Amerikës. Kjo vepër shënon kulmin e të ashtuquajturit realizmi magjik.

"Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar"

Është botuar në vitin 1981 dhe është një ndër romanet më të njohur të Markezit. Libri trajton çështjen e Santiago Nasar, i akuzuar se i kishte marrë nderin Angela Vicario-s, që vritet nga vëllezërit e saj mëngjesin pas dasme. Edhe pse është një nga romanet më të shkurtër të tij, ngjarjet ndërthuren jashtëzakonisht bukur.

"Vjeshta e patriarkut"

Është botuar në vitin 1975 dhe trajton temën e një gjenerali-diktator në një shtet të Karaibeve, me një stil të veçantë të shkruari për atë kohë. Tematika e romanit tregon se ushtrimi i pushtetit të çon drejt një jete pa raporte të vërteta njerëzore dhe gramatikisht të vetmuar. Romani paraqitet si një denoncim real i situatës së trazuar politike të Amerikës Latine, që karakterizohej nga grushte shteti dhe regjime të bazuara në paternalizëm dhe kultin e personalitetit. Është një nga veprat më komplekse të krijimtarisë së tij, një metaforë e gjerë mbi vetminë e mjerimin, si pasojë e pasurimit.

"Historia e një rrëmbimi"

Është botuar në vitin 1996 dhe ndërton me kujdes çështjen e rrëmbimeve të bëra në Kolumbi nga trafikantët e drogës mes gushtit të vitit 1999 dhe korrikut të vitit pasardhës.

"Dashuri në kohën e kolerës"

Për 51 vjet, 9 muaj dhe katër ditë, Fiorentino Ariza këmbënguli për dashurinë e tij nga Fermina Dasa, vajza më e bukur e Karaibeve, pa u shtangur para asgjëje dhe duke u rezistuar kërcënimeve të babait të saj. Ai nuk e humbi shpresën as kur Fermina u martua me doktor Urbinon.

Suksesi botëror

Markez, në kohën kur doli libri i tij, "100 vjet vetmi". Markez tani është 81 vjeç dhe ka fituar çmimin "Nobel" për letërsinë në vitin 1982

Letërsia

Pasi lexova "Metamorfozën" e Kafkës, thashë me vete: "Dreq, ky shkruaka siç fliste gjyshja ime"

Gabriel Garsia Markez

"Nobel"

Më 1982 u vlerësua me çmimin "Nobel" për letërsinë. Më 2002 publikoi vëllimin e parë të "Vivir para contarla" ("Të jetosh për të treguar"), ndërsa dy vjet më pas veprën e tij të fundit, të paktën deri tani, "Kujtim kurvash të trishta". Aktualisht, Gabriel García Márquez jeton në Mexico Disctricto Federal, në Meksikë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›