Arjan Leka; Ka më shumë frikë se jetë!
Poeti Arjan Leka për herë të parë vihet përballë detit. Jo si frymë romantike, për grinë a bukurinë e verës - por si ekzistencë, thellësi, si perceptim filozofik, si sfidë vargjesh klasike, si gjuhë dhe intelekt. Në librin e ri me poezi “Libër deti” është mundësia për ta parë jetën në një lundrim mohues të saj. Por poeti ka ndjeshmërinë e ftohtë për ta kaluar këtë në një ndërgjegje njerëzore, ç’ngjet me një psikologji krejt të panatyrshme nga rrjedha dhe frika e kohës. Arjan Leka, në një bisedë sa poetike dhe tempimi historik se kush jemi ne, çfarë i takon njeriut, dhe shkrimtarit në një botë ku: “Zoti shpëton dhe ata që kanë më shumë frikë se jet녔
Këtë javë keni hedhur në treg poezinë e re në “Libër deti”. Për këtë është e natyrshme t’ju pyesim si erdhi ky libër, pse “libër deti”, pse tani në dimër, pse jo në verë, pse strukturë stinësh, pse një dedikim femëror, siç ju i bëni gruas suaj, Silvanës? Pra, “kush” është ky libër?
Shumë pse për një sepse të vetme. As para meje, as me mua dhe as pas meje detit nuk ka i ka munguar dhe nuk do t’i mungojë gjë, sikundër asgjëje që ekziston nuk i mungon gjë prej gjëje. Unë besoj se edhe krijesa më e thjeshtë dhe e papërfillshme, ajo më e thjeshta fare, amebë apo atom qoftë, është e vetëmjaftueshme, e ndërlikuar në vetvete dhe e plotë, ndaj dhe ky libër deti nuk ka ardhur si një libër mungese, as si libër domosdoshmërie, si estetikë imediate, jo se jo. Përmendët “...hedhur në treg...” Pikëshit ashtu, siç ne njerëzit jemi të hedhur në ekzistencën tonë, edhe ky libër është i hedhur jetën e tij prej libri, madje për kohën në të cilën jetojmë, përfytyrimi nuk shkon shumë më larg se ai është hedhur pak a shumë njëlloj si ajo që u hidhej shikuesve në kohërat me gladiatorë. Mua po, më kish munguar ky libër deti, një libër krejtësisht për detin, pavarësisht faktit se edhe librat paraardhës, “Anija e gjumit”, “Strabizëm” apo edhe romani “Gjarpri i shtëpisë”, deti dhe detari kanë qenë të pranishëm. Mendja që shpesh nuk rron dot pa dualizëm, kërkon të gjejë tek titulli vargje metonimikë e eglendisje të llojit: “Përderisa ka breshkë deti, dallëndyshe deti, ujë deti, gështenjë deti, ujk deti, fik deti, peshk deti e shumë e shumë të tjera si këto, përse të mungojë në katalog edhe një libër deti?” Për mua arsyeja shkon përtej kërshërisë e që zbulohet me leximin.
Pse në dimër? Ja edhe një tabu dhe klishe tjetër e përfytyrimit. Përfytyrimi se deti është verë, është ai, i miri, i bukuri, i dashuri, i krehuri e i lëpiri... Kjo është kartolina llustrafine e detit, jo deti vetë. Është poetizimi, jo poezia. Vetë fjala është, ndien pasigurinë më të madhe mes fjalëve. Sapo ti thua është kjo, është ndryshon dhe gjithçka kthehet në mund të jetë, mundësi që secili të ofrojë versionin e tij të pamjes.
Krijimi i strukturës së muajve dhe stinëve ishte mjeti që më ndihmoi edhe mua, si jo pak të tjerë, të derdhja në forma të ndryshme lëndën e një perpetuumi që ikën dhe rikthehet përjetësisht si ujërat që na rrethojnë nga të gjitha drejtimet.
Dedikimi, kushtimi apo taksja e librit për një njeri të dashur për mua lidhet me atë që unë besoj dhe përpiqem ta përdor mirë me sa mundem: “Dhuro atë që të është dhuruar”. Pa pozë, siç këmbejmë të përditshmen tonë, kam bërë të njëjtën gjë edhe me librin. E kam ndier se “Libër deti” i përket asaj si taksje dhe kushtimi u bë i tillë. E fundit. Përdorët “kush” për detin dhe më pëlqen që e përfillët si njeri të gjallë. Është një libër për detin, pra siç tashmë është thënë, për ata që i ndenjën përballë dhe ata që i kthyen shpinën, ata që e njohën dhe ata që e shpërfillën, ata që e njohën nga larg dhe ata që i prekën fundin, detin si ujë dhe një nga simbolet nga më me ndikim tek njeriu.
Kujtojmë se ju keni thënë se “Strabizmin” e keni shkruar me “pretekst” për t’u shkëputur nga tradita, në kërkim të poezisë “vëngërt ndaj kujt?”, si arsyeja për ta parë ndryshe nga libri “Anija e gjumit”. A mund të thoni çfarë jua ka bërë të vështirë krijimet e fundit tek “Libri i detit”?
Autenticiteti është besimi im për artet, ai mbetet “gjëja” që duhet fituar, por në një luftë pa të mundur, viktima, të fyer a të poshtëruar. Një konkurrim në estetikë, me durimin dhe mençurinë e kërmillit që kur ndjen murin i shmanget, por jo nga frika, njëlloj siç shkrimtari shmang të ngjashmen, të njohurën, të sigurtën e estetikës së kalcifikuar, ngulitur e çelikosur në brezni prej bekimit të katedrave, bekuar nga kritikë që dinë të dallojnë fare mirë fjalën cezurë nga censurë, nga turmat e kulturuara, nga shoqëri ku edukimi i mesëm është detyrim, ku mbikualifkimi i homo universitas vjen shoqëruar me gromësima ngopjeje e përgjumje shqisash dhe ku rreziku i përsëritjes së stampës dhe klishesë përfillet si konsolidim dhe jo si monotoni, siç është në të vërtetë, lëngatë dhe dreqosje e asaj që njeriu ka më të shenjtën (le të themi, meqë këtë fjalë njohim si një cak) - krijimin artistik. Është i njohur fakti se natyra nuk kujdeset fort për racën në tërësi. Asaj i mjafton një qenie, unikja në lloj. Le të përfytyrojmë sa e madhe duhej të kish qenë varka e Noes sikur të mos i thuhej të merrte në të vetëm nga një çift për çdo krijesë të pastër, por t’i bënte vend të gjitha llojeve dhe racave. Pa dyshim sa vetë toka do kish qenë. E nëse racë është arti, bashkë me artistin, vepra e artit mbetet të jetë qenia, autentikja, e papërsëritshmja, përherë minorancë, e rrezikuar, shpjeguese dhe dëshmuese për gjithë llojin e vet. Por shkalla e lartë e alfabetizmit të sotëm ka ndikuar edhe për mirë. Një nga të mirat e pamohueshme është fakti se paradoksalisht, falë dëgjimit e jo leximit, e shkruara bukur të bëhet gati si një akt normativ. Kjo kategori pra, “e bukura në shkrim”, nuk njihet dhe nuk përfillet më, përveç rasteve kur shërben si humus për të tjerë dhe si palestër për vetë shkrimtarin. Vetëm “shumë e bukura” mund të mbijetojë e t’i bëjë ballë një bote kaq në ndryshim, ku përvojat e kanë gati të pamundur të përcillen nga brezi në brez. Gjetja e kësaj hapësire të zbrazët, vetëm për ty, e asaj “dhome më vete” siç dëshironte Virginia Woolf, gjetja jo e të ngjashmëve, por e të pangjashmëve të tu, kjo është një nga vështirësitë, që jo domosdoshmërisht lidhet me “Libër deti”.
Ky libër është një monolog, një lloj procesi që ngjan me njohjen e njeriut, kuptimin e tij në jetë. Çfarë e bën komplekse këtë bisedë, sidomos për ne shqiptarët që nuk jemi mësuar të “flasim me veten”?
Përkundrazi, unë mendoj se ne, shqiptarët, kemi folur kryesisht me veten. Madje, edhe atëherë kur duket se dialogojmë, për shkak të mungesës së përvojës dhe rasteve të ushtrimit, ne e shndërrojmë dialogun në hibridin - monolog të dialoguar. Jemi ne që kemi ngritur në kult proverbin “heshtja është flori” si përligjje e kompromisit për të mbërritur pastaj tek “thuaj derrit dajë” si emërtim i nocioneve gabim. Po nuk është ky rasti ideal për të bërë të tilla përsiatje. Bisedën me veten a me vetveten unë e përfill si një nga aktet e larta të intelektit dhe intimitetit krijues. Le të anashkalojmë faktin se në letërsi janë monologët dhe jo dialogët faqet më të shkëlqyera. Kujtojmë Eskilin, Danten, Shekspirin, Servantesin, Heminguejin, Xhojsin, Prustin dhe të gjithë poetët që nderojnë si mbret monologun dhe jo dialogun, gjer në skajin ku e dërgoi Beketi me monologun e tij 30-sekondësh tek “Frymëmarrja”. “Tjetri” brenda vetes - vetvetja pra, ka jo vetëm të drejtën e të jetuarit e të të mbajturit gjallë, por ai edhe duhet ushqyer, me copërat më të zgjedhura, madje të mishit tënd, të indit tënd, të identitetit tënd, të mendjes, shpirtit dhe ndjesive. Tjetri brenda vetes, ai është kundërshtari, “armiku i dashur” që nuk duhet vrarë e për shkak të së cilit ne jetojmë dhe gjejmë motiv për të jetuar.
Ndonëse në libër ka, dhe jo pak për një libër poetik, raste të përdorimit të dialogut si mjet artistik, si për shembull kuvendimi i 4 vëllezërve detarë në faqen 66, pa përmendur I, IX tek marsi, IV, XI tek shkurti e të tjera, gjithsesi “Libër deti” mbetet një monolog i thyer, ku dëgjohen zëra, herë të qartë e herë të mbytur, hije si pjesa më e qashtër, intuitive dhe “e pazbutur” e qenies. Është një monolog i hapur gjithashtu ndaj asaj që unë nuk njoh dhe i qasem jo për të mësuar, por për të kuptuar. Biseda është e vështirë, pasi edhe pse të bërë nga e njëjta materie, ne kemi jetë të ndryshme e të detyruar të gjejmë gjuhën të bashkëjetojmë në një zinxhir të pafundmë vartësish si ajo e hënës ndaj baticës, e baticës ndaj detit e detit ndaj njeriut qe peshkon dhe sheh ëndrra.
Me këtë libër nuk kemi të bëjmë aspak me fantazi romantike, thurja idilike për të bukurën, grinë, a blunë është thuajse e përjashtuar apo e përdorur ironikisht, por teksti përmban edhe një përkim filozofik me përcaktimin që Niçja i ka bërë Mbinjeriut, e perifrazuar se është një det që pret gjithë lumenjtë. Për ju çfarë dimensioni merr ky libër në këtë sfidë të mbijetesës?
Niçja, i keqkuptuari që shprehu mbinjeriun e që nga ana tjetër shpallte se e mbinatyrshmja qe zhdukur qyshkur Zoti u bë i vdekshëm… Por ai përmendte gjithashtu sëmundjen e detit, deti ynë dhe det i hapët. Deti është marrëdhënia. Ai nuk është as nën ne, as mbi ne, ai është kuota zero prej nga fillon numërimi për lart a për thellë. Deti është në mes. Pengesë dhe mundësi njëherësh. Mik dhe ndëshkues. I pabesë dhe krijues mitologjish. Bujar për gjallesat që na fal si ushqim dhe i babëzitur, i limaksur për flijime toke kuaj, buaj, vaj ulliri, baba monstrash të përbindshëm dhe krijues i delikatesave të tilla sa hyjnesha Afërditë prej shkumës, vis ku Zoti dhe njeriu takojnë vullnetet, hamall i botës për të mirë e për të keq. Lumenjtë janë të ëmbël. Edhe njeriu prej natyre është i ëmbël. Vetëm detit i mbetet të jetë i kripuri, por jo i vetëm. Bashkë me atë pjesë që përmes lotëve dhe djersës ka lënë në trupin tonë si për të na kujtuar besëlidhjen e vjetër mes nesh të cilën nuk e mbajmë mend, por që na thotë se mbase dikur kemi qenë më të lidhur me njëri-tjetrin.
Kam shkruar në këtë libër për një tip njeriu - njeriun e detit, pa retorikë dhe për punët dhe zanatet e rënda e të rëndomta që nga kallafatimi me katran, gjer te qërimi i peshkut, tërheqja e tratave, gdhendja e trarëve, mendja e lehtë, gjumi i vapës, hamallëku nga hambarët në kuverta, kontrabanda, ndjesia e komandimit dhe mjeshtëria e dhënies së urdhrave të drejtë, prostitucioni i porteve e jetë njerëzish të pagjykueshëm në atë që bëjnë përderisa vivere necesse est.
Këta janë lumenjtë për të cilët ju kujtuat Niçen dhe mbinjeriun? Për mua këta janë njerëz në jetë e në punë të vet.
Thënia latine që e përdorni në fjalët hyrëse të këtij libri se lundrimi është i rëndësishëm, jo jeta - thjesht çfarë na sugjeron?
Asgjë më shumë e asgjë më pak se vetë ajo thënie. Duhet të ketë qenë bërthamë e fortë, e patretshme, përderisa edhe sot ajo përdoret dhe jeton ndër ata që lundrojnë me det të hapur dhe ata që lundrojnë me mend: Navigare necesse est... Formalisht është e ngulitur edhe në kujtesën e gjuhës, pasi thuajse gjithçka lundron, duke filluar nga hëna dhe retë në qiell e deri tek lundrimi në internetin e sotëm, për t’u kthyer pas tek lundrimi për në botën e errët të Karontit. Lundrimi del se ka qenë më i rëndësishëm se vetë jeta. Jo thjesht njeriu, por vepra e tij ka lundruar për t’u mbjellë në popuj të tjerë. Popujt me det, popujt lundrues pra, janë konsideruar përherë si më me fat dhe më me zhvillim dhe kjo falë atyre kokëshkretëve që ishin të gëzuar për Navigare necesse est… E kështu pra, mbi dërrasa anijesh, në rrema, në vela, në hambarë të fëlliqur e mbi fytyra njerëzish jo rrallë të panjerëzishëm lundruan qytetërimet, kulturat, besimet, luftërat, paqet e shkurtra, artet, gjuhët, kështu lundruan shkrimi, numrat, mëndafshi, erëzat, gjeometria, letra, mendimi preciz, teknologjia. Navigare necesse est… Rreziku dhe ndjesia e bukur e të rrezikuarit, gatishmëria për të hedhur në erë gjithçka, pjesë të sigurta, në emër të kërkimit, pakënaqësisë, etjes për më tej. Gjithmonë diku është diçka tjetër më e bukur se jona, më e mirë se ajo që kemi, një sfidë që duhet përballuar dhe kjo bëhet me “të pakënaqurit” dhe “kokëshkretët”, “të paemërtit” e Navigare necesse est...
Ju haheni në sfidë me detin përmes gjuhës. Keni përdorur hekzametrin, është përmbushje gjuhësore kjo apo, duke na kujtuar vargjet e Homerit apo Horacit të përkthyer nga Nikollë Dakaj, kërkoni gjallimin e saj?
Në libër gjen të përdorura përvoja të formave poetike të hapura e të mbyllura, të lira apo klasike tanimë, për sa u përket teknikave të vargëzimit. Të krijohet një ndjesi loje dhe disiplinë ushtrimi mbi të cilën ushtrohesh. Njeriu i këtij zanati del çdo ditë në punishten e tij, jo me këmbënguljen se përditë do prodhojë a përfundojë diçka. Kam përdorur apo kam bërë disa sprova të hapura, herë të kombinuara me nisje strukturë soneti, vazhdim me 12-rrokësh me rima të alternuara dhe me përfundim varg i lirë. Më shumë se hekzametra mirëfilli kanë qenë rregullime të metrit të vargut për të theksuar më shumë elementin e ritmit mbi rimat e brendshme e të fshehura. Nuk ka qenë qëllim, por nderim për zejtarin dhe zejen së cilës i përkas, ku ndër ta pa dyshim zënë vend nderi edhe tekstet e përkthyera herët e të njohura vonë, për fatin tonë të keq, prej Nikollë Dakajt.
Shqipëria kufirin perëndimor pothuaj e ka të gjithin bregdet. Poezia juaj ka trishtim për “viset me det”, duke iu drejtuar të përkohshmëve, të ardhurve dhe të vetëve, që rreh të meditojë, pse prapë njeriu mërzitet… Cili është, pra sensi i ndjeshmërisë që doni të ndani? Duket sikur merr mishërim braktisja apo jo?
Megjithëse shkaqet dihen dhe shfajësimet përligjin, mbetet brenga për praninë e rralluar të detit si kulturë e thellë e të jetuarit me detin, për detin, pranë detit, prej detit. Nuk është fjala se deti mungon krejtësisht apo nuk përmendet, por në tekste dhe në mënyrën e të jetuarit, deti ndihet si i munguari i madh që na rri përballë si vuv. Gati-gati duket se emërtesa det përdoret si eufemizëm në vend të diçkaje tjetër së cilës nuk ia dimë tamam emrin, gati si një përemër i pacaktuar apo si eufemizëm nuk duam t’ia zëmë emrin në gojë. Përdorimi i “të përkohshmit, të ardhurit, të vetët”, si edhe disa pjesëza të tjera, janë marrë nga statuti i Durrësit dhe janë përdorur si teknika fragmenti, duke dhënë thjesht atë shije cope për të përfytyruar mungesën e për të modeluar një botë sipas asaj që kjo botë trashëgon.
Ju keni një “fjalor” për detin - pse e patë të arsyeshme të na rijepni konceptin e detit? Çfarë mendoni se ka humbur nga perceptimi ynë për detin, më gjerë për sendet dhe natyrën që na rrethon?
Me sa duket, çdo gjë zhduket. Sado që librat bëjnë punën e tyre për të ngulitur kujtesën, nga ana tjetër edhe harresa përdor instrumente të koklavitura dhe të efektshme për të shpëtuar nga barra thuajse e pambajtshme e kujtesës. Harresa është si një lloj vetëhigjene që njeriut i ndodh pavetëdijshëm. Harresa është e pamëshirshme, hakmarrëse, zot më vete. Ajo bluan emra, fytyra, gjeste, biseda, gllabëron njerëz bashkë me historitë e tyre. Është një plojë pa klithma. Ky paskësh qenë si një ligj i përgjithshëm. Le të kujtojmë nëmën: “T’u harroftë emri!” Nuk dimë nëse edhe sendet krijuar nga njeriu sillen po kështu me njerëzit, zotërit e tyre, nëse na harrojnë edhe sendet pra. Por, kur kjo ndodh me të gjithë e me gjithçka, si mund të shpëtojë nga ky proces deti. Njerëzit, për fat, harrojnë, por edhe kujtohen herë pas here.
Më shumë se humbje mendoj se me detin mendoj kemi ndryshuar marrëdhënien. Diç ka vdekur dhe vazhdon të vdesë përditë nga pak në marrëdhënien tonë me detin. Në fillim u nxorën nga jeta anijet prej druri. Pastaj rremat u sakrifikuan për velat. Timonët e gjatë, zhytur në ujë përfund kiçit, u sakrifikuan për timonët e ngjashëm me diellin, vendosur në kuvertë. Rremat dhe velat u sakrifikuan për motorët me avull, ashtu si motorët me avull u bënë kurban për motorët më djegie të brendshme. Pastaj erdhi radha e aparateve mors bashkë me alfabetet e tyre, të cilët u zëvendësuan me radiot. Busullat u braktisën për radarët. U humbi nami e nishani kapedanëve me llullë e kapelë. Marinarët me bluza bardheblu u zhdukën gjithashtu. U zhdukën muçot mbi direk që dallonin tokën të parët. Humbën tavernat detare, mejhanet dhe kafenetë ku njerëzit e detit mblidheshin për t’u rrëfyer të tjerëve botën që ata nuk kishin rast ta shihnin, për të humbur mendjen dhe gënjyer veten. Humbi dhe fuqia dhe magjia e qyteteve-port, po aq të shquara sa qytet-shtetet. U rrallua raca e dokerëve, zëvendësuar nga lloj-lloj makinerish. Ky qe (r)evolucioni e kështu me radhë u rralluan e u zhdukën pak e nga pak të gjithë duke ua lënë vendin formave të reja, gjersa njerëzit besuan se gjithçka në marrëdhënien e njeriut me detin kish ndryshuar pa kthim.
Por bashkë me daljen nga jeta, ato sende detare dhe ata njerëz deti patën edhe një ndëshkim të dytë, më të pamëshirshëm se i pari, madje. Nxjerrja nga arti kishte qenë asgjësimi i plotë dhe i vërtetë i tyre krijesave detare. Të gjitha përfunduan në muze. Pakkush guxon sot të shkruajë e të përshkruajë të tilla krijesa në rrezik pa marrë mbi vete edhe damkën e romantikut të vonuar? Dhe kjo marrëdhënie e prishur nuk është si një nga ato gjërat ekologjike, të cilat me pak kujdes mund edhe t’i ndreqësh e përmirësosh duke mbjellë pemë e duke mos prodhuar tymra. Është zhdukur një racë e plotë njerëzish dhe sendesh. Nëse kjo që them tingëllon e pabesueshme, vizitoni një port apo një qytet-port dhe do shihni sa ka mbetur gjallë nga përfytyrimi ynë. Ata janë nxjerrë me përdhunë nga parajsa e tyre, letrare sidomos. Marrëdhënia me detin ka ndryshuar përfundimisht. Gjithçka ka ndryshuar dhe unë nuk di se si mund t’ua rrëfej binjakëve të mi se dikur ka ekzistuar deti mitik, nëse nuk do të ishte Homeri, Uitmani, Stivensoni, Londoni, Pesoa, Konradi, Neruda, Turneri, Mone, Aivazovski, Levitani.
Ky libër, ndonëse në mënyrë poetike dhe krejt pa retorikë, ngre një çështje të madhe: Si bëhet poezia sot?
Besoj se në mos e gjitha, ka diçka të vërtetë tek ajo që pëshpëritet edhe për të tjera gjëra veç poezisë: Ata që e bëjnë, e bëjnë, po nuk dinë ta thonë si bëhet. Ata që thonë si bëhet, e thonë, por nuk e bëjnë dot. Poeti, me gjithë shungullimat e veta, ka gjasa të jetë një qenie më jetëshkurtër dhe më e parëndësishme se poezia. Nuk mund të them se si shkruhet sot dhe as se si është shkruar dje, pa rënë në skolastikë të mërzitshme. Secili ka “formulën” e vet dhe shkollën e vet, ku herë shkon për t’u ulur në bankë e herë për të hipur në katedër. Ndiej se ka më shumë teknologjizëm, por kjo është edhe e shpjegueshme, siç ndiej edhe se pak e nga pak gjithçka po bëhet thuajse e pagjykueshme estetikisht, përderisa shija është thërrmijëzuar aq shumë në grupe pëlqyesish e shkollash të vogla e të mëdha, të cilave koha jonë u jep të drejtë jetese në emër të lirive, që jo rrallë na burgosin.
Ju gati dukeni sikur kërkoni të “predikoni” se si shkruhet poezia, për ata njerëz që duan të bëjnë poezi, por shfaqni edhe interes për lexuesin, kush do t’i lexojë poezitë. Pse shqetësoheni për marrëdhënien e poetit me fjalën, gjuhën? Çfarë mendoni se po ndodh përtej kësaj marrëdhënieje?
Në libër shfaqet edhe një thuajse “personazh”, lexuesja e re. Del dy herë. Një herë si ripërtypëse e leximeve “të vjetra”, frazave standarde e bajate, retorike e shkumëzuese, eksperimenteve të vonuara thuajse një shekull, e leximeve sipërfaqësore enciklopedike të tipit nëse qe ah apo shelg druri prej nga u rrëzua Ofelia e Hamletit dhe herën e dytë ajo shfaqet si refuzuese, por pa veprim, në statizëm, si në meditim pas zhgënjimit nga poetikja.
Më ka tërhequr vëmendjen fakti se leximi si akt dhe veprimtari e rëndësishme estetike, kënaqësidhënëse dhe edukuese është cenuar. Kjo do të thotë cenim i marrëdhënies mes atyre që shkruajnë dhe atyre që duan të lexojnë dhe kjo është një gjë që më intereson vërtet. Përditë e më shumë po kthehemi nga lexues në dëgjues dhe shikues të llojit “përtypës imazhesh me sy”. Njerëz të ngjashëm, me shije të ngjashme, të shumëfishuar tek njeri-tjetri. Kurrë më parë njerëzimi nuk ka pasur prani kaq të hapur e të shprehur të turmës ose ndoshta përherë kështu ka qenë, por sot duket më qartë. Leximi mbetet streha, shpëtim përderisa të jetë akti intim, vetjak i ruajtjes dhe mbrojtjes së qelëzës së shijes, i mendimeve të pavarura dhe i mëvetësisë së gjykimeve. Ndaj edhe e çmoj dhe i jap rëndësi, për të mos thënë se e mbivlerësoj leximit.
Flisni për mister uji, në një përmasë jashtë jetësores, si deti, një lundrim që i keni dhënë konkluzionin: më shumë turp se frikë kisha. ǒështë kjo frikë që mund jetën sipas jush?
Poezia ngjason edhe me qelqin në formën e tij të lëngshme. Para se të ngurtësohet, mendja luhatet tek forma përfundimtare që do të marrë. Leximi ka misteret e tij dhe në të është me rëndësi fakti të kuptohet se kush flet, cilët janë të tjerët dhe si shumëfishohen vetëdijet, personalitetet e atij që shkruan dhe të atyre për të cilët ai shkruan. Të tjerat kthehen në përvoja të ndryshme, rrafshe të ndryshme leximi, në aftësi për të mbajtur frymën me mushkëri, jo më bombël e për t’u zhytur thellë për të gjetur aty të fshehurën e hamendësuar. Ndodh që lexuesi, duke ardhur nga të tjera përvoja, sheh në tekst ato që shkrimtarit as nuk i ka vajtur ndërmend, njëlloj mirazh nga përthyerja e dritës në shtresa ajri me dendësi të ndryshme. Kështu që gjithkush është i/e lirë ta lexojë si dëshiron dhe të gjejë aty ato që pandeh dhe beson se sheh. Sa për turpin dhe frikën. Janë të njohur për nga përdorimi si dy nga themelet që mbajnë në drejtpeshim natyrën njerëzore, etikën, por edhe estetikën e tij. Njeriut në jetë i qëllon të turpërohet e të ndjejë madje edhe frikë jo për turpe a terrore që janë kryer nga ai vetë, por nga të tjerë. Përderisa ekziston një koncept si faji kolektiv apo subkoshiencë kolektive duhet të ekzistojë ndoshta edhe ndjesia e turpërimit kolektiv, e atij turpi që nuk buron prej vetë individit, por prej kolektivit prej të cilit nuk veçohet dot për ideale të gënjyera, cektësinë e jetës, vetëmashtrimin, pakuptimësinë, shpirtin prej skllavi dhe zbrazëtinë e të jetuarit për shembull. Le të kujtojmë një rast të rrallë, port të lartë kryer nga Papa Gjon Pali II dhe ndjesisë për t’u çliruar nga pesha e një faji që nuk e kish bërë as ai, as bashkëkohësit e tij dhe as bashkëkombasit e tij, por e kish bërë njerëzimi i një kohe në të shkuar të largët. Është fjala për krimet e Inkuizicionit, kryer shekuj më parë, krime për të cilën Kisha Katolike kërkoi ndjesë dhe pendese publike, si element purifikimi, dëlirësimi dhe maturie.
Cila është koha e një shkrimtari për të shkruar, edhe e juaja konkretisht, pasi shkrimtarët në Shqipëri i sheh të jenë pedagogë, studiues, kritikë, njerëz që rendin të nxjerrin rrogën, apo edhe të pasurohen!? Në emër të kujt bëhet kjo gjë?
Më lejoni të hapem pak për t’iu përgjigjur njërit prej paradokseve rreth së cilit ka pasur e ka shumë mendime. Unë nuk di të ketë pasur ndonjëherë kohë të shkrimtarit në përgjithësi. Secili përpiqet të gjejë, të grabisë a të krijojë vrima në kohë. E ndërkaq, koha mbetet që nga fillesat po ajo 24-karatëshe, përherë e njëjtë, e pandryshuar, e pazhvleftësueshme, si lingotë ari. Po a mund të thuhet se ka qenë e njëjta kohë edhe për Xhek Londonin edhe për Skot Fixheraldin? Paradoksi vetironik fillon pikërisht këtu. Jeta, bota vë maska të mëdha, të rënda dhe duket sikur gjithçka rrotullohet e vërtitet përjetësisht rreth pasurisë, famës dhe pushtetit. Padyshim kësaj nuk ka si i shmanget as shkrimtari. Por ç’ndodh në të vërtetë? Të tria këto, pasuria, fama dhe pushteti bien përballë kohës. Njeriu e bashkë me të edhe shkrimtari nuk ka bërë, nuk bën dhe nuk do të bëjë asgjë për hir të parasë, famës dhe pushtetit. Gjithçka që njeriu ka bërë gjer sot i ka bërë jo për të fituar para, famë dhe pushtet. Këto kanë qenë preteksti. Qëllimi dhe synimi i tij i vërtetë ka qenë dhe mbetet KOHA. Secili kërkon të fitojë kohë, qoftë edhe në kuptimin e përjetësisë. Grumbullimi i parasë, pasuria pra, kthehet në qëllim në vetvete aq pranë marrëzisë së shpenzimeve, blerjeve të mëdha e kursimeve të pafundme të cilat njeriu nuk mund t’i marrë me vete, por ua lë trashëgimi pasardhësve vetëm e vetëm për të fituar betejën me kohën, për të siguruar mënyrën për të jetuar edhe pas vdekjes. Aleksandri i Madh kish thuajse çdo gjë, madje stampoi në monedhë edhe fytyrën e vet për të fituar këtë betejë me kohën. Rendja drejt famës bën të njëjtën gjë. Ajo është e gatshme të paguajë çdo çmim të emër të absurditetit të të qenit i suksesshëm. Në dukje ngjan sikur fama ka synim lavdinë ethen e të qenit i shquar, i përveçëm, por në të vërtetë çdo gjë përfundon më thjesht e pa lavdi tek lufta për të mposhtur kohën. Njerëzit kërkojnë të bëhen të famshëm jo se i gëzohen dhe pasurisë, e cila, sidoqoftë mbetet e përkohshme si vlerë përdorimi nga zotëruesit e tyre, por se i tremben të qenit i vdekshëm, hiçit, boshit. Po kështu ngjan edhe me të pushtetshmit. Çdo veprim i tyre, pavarësisht nga dukja, priret jo edhe aq shumë drejt grumbullimit të pushtetit si qëllim në vete apo pasurimit, por për të mposhtur kthimin në hiç. Ndaj dhe shpesh historia i ka parë të kanosen e të dhunojnë.
Por ju pyetët për kohën time të të shkruarit. Ajo nuk ka ekzistuar kurrë si njësi e pastër, vetëm kohë shkrimi apo leximi, si hapësirë brenda zejes. Ka ardhur përzier me jetë dhe gjithë ato që jeta t’i vë përpara, e që mund t’i bësh bisht për pak kohë, por jo t’i shmangësh. Druaj se kjo kohë “virgjine” vetëm për shkrim e këndim thuajse po perëndon për të gjithë shkrimtarët të cilët edhe në Evropë i gjej njëlloj si miqtë e kolegët e tu, “strehuar” pranë universiteteve, shtëpive botuese, gazetave, televizioneve, revistave letrare, studiove filmike, mësuesisë apo disa profesioneve jo dhe aq të lidhura me shkrimtarinë, thuajse kurrë në administratat shtetërore. Kjo është një prirje, mbase edhe kjo për të fituar kohë…
Arjan, do të donim një pyetje të fundit. Cilët janë librat e rinj, nga autorë shqiptarë, që keni lexuar për këtë vit? A mendoni se letërsisë shqiptare në këtë rast i bëhet shërbimi i duhur nga botuesit për të kuptuar nëse kemi një jetë të brendshme letrare?
Ky vit po mbyllet edhe si kohë leximi dhe mund të them se kam lexuar jo pak autorë shqiptarë në prozë kryesisht e në poezi, ndonëse kjo më pak. E kam filluar vitin me romanin e Zija Çelës “Sos, një buzëqeshje”, për të vijuar më pas me “Moxartin…” e Bashkim Shehut, me “Otellon…” e Ben Blushit, “Tregu i zeros” i Elian Taninit, me romanin “Ku je” të Flutura Açkës, me “E kuqja e demave” të Mira Meksit, me “Tenxherja” e Agron Tufës, kam vazhduar së fundi pas panairit të librit me “Në kohën e britmës” nga Visar Zhiti, “E penguara…” nga Ismail Kadaresë, tregimet e Romeo Çollakut, Faruk Myrtajt, Andrea Hilës dhe kam në dorë edhe “Kloroform” të Klara Budës. Kam lexuar gjithashtu poezi të Petro Papakostës, Ledia Dushit, Ahmet Selmanit, Krenar Zejnos, Alisa Velajt dhe Ardian Saliajt.
Nuk mendoj aspak se letërsisë dhe shkrimtarëve shqiptarë u bëhet ndonjë shërbim i veçantë nga botuesit, përkundrazi. Me botimin e librit, e kam fjalën për shërbimin editorial dhe tipografik, që në disa raste të përveçme është cilësor, “harrohet” një element jo pak i rëndësishëm, promocioni i librit, adresimi i tij drejt lexuesit, bërja me dije e publikut për vlerat si dhe leximet publike autoriale. Harrohet gjithashtu edhe një tjetër element: përpjekja që libri i botuar në shqip dhe në Shqipëri të gjejë botues edhe jashtë saj, fillimisht në rajon. Letërsia, sado e vogël qoftë kjo për nga numri i “konsumatorëve” nuk mund të jetë vetëm marrëse.
Megjithatë, si në klandestinitet në dukje, ngjan se një jetë e brendshme letrare po regëtin. Autorët vetë, poetët sidomos, po organizojnë më shumë lexime autoriale, si shmangie të modelit aq të shëmtuar të promocioneve famoze-grandioze që përfundojnë në qoka. Vendet e zgjedhura si vende leximi janë jo sallat e mëdha, por libraritë, me të cilave veçoj për përkushtimin “Friends Book House”, “E Për7shme” dhe “Andrra e jetës”. Megjithatë, po të mos përmendim mediat, institucionet e specializuara apo as autorë të veçantë të kritikës së mirëfilltë letrare, nuk e kanë vënë re apo pak e kanë shprehur praninë e kësaj regëtime të jetës së brendshme letrare.