E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjalë zemre

GJ

ë e rrallë në letrat shqipe: një mësuese e shkencave të përpikta, Luba Pano, mbasi ka dhënë për shumë vjet matematikë në shkollë të mesme, tashti që ka mbërritur në vjeshtën e jetës, prej luleve të hershme poetike të pashfaqura, por që i ka mbajtur ngrohtë në gji, si një sekret të pathënshëm, një ditë të bukur i mbledh si fruta të pjekura, një tubë vjershash dhe prozash të shkurtra nëntitullin “Portret”. Kemi marrë në dorë këtë dhuratë miqësore prej shoqes sonë të fëminisë dhe ndërsa e shfletojmë, si të themi, duke e ledhatuar atë vëllim të hajthëm, por edhe të këndshëm e plot nektar të ëmbël, pyesim njëra-tjetrën: Portret i kujt? Portret i vetë Lubës, mikes sonë që aq shumë kujtime kemi së bashku, por që kurrë nuk na kishte thënë se shkruante vjersha e prozë? Dhe vjershat qenkan aq të bukura, kurse prozat ua kalojnë krijimeve të shkrimtarëve profesionistë. Portret i nënës dhe i babait të saj, artistëve të mirënjohur të skenës shqiptare, Zina Andri dhe Andon Pano.

Vëllimi nis me poezi, pastaj kalon në prozë dhe ndoshta, edhe kjo përbën një shprehje metaforike të thelbit të asaj ngjizjeje paksa të çuditshme, autorja na ka shpënë pa e rrëfyer hapur tek thelbi i asaj që përmbahet në këtë portret ashtu të hibridizuar. Luba ka lindur nga një martesë interesante: nëna nga Ukraina dhe babai shqiptar. Kujtimet dhe ndjesitë e holla për atë çift artistësh që e prunë në jetë dhe i lanë emër aq të mirë, kanë brenda poezinë e gëzimin e një lidhjeje shpirtërore të dy artistëve të famshëm e të mirënjohur në skenën shqiptare: njëra nga Rusia, yll e bukur dhe talent i rrallë në artin skenik, përjetësuar tashmë në oborrin e Teatrit Kombëtar, ku:

"Një bredh në teatër,
lëshon hijeshi,
çdo ditë në të shfaqesh,
brilante, mirësi".
Tjetri, artisti, për të cilin me thjeshtësi e përmallim të ligjshëm shkruan:

"Artisti është
vetë bukuria,
është çiltërsia
edhe mençuria".
Dhe, përsëri, një pyetje për titullin: Pse në trajtë të pashquar: Portret?! Diskutojmë me Sonjën dhe, vetëm kur e mbarojmë së lexuari dhe e shfletojmë duke e rilexuar e duke medituar mbi vargjet e prozat e Lubës, na vjen në mendje përgjigjja më e goditur. Portret në trajtë të pashquar, sepse është fjala jo vetëm për portretin e vet, por të një mësueseje, të një zemre të ndjeshme e të lidhur prej shumë vjetësh me shkollën, me nxënësit, me lëndën e matematikës, të cilën nganjëherë nxënësit e pandehin të vështirë, por që edhe ajo është e ngjizur dhe e mbrujtur me bukuri e poezi.
"Thonë matematika
është e vështirë.
Kjo ndodh tek ata
që s'e njohin mirë.
Ajo ka poezi,
shumë ëndërrimtare,
nota muzikore,
aromë e petale".
Luba, e cila e ka lidhur jetën shkollën e mesme "Sami Frashëri" të qytetit të Tiranës, ku ka mësuar në vitet e bukura të rinisë, pastaj me gjimnazin "Qemal Stafa", ku ka punuar si mësuese dhe kjo spikat edhe në vjershat e në prozat e bukura të saj "me aromë shkolle e nxënësish". Përmendim ndër to, "Hurma farëzezë", "Petulla", "Refleks", si dhe vjershën kushtuar
gjimnazit të saj me rastin e 80-vjetorit të themelimit:

"Në vitet e jetës
hapat ndaluam
në shkollën e dashur
ku brezat mësuam.

Vetëm dituria
përhap mirësi
ajo tregon rrugën
të bëhesh njeri".
Lexues të dashur, ju sigurojmë se në këtë vëllim fletëpakët të shkruar nga një mësuese e nderuar matematike, do të gjeni shumëçka të bukur, do të gjeni ndjenja të ngrohta e lirika të freskëta, fjalë zemre që të mbeten në mendje e në kujtesë si aroma e këndshme e dardhave vjeshtore.
Me rastin e promovimit të këtij libri i urojme autores Luba Pano frymëzim për të shkruar edhe libra të tjerë, duke tërhequr e kënaqur lexuesit dhe duke merituar vlerësime e fjalë të mira nga ata që e duan dhe e njohin mire poezinë, siç është edhe poeti Jorgo Papingji, që ka shkruar parathënien e këtij libri.

Leonora Shkurtaj
Sonja Vila

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›