E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arjoni ankohet: Aida, antipatike

Adelajda dhe Bjordi, Zhuljeta dhe Arjoni vazhdojnë të jenë kryefjala e shtëpisë së "Big Brother", e megjithatë edhe banorët e tjerë nuk mbeten pas. Aty po lindin simpati, miqësi, antipati... Në një shtëpi ku banorët jetojnë 24 orë në 24, ndodh gjithçka.

"Në Suedi ndihem më shumë shqiptare"

Mesida ka treguar se pjesën më të madhe të jetës së saj ajo e ka kaluar jashtë, megjithatë, kur është në Suedi ndihet më shumë shqiptare, sesa kur është në Shqipëri. Ajo ka thënë se një njeri që ka jetuar si ajo, gjithë kohës larg vendit të vet, që ka jetën, shoqërinë e gjithçka tjetër në shtetin tjetër e që nuk e ka idenë sesi funksionojnë gjërat në atdheun e vet, pavarësisht se është shqiptar, nuk ndihet si i tillë.

Arjoni tregon për veten

"Unë jam nga Vlora, ka thënë Arjoni, dhe prindërit e mi janë larguar në 1990-n nga Shqipëria. Në Itali jemi shumë mirë, kemi një jetë dinjitoze". Emigrant, sipas babait të tij, është dikush që mendon se një ditë do të kthehet andej nga ka ardhur, në shtëpinë e tij. Arjoni vazhdon të tregojë se prindërit i janë kthyer që para 4 vjetësh në Shqipëri dhe nuk janë ndjerë si emigrantë në vendin e tyre, me përjashtim ndoshta të fillimit. Ndërsa ai, kur kishte ardhur në Shqipëri, emigrant ishte ndjerë vetëm dy ditët e para, sepse më pas e shihte veten si pjesë të këtij komuniteti. Sipas tij, ata që nuk kanë emigruar ndonjëherë, të paragjykojnë e të shohin si emigrant. Ajo që ai kishte vënë re në Shqipëri, ishte se moshatarët e tij nuk e kishin idenë e punës, ndërkohë që atij, gjëja e vetme që i kishte dhuruar Italia ishte edukata e punës. "Në vendet e tjera jetohet shumë mirë, por ata që duan të jetojnë në tokën e tyre, kthehen një ditë", ka përfunduar ai.

"Adelajden e shoh si shoqe"

"Si e shikon ti Adelajden, e ka pyetur Republika Bjordin, si shoqe apo diçka më shumë"? Bjordi i është përgjigjur se e sheh thjesht si shoqe, për aq kohë sa ajo nuk e lejon për më shumë, kur gjithë ditën i largohet, i thotë të mos e prekë apo mos të bëjë atë, mos të bëjë këtë. Republika i ka thënë se kur ai e puth, Adela nuk i shmanget. Bjordi e ka kundërshtuar, sepse, sipas tij, ajo i shmanget. Republika vazhdoi duke i thënë se kishte vënë re që një ditë më parë ai e kishte përqafur dhe ajo nuk e kishte shmangur dhe se ajo mendonte që Adelajda e pëlqente, por nuk donte të bënte gjeste që të binte në sy. "Ti mendon se ajo të pëlqen si çun, apo të sheh si të shoh unë?", e ka pyetur sërish Republika Bjordin. Ai i është përgjigjur se nuk e dinte. Republika e ka pyetur edhe nëse e bezdiste që po e pyeste dhe Bjordi i është përgjigjur se do të bezdisej nëse do ta pyeste dikush tjetër, por jo Republika, pasi ai e kuptonte drejt qëllimin e pyetjeve të saj.

"Nuk jam arush, jam ari"

Pas Republikës dhe Adelajdes, në divanin ku ishte shtrirë Bjordi është afruar Mesida. Ajo e ka pyetur nëse ishte i mërzitur. Më pas i ka thënë se mendonte që e kishte kuptuar shkakun e mërzisë së tij, kishte të bënte me një person të veçantë në shtëpi. Ajo i ka thënë se i vinte shumë keq, sepse e kuptonte që ai ishte i ndjeshëm, madje shpresonte që ai të mos ishte aq i ndjeshëm sa mendonte ajo. "Sa keq më vjen, arushi im", i ka thënë ajo me përkëdheli. "Nuk jam arush, jam ari", ia ka kthyer Bjordi. Mesida ka vazhduar t‘i thotë se nëse ai ishte i mërzitur për atë që mendonte ajo (për Adelajden), ai duhet të kishte parasysh sesi funksiononin gjërat në Shqipëri dhe po ashtu brenda shtëpisë ku ata ndodheshin dhe, sipas saj, edhe nëse një vajzë do ta pëlqente Bjordin, ajo nuk do ta shprehte pikërisht për këtë fakt. "Por ti, i ka thënë ajo, duhet të vazhdosh të luftosh".

Bjordi: Banorët nuk duan të më kuptojnë

Duke biseduar me Mesidën dhe Arjonin, Bjordi ka thënë që kishte frikë se banorët e tjerë nuk e kuptonin. Më pas ai e ka saktësuar më mirë argumentin e tij, duke thënë se për ta kuptuar e kuptonin, por bënin sikur nuk e kuptonin dhe silleshin në mënyrë arrogante. Ai e shpjegonte këtë me faktin se atyre mund të mos u pëlqente që ai, 20-vjeçari, disa gjëra i dinte më mirë sesa ata që ishin më të rritur se ai. Arjoni i ka thënë se duhet të kishte parasysh që mosha ndikon shumë në njohuritë e një personi dhe se edhe ai vetë, në një moshë më të madhe, do të dinte më shumë nga ç‘dinte tani. Bjordi ka thënë se jo gjithmonë ishte kështu. Ai ka thënë se ka raste që edhe një fëmijë mund të dijë diçka më mirë nga ty, por kjo nuk të jep të drejtën të jesh arrogant me të e t‘i thuash: "Ku merr vesh ti". Sipas Bjordit, dikush më i rritur në moshë, patjetër që dinte më shumë, por ai e kishte fjalën për gjëra apo raste specifike, që ai, vërtet i dinte më mirë. Bjordi ka vazhduar duke thënë se e kishte ndjerë këtë arrogancë sa herë që fliste me Dritanin apo Qetsorin.

Basti i Arjonit

Arjoni dhe Zhuljeta kanë hedhur bast nëse ai do të dalë këtë të shtunë apo jo. Zhuljeta i thotë se nuk ka për të dalë, kurse Arjoni mendon të kundërtën. Arjoni i thotë se nëse fiton bastin, asaj do t‘i duhet të rregullojë krevatin e tij për një javë rresht. Zhuljeta i thotë se nëse del, çfarë krevati do të mund t‘i rregullojë. Arjoni i thotë se në këtë rast, ajo do të vijë çdo mëngjes në shtëpinë e tij, do t‘i rregullojë krevatin dhe do t‘i përgatisë mëngjesin dhe gjithsecili do të vazhdojë punën e tij. Zhuljeta e kontrollon se ndoshta kishte temperaturë e po fliste përçart por, Arjoni i thotë se është serioz. Ata vazhdojnë të qëndrojnë shtrirë në shtrat afër njëri-tjetrit. Zhuljeta i kërkon atij t‘i tregojë një përrallë dhe ai i tregon përrallën e "Kësulëkuqes" në versionin e tij.

"Aida nuk tregon feminilitet"

Arjoni dhe Zhuljeta qëndrojnë ende shtrirë në krevat. Arjoni i tregon asaj se cilat tipa vajzash i pëlqejnë. Ai i thotë se i pëlqejnë ato që vishen si djem, ose shumë sportive, por që në detaje të tregojnë feminilitet dhe brishtësi. Arjoni thotë se këtë gjë e pëlqen ta vërë re te vajzat dhe se nuk i pëlqen që një femër të humbasë krahasimin me një lule. Ai dëgjon zërin e Aidës dhe e merr atë si shembull, duke thënë se ajo është ky tipi i dytë i vajzave. Ai thotë se Aida është bërë si Duçja e vetëm bërtet dhe e krahason me ato gratë telendare që vetëm zihen e bërtasin, aq sa u dëgjohet zëri kudo. Zhuljeta qesh me këtë batutë të Arjonit.

Arjoni, antipati për Aidën

Arjoni vazhdon të tregojë për Aidën, se mbrëmë ka pasur një debat me të. Ai i thotë Zhuljetës se Aida futet kot në një diskutim dhe fillon të flasë e të kapet me fjalë. Ai i tregon asaj se mbrëmë ishte duke folur dhe Aida pa e ditur se përse bëhej fjalë filloi të debatonte me të me një ton jo normal. Arjoni thotë se kjo ndërhyrje e mërziti shumë dhe se i mban mëri edhe sot. Ai shton se ka filluar të mos e durojë dot dhe se çdo gjë tek ajo i duket antipatike. Zhuljeta thotë me ironi se Aida atë e ka xhan. Ajo i thotë Arjonit se ka krijuar një mendim të tillë, si ai për Aidën, edhe për Mesidën dhe i duket sikur të dyja kanë të njëjtën mënyrë sjelljeje. Ata flasin edhe për Bikën dhe Arjoni shprehet se tek ai ajo ka krijuar një përshtypje të mirë dhe i duket një njeri shumë i mirë që, edhe pse të tjerët mund t‘i bëjnë keq, ajo prapë u sillet mirë dhe nuk ja do askujt të keqen.

Identifikim me kafshë

Arjoni pyet Zhuljetën se me çfarë kafshësh mund t‘i identifikojë gjithë banorët e shtëpisë dhe vetë e fillon nga Sori, duke thënë se i duket si një hienë, kurse Bika si një urith i madh që duket si i keq, por në të vërtetë është i mirë. Zhuljeta i përgjigjet se asaj Sori i duket si ujk. Pranë tyre vjen dhe Mesida dhe të tre fillojnë të fantazojnë. Mesidën, Arjoni e identifikon si shimpanze, kurse Zhuljetën ose si kunadhe, ose si salamandër. Adin ai nuk e fut në grupin e kafshëve, por tek ai i personazheve vizatimorë dhe e personifikon si Yogi. Zhuljeta thotë se zyshës ja ka gjetur që ditën e parë personazhin që mund t‘i ngjajë dhe ai është Krudelia te filmi vizatimor "101 Dalmatët". Ajo i tregon Mesidës se edhe gjatë festës me maska që organizuan, ajo u bë identik me të. Mesida i thotë se nga sytë i duket si një Bambi, por Arjoni i thotë se ajo nuk është vetëm e mirë, por edhe dinake. Si Bambi, ata bien dakord që është Moza. Për Liritën mendojnë për një kafshë që të jetë argëtuese dhe Arjoni thotë se orangutangu i përshtatet mirë. Aidën e përcaktojnë si hipopotam. Zhuljeta pyet për Bjordin dhe Arjoni i thotë se ai është djali i mbretit luan, Simba. Dritanin, duke qenë se është i gjatë, e përcaktojnë si gjirafë. I fundit është Arjoni dhe Mesida e identifikon me aschi (qen slite) dhe atij i pëlqen kjo ide.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›