E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondacioni Grek i Kulturës, tani edhe në Shqipëri

Fondacioni Grek i Kulturës deklaroi dje zyrtarisht çeljen e aktivitetit edhe në Shqipëri. Ky fondacion, i cili ushtron veprimtarinë në disa vende të botës, do të nisë aktivitetet kulturore edhe në Tiranë. "Ne duam të transmetojmë te ju kulturën greke, që e ka zanafillën nga lashtësia dhe në qendër të saj ka humanizmin", tha kryetari i Fondacionit, Georgios Babinoti në konferencën për shtyp, në të cilën ishte i pranishëm edhe ambasadori i Greqisë në Shqipëri, Nikolas Pazios, drejtori ekzekutiv i këtij fondacioni, Georgios Giakoumis, etj. "Prezenca e Fondacionit Grek të Kulturës në Shqipëri është në kuadër të veprimtarive të institucioneve kulturore të Bashkimit Evropian", shtoi ai. Ambasadori Pazios e vlerësoi praninë e fondacionit në Tiranë si një nder për shtetin grek. "Ky fondacion vjen për të plotësuar një boshllëk që ekzistonte nga ana e ambasadës, për sa i takon aktiviteteve kulturore", tha ai. Fondacioni Grek i Kulturës ka planifikuar një sërë aktivitetesh që do të zhvillohen në Tiranë deri më 5 prill të këtij viti. Aktivitetet e Fondacionit Grek të Kulturës nisën dje në mbrëmje, me një ekspozitë libri me përkthime të veprës së poetit grek Kostandin Kavafi. Pjesë e aktiviteteve në ditët në vijim do të jenë ekspozita të ndryshme fotografike të autorëve nga Evropa Juglindore. Do të shfaqen për publikun shqiptar 50 filma të kinematografisë greke, programe të ndryshme muzikore etj. Në serinë e aktiviteteve veçohet një cikël veprimtarish për ndërgjegjësimin e publikut mbi vjedhjen e monumenteve të kulturës në vende të ndryshme. Fondacioni Grek i Kulturës u themelua në vitin 1992, me një vendim unanim të Parlamentit grek me qëllim promovimin e kulturës greke në të gjithë botën. Aktualisht ai ka zyra në shumë vende të botës, si në Bukuresht, Beograd, Trieste, Berlin, Bruksel, Uashington, Vjenë, etj. Sot, në Akademinë e Arteve në Tiranë, fondacioni organizon një koncert me grupin muzikor "Argo".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›