E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ajo që mbetet prej një tirani

Memoria e stalinizmit është një problem i dhimbshëm për Rusinë. Libraritë janë plot me botime pseudohistorike që i thurin himne Stalinit. Në sondazhe Stalini gjendet ndër vendet e para mes udhëheqësve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Në librat e historisë, politika staliniste justifikohet. Sigurisht që gjatë këtyre viteve janë edhe kërkimet tepër të rëndësishme të kryera nga historianë e arkivistë, por me shumë pak influencë në ndërgjegjen kolektive. Pasi përtej politikës që ndjek sot Kremlini lidhur me të shkuarën, kujtesa jonë për stalinizmin ka pika të errëta. Cilat?

E para: stalinizmi ishte një sistem dominues me instrument kryesor qeverisës terrorin. Kujtesa e stalinizmit duhet të jetë kujtesa e terrorit shtetëror. Në fakt, është kujtesë e viktimave, jo e krimeve. Për kujtesën e krimeve mungon edhe baza juridike: në vendin tonë nuk ekziston asnjë akt ligjor ku terrori i shtetit të cilësohet krim. Nuk ka pasur asnjë proces, asnjë dënim, as përgjegjës të terrorit stalinist.

E dyta: për të pranuar tragjeditë e historisë, një komunitet duhet të ndajë qartësisht rolet mes së mirës e së keqes dhe të identifikohet me njërën palë, apo me tjetrën. Gjëja më e lehtë është identifikimi me të mirën: me viktimën e pafajshme, apo më mirë akoma, me luftëtarin heroik kundër së keqes. Për këtë arsye, fqinjët tanë, nga Ukraina, në Poloni e Baltik, nuk kanë probleme me të shkuarën sovjetike: identifikohen si viktima apo luftëtarë, ose të dyja në të njëjtën kohë. Këtë e bëjnë me njëfarë miratimi nga e vërteta historike. Mund të identifikohesh edhe me të keqen, siç kanë vepruar gjermanët për të nënvizuar distancimin nga e shkuara: "Po, për fat të keq ishim ne, por sot nuk jemi më të tillë dhe as do të jemi më kurrë". Por ne ç‘duhet të bëjmë? Në terrorin sovjetik është vështirë të dallosh xhelatët nga viktimat. Le të marrim sekretarët e komiteteve të partisë. Në vitin 1937, si ekzekutues të mirë të terrorit të kërkuar nga Kremlini, nënshkruajnë paketa të tëra dënimesh me vdekje. Në nëntor të vitit 1938, gjysma e emrave ishin pushkatuar. Në kujtesën kombëtare dhe aq më tepër në atë krahinoren, këta "xhelatë" nuk konsiderohen aspak figura mizore. Po, nënshkroi dënimet, por ndërtoi kopshte fëmijësh e spitale; shkonte edhe personalisht në mensën e punëtorëve për ta provuar vetë supën! Sa për atë që u ka ndodhur më pas, fati i këtyre njerëzve që vunë në jetë terrorin ngjall veç keqardhje.
E treta: në të kundërt të nazistëve, që vrisnin "të tjerë" - polakë, rusë, e deri gjermanë hebrenj (që nuk ishin tamam gjermanë) - ne vrisnim njerëzit tanë. Dhe ndërgjegjja refuzon ta pranojë. Në kujtesën e terrorit ne nuk jemi në gjendje t‘i atribuojmë saktësisht rolet kryesore, nuk dimë të gjejmë vendin e duhur për "ne" dhe "ata". Kjo pamundësi për ta larguar të keqen prej vetes është pengesa kryesore që nuk na lejon t‘i dorëzohemi memories së mirëfilltë të terrorit. E rëndon edhe më tej karakterin e saj traumatik, duke e shtyrë në kufijtë më të largët të ndërgjegjes.

Dhe jo vetëm këtë. Kujtesa e terrorit, në nivel personal, është një kujtesë që po zhduket. Gjenden ende dëshmitarë, por janë të fundit. Memories-kujtesë i shtohet një paketë kujtimesh si përfaqësuese kolektive e së shkuarës që formohet përmes mekanizmave socio-kulturorë. Mes tyre ka rëndësi të dorës së parë politika historike, pra impenjimi i elitës politike për mbrujtjen e një imazhi të së shkuarës që t‘i shkojë për shtat. Pushteti politik iu drejtua të shkuarës për të konsoliduar legjitimitetin e vet të diskutueshëm që prej viteve nëntëdhjetë. Motiv për të cilin si pushteti ashtu edhe populli kanë kërkuar t‘i mbulojnë pikat e dobëta përkatëse me ringjalljen e imazhit të Rusisë së Madhe, trashëgimtare e së cilës do të jetë Rusia aktuale. Por, përpjekjet për ngulitjen e "një të shkuare të ndritur" të Rusisë cariste e kërkuar prej Kremlinit nuk u përqafuan nga popullata: ishte një e shkuar tepër e largët. Pak nga pak periudha sovjetike dhe veçanërisht epoka e Stalinit, iu shtua idesë së Rusisë së Madhe.

Grupi i shtetarëve post-jelcinianë u kap pas kësaj mundësie dhe e shfrytëzoi për të rindërtuar të shkuarën. Nuk them se kishte qëllim në vetvete rehabilitimin e Stalinit. Donte vetëm t‘u ofronte qytetarëve idenë e një shteti të madh, që mbetet i madh në çdo epokë dhe kalon me nder të gjitha sprovat. Por, përtej qëllimeve, në sfondin e Fuqisë së Madhe të ringjallur, "të rrethuar" sot, ashtu si edhe dje, nga "armiq", portretizohej profili me mustaqe i liderit të madh. Ishte e pashmangshme.

U përplasën me njëra-tjetrën dy imazhe të epokës staliniane. Imazhi i stalinizmit, pra i regjimit kriminal që mban mbi ndërgjegje dekada të mbushura me terror shtetëror, dhe i epokës staliniane, epokë arritjesh gjigante e triumfesh të madhërishme, në krye të të cilave renditet fitorja mbi nazizmin. Kujtesa e luftërave ishte trau mbajtës, përreth të cilit u ngrit identiteti kombëtar. Për ta thjeshtuar, konflikti i kujtesës mund të përkufizohet në këtë formë. Në rast se terrori i shtetit ishte krim, kush ishte krimineli? Shteti? Stalini që qëndronte në krye të tij? Po si kështu, a nuk e kishim fituar luftën kundër së keqes absolute, pasi qemë nënshtetas të një shteti të madh, i cili mishëronte të gjithë të mirën që gjendet në botë? Me Stalinin mundëm Hitlerin. Epoka e Stalinit është fitore. Fotoja dhe terrori ishin dy gjëra që nuk puqeshin me njëra-tjetrën. Njëra prej të dyjave duhej eliminuar, ose së paku korrigjuar. Dhe është tamam ajo që ndodhi. Kujtesa e terrorit u tkurr. Nuk u zhduk fare, por u shty në periferinë e ndërgjegjes kolektive. Çfarë e mban gjallë?

Monumentet, të cilat falë disa iniciativave lokale janë shfaqur në të gjithë vendin: kryqe, lapidarë e skulptura që sjellin në mendjet e njerëzve kujtesën e viktimave, por jo të krimeve, si të qenë viktima të ndonjë katastrofe natyrore. Pa përmendur që në përgjithësi monumentet gjenden në periferi, në vendet ku kanë ngjarë krimet, ndërsa rrugët në qendrat e qyteteve mbajnë ende emra xhelatësh. Pastaj vijnë edhe muzetë historikë, edhe në këtë rast lokalë, pasi nuk ekziston një muze kombëtar i terrorit shtetëror: thuajse të gjithëve u është shtuar një seksion mbi represionin e kuq, por që shfaqen si një fatkeqësi rajonale, e shkëputur nga historia e vendit. Në fund janë librat e kujtesës, të publikuara thuajse në të gjitha krahinat me emrat e viktimave të represionit: por as këta nuk e propozojnë imazhin e një katastrofe kombëtare, por të një fatkeqësie "lokale", kjo edhe për mungesën e një programi publikimi federal, në gjendje të formonte një kuadër unik. Kështu, pavarësisht mungesës së vullnetit të pushtetit federal, kujtesa e stalinizmit mbijeton, po, vërtet, por mbetet një memorie e fragmentarizuar, e cila nuk arrin të përkthehet në memorie kombëtare. Një prej objektivave të shoqatës "Memorial" është pikërisht unifikimi i kujtesës kombëtare: kemi hedhur në internet të dhënat e më shumë se 3 milionë viktimave dhe po punojmë për krijimin e një muzeu virtual të Gulagëve, në mënyrë që të bashkojmë ashklat e memories të shpërndara në të gjithë territorin tonë të stërmadh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›