E Diel, 1 Nëntor 2026

Kancelari i gjykatës: Gratë kanë frikë të kërkojnë divorc

Në shumicën dërrmuese të rasteve, çiftet, apo më saktë gratë, vuajnë pasojat e mosharmonisë në familje, ndërsa ndjehen vërtet të çliruar ata që mbërrijnë deri te divorci. Por njerëzit mendojnë keq për këtë. "Nuk bën që gruaja të kërkojë divorc, të ndahet nga burri, por asht burri ai që vendos për këtë, tek ne nuk mund të ndodhë ndryshe...", tha një burrë i moshuar nga fshati Arrën, lidhur me këtë temë. Ai quhet Vesel Dema dhe e pranoi se dhe vetë ushtron dhunë mbi gruan.
Në Gjykatën e Kukësit pohojnë se numri i divorceve për vitin në vazhdim është në rritje, por pranojnë faktin se vetëm një numër shumë i vogël arrin ta dërgojë çështjen në gjykatë. "Këto probleme konsiderohen ende tabu për familjet veriore, tregon kancelari i gjykatës, Shikim Korbi, gratë në situata grindjeje me burrin nuk guxojnë të bëhen iniciatore të divorcit, sepse ato mendojnë se humbasin mbështetjen e të dyja palëve dhe fatkeqësisht në shumicën e rasteve kështu ndodh...". Ai shtoi se në dhjetëra rastet e paraqitura për gjykim motivet janë po ato: mospërputhje karakteri, ky motiv siç duket rregullohet në mjediset e gjykatës për të qenë në rregull me ligjin.
Në shkallë qarku, në Kukës, vetëm brenda vitit 2008 ka pasur 18 tentativa vetëvrasje nga gratë, 5 prej të cilave kanë vdekur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›