Arkeologët e huaj, interes për zbulimet shqiptare
U mbajt në Janinë të Greqisë Konferenca Shkencore Ndërkombëtare kushtuar vlerave dhe veçorive të qeramikës helenistike me vernik të zi. Morën pjesë në këtë aktivitet që u zhvillua për katër ditë rreth 150 arkeologë nga vende të ndryshme, të cilët diskutuan për çështjen në fjalë. Krahas ekspertëve nga Greqia, Amerika, Kanadaja, Britania e Madhe, Franca, Turqia, Italia, Rusia etj., marrin pjesë edhe ekspertë nga Shqipëria, të cilët referuan për vlerat dhe veçoritë e qeramikës helenistike të zbuluar gjatë ekspeditave arkeologjike në disa qytete të Ilirisë së lashtë si: Durrësi, Apolonia, Bylis, Foinike, Butrint, Antigone, Amantia etj. Arkeologu shqiptar, Bashkim Vreka, njëkohësisht edhe drejtor i Parkut Arkeologjik të Bylisit ka mbajtur një referat me temën "Lihnidet, lekytet dhe vazot me vernik të zi në Apoloninë e Ilirisë", arkeologu tjetër nga Shqipëria Vasil Bereti mbajti kumtesën "Qeramika helenistike në kontekstin stratigrafik gjatë sondazheve të vitit 2006 në Apoloninë e Ilirisë", ndërsa arkeologu Eduart Shehi në prezantimin e tij u ndal në temën interesante "Një vazo me vernik të zi me figurën e Artemisës gjetur në rrënojat e qytetit antik të Durrësit". Shumë nga pjesëmarrësit treguan interes të veçantë për qeramikën e zbuluar në disa prej qyteteve më të rëndësishme të Ilirisë së lashtë si: Butrinti, Finiqi, Durrësi, Apolonia, Bylis, Antigone, Amantia që sipas këtyre dëshmive kanë pasur në lashtësi një lulëzim dhe zhvillim të madh dhe marrëdhënie të fuqishme në rajonin mesdhetar, në Adriatik dhe në Ballkan. Objektet e qeramikës vlerësohen nga arkeologët si objekte mjaft të rëndësishme për të përcaktuar periudhat historike, marrëdhëniet ekonomike, shoqërore, tregtare, kulturën dhe artin, si dhe nivelin e zhvillimit të përgjithshëm të komuniteteve dhe shoqërisë në lashtësi.