Pezullohen punimet për restaurimin e pazarit të Korçës
Punimet për restaurimin e fasadave të pazarit të Korçës janë pezulluar me një vendim të policisë ndërtimore të bashkisë. Shkak është bërë ankesa e specialistëve dhe arkitektëve sipas të cilëve restaurimi dhe ndërhyrja në këtë kompleks që është monument kulture po kryhet jashtë standardeve dhe kritereve. Restaurimi më shumë po rrezikon sesa po kthen në identitet karakteristikat e objekteve të këtij kompleksi. Policia bashkiake ka kërkuar nga dega e monumenteve të kulturës të pezullohen punimet deri në një moment të dytë për të kryer verifikime me specialistë. Nga ana tjetër policia bashkiake e Korçës pretendon se ndërhyrjet po kryhen pa leje ndërtimi të miratuar prej saj. Mësohet se restaurimi ka nisur me një vendim të degës së monumenteve. Nga ana e tyre, arkitektët thonë se ndërhyrja e kryer cenon karakteristikat e godinave, pasi janë kryer në mënyrë të gabuar, pa plotësuar kriteret e nevojshme. Objektet në të cilat janë kryer suvatimet dhe lyerja e fasadave nuk kanë çati. Sipas mendimit të specialistëve, kjo gjë nxjerr jashtë funksionit restaurimin e deritanishëm. "Ky është një rast tipik i mungesës së profesionalizmit në restaurim. Restaurimi është skandaloz dhe jashtë çdo kriteri. Ndërhyrja nuk ka ruajtur karakteristikat duke masakruar pazarin e vjetër. Është shkatërruar pjesa e tullave të vjetra, është deformuar struktura e krejt fasadës së objekteve, janë kryer suvatime në pjesë ku mungon çatia, janë vendosur disa ullukë më tepër të cilët çojnë në shkarkimin e ujërave të shiut mbi mure. Ky restaurim jo vetëm që nuk është në nivelet e duhura dhe paratë po hidhen kot, por nga ana tjetër cenon krejt karakteristikën e këtij pazari dhe dëmtimin e mëtejshëm të godinave", komenton arkitekti Ilir Voci. Dega e Monumenteve të Kulturës edhe pse ka marrë në dorë vendimin, shprehet se restaurimi është i miratuar nga MTKRS me një fond prej 5 milionë lekësh dhe është marrë edhe vendimi për kryerjen e punimeve në zbatim të projektit për ndërhyrjen në fasada. Deri në zgjidhjen e këtij konflikti, në pazarin e qytetit janë ndërprerë punimet.