E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arkeologjia, ku është abuzuar!



Për herë të parë organizohet një seminar për arkeologjinë e shpëtimit në Shqipëri, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Kërkimeve të Arkeologjisë Parandaluese Franceze. Në këtë seminar kanë marrë pjesë personalitete të ndryshme shqiptare dhe të huaj, si ministri i Kulturës, Ylli Pango, Jean-Paul Jacob, Presidenti i INRAP dhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë nga ky institucion, Etleva Nallbani, duke u vlerësuar si hallkë e rëndësishme lidhëse me INRAP dhe me Shkollën Franceze të Romës, drejtori i agjencisë shërbimit arkeologjik Roland Olli, personalitete të arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave, IA dhe IMK, si dhe studentë të kësaj fushe. Ky bashkëpunim vjen në kuadër të mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe në veçanti të trashëgimisë arkeologjike me homologët e huaj francezë, me qëllim shkëmbimin e përvojave drejt niveleve të arrira evropiane dhe marrjen me masave në mbrojtjen e kësaj trashëgimie.

Për të qenë sa më eficent në punën kërkimore, Agjencia e Shpëtimit të Arkeologjisë, si institucioni përgjegjës i këtyre ndërhyrjeve, e cila ka ndeshur vështirësi të shumta si juridike, ashtu edhe metodologjike, ka parë të nevojshëm marrjen e masave parandaluese duke u nisur që nga sensibilizimi i arkeologëve gjatë procesit të gërmimeve në terren. Ndërkohë që në një seminar të organizuar në ambientet e Ministrisë së Kulturës, përfaqësues të kësaj fushe, brenda dhe jashtë Shqipërisë kanë mbajtur referatë për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike dhe ndërgjegjësimin e vetë arkeologëve.

“Ky shërbim arkeologjik shqiptar sapo është krijuar, me vështirësi si në aspektin juridik apo metodologjik, apo përgatitjes profesionale të arkeologëve të rinj të cilët në pjesën më të madhe janë formuar në kuadër të arkeologjisë së programuar, por nga ana tjetër është edhe integrimi i rezultateve të arritura të bashkëpunëtorëve që shpesh herë vijnë në përsëritjen e gabimeve dhe vështirësive të eksperiencës së tyre”, - shprehet Etleva Nallbani, e cila ka shërbyer edhe si hallka më e rëndësishme e lidhjes me Institucionin Kombëtar të Kërkimeve të Arkeologjisë Parandaluese franceze dhe shkollën franceze të Romës. Ajo shton se “bashkëpunimi i arkeologjisë shqiptare më atë evropiane, e konkretisht me atë franceze është i domosdoshëm për ndërtimin e bazave solide me mbështetje të veprimtarisë së agjencisë së shërbimit arkeologjik shqiptar dhe së dyti për transmetimin e eksperiencës shumë të pasur që ky institucion ka krijuar në këtë fushë me qëllimin final, integrimin e arkeologjisë shqiptare në nivelin e strukturave arkeologjike evropiane”. Drejtori i ASHA-ës, Roland Olli, ka raportuar dje për herë të parë se janë kryer mbi 30 mbikëqyrje paraprake (survej) në qytete të ndryshme të vendit, duke përpiluar relacionet përkatëse dhe disa mbikëqyrje arkeologjike (gërmim arkeologjik dhe janë mbi 20 oponenca për projekte që lidhen me ndërtime të veprave hidrike, studime të planeve rregullues të disa qyteteve, projekte të infrastrukturës që kalojnë pranë zonave të mbrojtura dhe parqeve arkeologjike etj.). Përgatitja e oponencave është shoqëruar me verifikime në terren nga ana e specialistëve të ASHA-s.

Në drejtim të legjislacionit, drejtim kryesor i punës, sipas Ollit, ka qenë hartimi i rregulloreve, detyrim ky që përcaktohet me VKM nr. 725, dt. 21.05.2008 për “Përbërjen, Funksionimin, Kompetencat dhe Mënyrën e Shpërblimit të Anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë”, të cilat vendosin për herë të parë standarde dhe rregulla bashkëkohore për gërmimin arkeologjik, gërmimin e shpëtimit e që kanë të bëjnë me mbrojtjen, administrimin dhe menaxhimin territorial të trashëgimisë arkeologjike.

Më konkretisht është folur për hartimin e “Rregullores për kriteret e ushtrimit të profesionit të arkeologut; Kriteret e gërmimit, dokumentimit dhe arkivimit të të dhënave dhe materialeve arkeologjikë; Kriteret dhe procedurat administrative për marrjen e lejeve të ushtrimit të profesionit të arkeologut nga individë dhe subjekte privatë”, e cila u miratua në dt. 30.01.2009 nga KKA. Olli u shpreh se kjo rregullore do të bëjë përcaktim të qartë të kufijve me koordinata të sakta të zonave arkeologjike sipas zonifikimeve arkeologjike të miratuara me VKM Nr.6, datë 07.01.2005, për “Miratimin e zonave arkeologjike brenda zonave të banuara, në Shkodër, Lezhë, Krujë, Durrës, Elbasan, Berat, Vlorë dhe Sarandë”. Bazuar në intensitetin e gjetjeve, aty ku është e nevojshme, do të propozohet edhe rishikim të kufijve në të mirë të vlerave që ato paraqesin.

Por ajo që ka tërhequr dje vëmendjen ishte denoncimi i shkeljeve, sidomos në trojet e përdorura për ndërtime, nën të cilat ka pasur objekte arkeologjike.

Olli tha se në të gjitha rastet që janë konstatuar shkeljet i ka kërkuar INUK si dhe inspektorateve të bashkive dhe komunave pezullim të menjëhershëm të ndërtimeve. “Shkelje ka pasur në disa drejtime. Shkelja më flagrante janë fillimet e gërmimeve pa leje, për të cilat është informuar ASHA-n. Një tjetër shkelje e kësaj natyre është në raste ku nga subjekte të ndryshme zhvillohen dhe zbatohen objekte ndërtimi dhe në atë zonë nuk ka pasur informacion, por ai ndeshet me një objekt arkeologjik, në bazë të rregullores brenda treditësh, ai duhet të njoftojë agjencinë e shërbimit arkeologjik dhe Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Pushtetin Lokal. Ne kemi pasur shkelje të kësaj natyre në afërsi të Ksamilit në Sarandë, i cili edhe është ndëshkuar”, - thekson Roland Olli. Një tjetër shembull ka qenë dhe denoncimi në një banesë, ku është zbuluar një varr parahistorik, i cili me gjithë ndërhyrjet, nën kujdesin e arkeologëve, ndërtuesi nuk ka bërë hapin ligjor të nevojshëm, pra informimin e agjencisë së shërbimit arkeologjik për këto punime. “Por gjëja më e rëndësishme është se ai gërmim është ndërtuar përsëri nga arkeologët, por këtë shkelja ligjore ekziston, të cilën ne e kemi ndëshkuar sipas penaliteteve që përcakton ligji”, - ka thënë Olli. Kështu sipas tij, shkeljet janë të natyrave të ndryshme si ato të punimeve pa leje, shkelje nga mosinformimi në bazë të ligjit për ASHA, por edhe të natyrave të tjera si mosparaqitja e projekteve për miratim në këshillin kombëtar të arkeologjisë. Olli shton edhe dy raste të tjera flagrante të ngjara në Durrës, për të cilat tregon se janë ndëshkuar me gjobat përkatëse, ashtu siç parashikon ligji. Agjencia e Shpëtimit të Arkeologjisë ka nisur punën shtatë muaj më parë, duke nisur gjithçka nga zero. Brenda dy muajve, ASHA u pajis me staf për nisur funksionim e ligjit për mbrojtjen e arkeologjisë. “Puna nisi më shpejt se të gjithë ne e kishim menduar, ku peshën më të madhe të rëndësisë e krijonte Durrësi, një metropol që ndryshon fytyrën e vet çdo ditë ashtu siç ka bërë që prej antikitetit. Shumë shpejt nisi funksionimi i dy sektorëve bazë të ASHA-s: i Arkeologjisë së Shpëtimit dhe Konservimit e Arkeometrisë, të cilët janë në gatishmëri të operojnë 24 orë/çdo ditë të javës qoftë edhe duke iu përshtatur kushteve të vështira të terrenit”, - ka treguar dje Olli.

Në shtatë muajt e parë, Olli tregon se janë përqendruar në plotësimin dhe përmirësimin e legjislacionit të trashëgimisë kulturore për çështje që kanë të bëjnë me mbikëqyrjet paraprake në terren, mbikëqyrjet arkeologjike, vëzhgimet paraprake dhe përpilimin e raporteve përfundimtare: mbrojtjen dhe konservimin e gjetjeve, oponenca të shumta mbi projektet e veprave të infrastrukturës madhore në vend dhe paraqitjen e tyre për miratim në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë (KKA) etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›