Arkitekti i parlamentit të ri: Piramida është prehistorike
Gazeta austriake Der Standard i ka kushtuar një reportazh Piramidës dhe projektit për prishjen e saj. Gazeta citon kundërshtarët e prishjes së kësaj piramide, duke theksuar se ka edhe një peticion që i është dërguar presidentit. Sipas saj, edhe Komisioni Europian dhe ambasadori danez janë të shqetësuar për prishjen e Piramidës dhe qëllimet pas kësaj.
Gazeta thotë se parlamenti i ri do kushtojë 113 milion euro, por nuk dihet se nga do vijnë këto para. Ajo flet për një kredi të marrë në Arabinë Saudite.
Gazeta ka pyetur edhe arkitektin e studios që ka fituar projektin për parlamentin, Volfgang Priks, emri i të cilit u bë i njohur për shqiptarët, pasi një gazetë austriake e nxori atë fitues shumë ditë përpara se juria të nxjerrë fituesin e vërtetë. Ai sulmon Piramidën si prehistorike e thotë se piramidat e vërteta janë në Egjipt.
Unë e kuptoj që demokracia ka nevojë për një simbol të kulturës së diskutimit- projekti ynë shërben për këtë, ai e bën të dukshëm procesin e vendimmarrjes në një demokraci- por unë mendoj se piramida, që është një formë statike, nuk është e përshtatshme si forma që kemi ofruar ne- që është një kon dinamik. Përveç kësaj forma e Piramidës më duket shumë prehistorike, piramidat e vetme të sakta janë në Kajro, thotë ai.
Arkitekti Priks thotë se që në dokumentet e konkursit ishte parashikuar largimi i Piramidës nga aty pasi ajo është e rrënuar.
