E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arkitektura e re sakrale

Kishat moderne rrallëherë paraqesin karakteristikat tradicionale të arkitekturës sakrale. Për këtë shkak ato shumë shpesh janë objekt i kritikave të opinionit publik. Megjithatë, shumë objekte të tilla të realizuara tërheqin vëmendjen e shumëkujt, me kreativitet dhe thjeshtësi.

Revista e arkitekturës ‘Weburbanist’ në numrin e fundit ka përzgjedhur dhjetë kisha të ndryshme nëpër botë, të cilat dëshmojnë për një periudhë krejtësisht të re të arkitekturës sakrale.

Edhe pse objekt i kritikave të opinionit publik, në krahasim me objektet e periudhave të kaluara kishat moderne shpesh janë shumë më të ndritshme, ndërkohë që fokusin e besimtarëve më tepër e orientojnë në ambientin përreth tyre sesa në vetë ndërtesën si të tillë.

Një shembull i përkryer i këtyre karakteristikave të kishave moderne, është kisha e arkitektëve Pieterjana Gijs dhe Arnout Van Vaerenbergh, e cila ndodhet në rajonin Haspengouwu, në Belgjikë.

Muret transparente të drunjta e mbushin brendësinë e kishës me dritë e rreze dielli, ndërsa, varësisht nga këndi i të shikuarit, ndryshon edhe pamja e kishës, kështu që ajo herë duket e fuqishme por edhe tejet e brishtë, njëkohësisht. Kapelat e BNKR Arquitectura, në Meksiko, dhe e Thorncrown, në Arkansas, të studios Sunsnet të arkitektit E. Fay Jones, janë shembuj të asaj se si kisha është zhytur plotësisht në ngjyrën e gjelbër të ambientit që e rrethon.

Për dallim nga kishat e ndërtuara në të kaluarën, arkitektët e sotëm inspirimin e gjejnë në vende të llojllojshme, e të cilat nuk janë domosdoshmërisht të ndërlidhura me religjionin. Kështu, dukja e kishës Santa Monica, në Madrid, është inspiruar me një ‘shpërthim’ në një moment të ngrirë, përderisa arkitektët e studios Localarchitectura, për kapelën e Shën Loup (Chapel for the Deaconess), në Zvicër, inspirimin e gjetën tek origami.

Për dallim nga kishat reprezentative të stilit barok ose të atij gotik, përplot simbolika, kishat moderne shumë shpesh shfaqet maksimalisht të thjeshtuara. Mirëpo, përkundër këtij minimalizmi, disa arkitektëve po iu shkon përdore që të krijojnë përshtypjen e njëlloj ngritjeje sakrale. Një shembull i shkëlqyeshëm për këtë është kisha katolike në Pekin, e cila është konceptuar në formë të kubit dhe të një pirgu të lartë afër saj, dhe që është mbuluar me pllaka masive të bardha dhe me sipërfaqe të mëdha të xhamit.

Një prej kishave më moderne në botë gjithsesi se është Kapela e Pajtimit, në Berlin, e ndërtuar mbi themelet e mbetjeve të Murit të Berlinit.

Për dallim nga kapela neogotike, e përfunduar në vitin 1894 dhe e rrënuar në vitin 1985, e cila dikur ndodhej në po atë vend, kapela e re berlinase ka formën e një rrethi, mbi të cilin mbi dhe është ndërtuar një konstruksion dhe një kulm prej druri.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›