Arkitektura, konkursi në fund të gushtit
Ndryshe nga kandidatët që kanë zgjedhur degë të përgjithshme, maturantët që duan të nisin arkitekturën, duhet t’i nënshtrohen dhe një konkursi specifik. Kështu, pas provimeve të Maturës Shtetërore, në fund të muajit gusht ata do të testohen për të grumbulluar rreth 65 pikë të domosdoshme për t’u pranuar në këtë degë. “Konkursi zhvillohet në datat 27, 28 dhe 29 gusht, dhe pas kësaj bëhet vlerësimi. Konkursi parashikon tre rubrika, vizatim në natyrë, vizatim teknik, njëkohësisht dhe kompozim, që janë specifika dhe të degës së arkitekturës dhe në total janë 65 pikë”, u shpreh dje Jorgo Kaçani, Rektor i Universitetit Politeknik. Sa i përket kuotave të pranimit, Kaçani tha se ato do të jenë të njëjta edhe për vitin akademik 2009-2010. “Për degën e arkitekturës, Universiteti Politeknik ka 105 kuota, të cilat kanë qenë në mënyrë tradicionale dhe në mënyrë të vazhdueshme. Në qoftë se do të ketë ndryshime, si do që të vijë gjithmonë do të respektohen rezultatet që kanë dhënë nga konkursi”, nënvizoi Kaçani. Nga sa është përcaktuar në rregulloren e Maturës Shtetërore, konkursi special do të jetë vendimtar në përzgjedhjen e kandidatëve fitues për pranimet edhe në akademitë, qofshin këto sportive apo artistike. Procesi i përllogaritjes së rezultatit final për këta maturantë do të përfshijë në llogaritje 80 për qind të rezultatit të arritur në testimin special dhe 20 për qind i korrespondon notës mesatare, të arritur nga kandidati në katër vjetët e shkollës së mesme. Sipas ndryshimeve të bëra në rregullore, këta maturantë nuk do të jenë të detyruar të japin provimet me zgjedhje, ashtu siç është proceduar në vitet e shkuara. Përjashtim në këtë rast bëjnë ata kandidatë që në plotësimin e formularit A-1 kanë caktuar edhe dy lëndët me zgjedhje që duan të japin provim, pavarësisht se kanë aplikuar për ndjekjen e studimeve të larta pranë akademive.