Privatizimet, 30 ditë kohë për ish-pronarët
Fabiola Çela
Qeveria ka miratuar rregulla të reja për privatizimin dhe vlerësimin e pronës shtetërore. Sipas ndryshimeve të bëra do të jetë prefektura dhe institucioni që do të merret me të gjitha procedurat e nevojshme për privatizimin e pronës shtetërore. Ndërkohë në rast se për objektin që do të privatizohet ka më shumë se një pronar, atëherë për privatizimin e këtij objekti duhet të jenë dakord të gjithë pronarët. Në rast të kundërt do të jetë qeveria ajo që do të merret me shitjen e këtij objekti dhe ish-pronarët do të kompensohen nga komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave. Blerësi i objektit duhet që brenda datës së kryerjes së ankandit të ketë kryer pagesën.
Ndryshimet
Sipas ligjit të mëparshëm, zyrat e urbanistikës në prefekturat përkatëse miratonin gentplanin e objekteve që do të privatizohen, por praktika e punës ka treguar se ka vonesa për konfirmimin e gentplaneve. Për rrjedhojë ka pasur pengesa deri në bllokim të procesit të privatizimit. Me projektvendimin e miratuar nga qeveria është përcaktuar se do të jetë institucioni i prefektit që konfirmon gentplanin e objektit, si në rastin e privatizimit dhe në rastet e përfshirjes së objektit në fond kompensimi, duke i lënë kështu hapësirë këtij institucioni të mbyllë këtë procedurë brenda strukturave të veta. Gjithashtu nga praktika e punës ka rezultuar i nevojshëm konfirmimi i gentplanit nga institucioni i prefektit edhe për shoqëritë aksionerë apo ato me kapital të përbashkët, që janë në procedurë privatizimi në rastet kur është i domosdoshëm hartimi i një gentplani të ri nga ekspertët vlerësues, të përputhur me dokumentin hipotekar të shoqërisë. Në këtë projektvendim është saktësuar dhe përmirësuar procedura e shitjes. Në rastet kur një objekt ka më shumë se një pronarë apo më shumë bashkëpronarë trualli, të cilët zotërojnë mbi 70 për qind të sipërfaqes së nënobjektit, dhe pjesa tjetër e objektit ka gjithashtu pronarë trualli, e drejta e parablerjes do të aplikohet për të gjithë pronarët sipas një marrëveshje të arritur mes tyre. Në qoftë se nuk arrihet marrëveshja midis bashkëpronarëve brenda një afati 30 ditor nga përfundimi i publikimit në afishe, objekti do t’i nënshtrohet procedurave të ankandit dhe ish-pronarët do të kompensohen. Në rastet e shpalljes fitues në ankandin që zhvillohet për shitjen e objektit të një prej ish-pronarëve të truallit, në pagesën e vlerës së truallit zbritet vlera e truallit që i përket pjesës së tij, e njohur apo e kthyer me vendim të komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve, e vlerësuar me çmimet e hartës së vlerës së truallit. Në këtë projektvendim është theksuar se blerësi është i detyruar të bëjë pagesën vetëm me lekë të pjesës së mbetur të çmimit të arritur në ankand të objektit bashkë me truallin brenda 30 ditëve nga data e zhvillimit të ankandit.
Ndryshimet
Institucioni i prefektit konfirmon gentplanin e objektit për privatizim në 5 kopje origjinale, duke e nënshkruar dhe vulosur atë brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës dhe më pas ia përcjell degës së shoqërive publike
Shoqëria ia dërgon institucionit të prefektit ku ka vendndodhjen shoqëria, kërkesën për konfirmim të gentplanit, të hartuar nga ekspertët vlerësues përkatës. Institucioni i prefektit, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës, konfirmon gentplanin e shoqërisë në 5 kopje origjinale, duke e nënshkruar dhe vulosur atë dhe më pas ia përcjell shoqërisë.
Kur sipërfaqja e tokës, pronë e subjektit të shpronësuar, shtrihet në mbi 70 % të sipërfaqes së truallit nën objekt, për objektin që privatizohet e drejta e parablerjes shtrihet në të gjithë objektin nëse pjesa tjetër nuk ka pronarë, në të kundërt, pavarësisht se një pronar apo më shumë bashkëpronarë zotërojnë mbi 70% të sipërfaqes së objektit dhe pjesa tjetër ka pronarë trualli të identifikuar, objekti privatizohet vetëm në bashkëpronësi, me marrëveshje të dokumentuar. Në qoftë se nuk arrihet marrëveshja ndërmjet bashkëpronarëve brenda një afati 30-ditor nga përfundimi i publikimit me afishe, objekti u nënshtrohet procedurave të ankandit dhe ish-pronarët kompensohen.
Në rastet e shpalljes fitues, të ankandit, që zhvillohet për shitjen e objektit të njërit prej ish-pronarëve të truallit, në pagesën e vlerës së truallit zbritet vlera e truallit që i përket pjesës së tij, e njohur apo e kthyer, me vendim të komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve, e vlerësuar me çmimet e hartës së vlerës së truallit.
Për rastet kur, për objektin, që privatizohet, ka një pronar apo disa bashkëpronarë, të cilët kanë një marrëveshje të dokumentuar dhe gëzojnë të drejtën e parablerjes, por një pjesë e truallit, sipas gentplanit të privatizimit, nuk bie në pronën e ish-pronarëve dhe rezulton e pazënë me objekt të konfirmuar shtetëror, veprohet, si më poshtë vijon:
Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike ua ofron për blerje bashkëpronarëve, që gëzojnë të drejtën e parablerjes së objekteve.
Në rast se ish-pronarët shprehen me shkrim se nuk janë dakord ta blejnë këtë sipërfaqe trualli, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike i dërgon një shkresë, të shoqëruar me kopje të gentplanit, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për përdorimin e kësaj sipërfaqeje për fond kompensimi për ish-pronarët, duke vënë në dijeni edhe Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës”.
“Brenda 30 ditëve nga data e zhvillimit të ankandit, blerësi është i detyruar të bëjë pagesën, vetëm me lekë, të pjesës së mbetur, sipas çmimit të arritur në ankand, për objektin dhe truallin”.