Universitetet, si të zgjidhni degën fituese
zirina llambro
Një orientim vjen nga Ministria e Arsimit për të gjithë kandidatët për në universitet. Nëse njërën nga lëndët me zgjedhje e kanë gjuhë të huaj dhe në formularin A2 zgjedhin një prej degëve të po këtij profili, shanset e tyre për t’u ulur në auditorë janë më të mëdha. Këtë fakt e pranon drejtori i arsimit parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu. Sipas tij, koeficientet për gjuhët e huaja, me të cilët do të bëhet përllogaritja e pikëve janë më të lartë, krahasuar me degët e tjera. “Kemi dy aspekte, i pari që janë shtuar gjuhët e huaja në listën e lëndëve me zgjedhje, dhe i dyti ka tjetër vlerësim në koeficient për gjuhët e huaja. Anglishtja, ashtu si vitin e kaluar, është më e kërkuara nga fakultetet”, tha Vejsiu. Ndërkaq nga statistikat rezulton se numri i maturantëve që kanë zgjedhur njërën nga lëndët me zgjedhje gjuhë të huaj, është disa herë më i lartë se vitin e kaluar. Sakaq një tjetër lajm i mirë vjen për të gjithë maturantët me mesataren mbi 8. Sipas statistikave zyrtare nga Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve degët më të mira të shkollave të larta janë pushtuar pikërisht nga kandidatët që kanë pasur këtë rezultat për 4 vitet e gjimnazit. ”Shanset e tyre për të fituar, ndonëse pesha e mesatares nuk është baza e Maturës Shtetërore janë më të larta se të tjerët. Të paktën këtë dëshmojnë të dhënat që kemi analizuar”, pohojnë specialistët e AVA-s. Kështu sipas statistikave degët: Stomatologji; Farmaci; Mjekësi e Përgjithshme; Inxhinieri Ndërtimi; Informatike Ekonomike; Drejtësi; Financë; Shkenca Politike; Inxhinieri Elektronike dhe Psikologji, janë fituar nga maturantë që notën mesatare për katër vitet e gjimnazit, e kanë pasur më të lartë se 8. Madje jo vetëm kaq, por në secilën prej këtyre 10 degëve, nuk është shpallur fitues asnjë maturant poshtë notës 8. Megjithëse mesatarja zë vetëm 20 për qind të pikëve të përgjithshme në provimet e Maturës, ajo është një përcaktuese e fortë në rezultatet e provimeve. Kjo pasi tregon nivelin e nxënësve dhe përgatitjen sistematike të tyre në vitet e shkollës së mesme. Ndërkaq ka nisur në shkolla plotësimi i formularit A2. Maturantët kanë gjithë kohën në dispozicion të tyre për të tërhequr një fotokopje, për t’u praktikuar në shtëpi e më pas për të plotësuar siç duhet origjinalin. Gabimet në formularin A2 do të kishin kosto të lartë, pasi këtë vit të dhënat janë të personalizuara dhe formulari është unik.