E Diel, 1 Nëntor 2026

Arkitekturë do me thënë jetë!Nga Enver Robelli Brenda një dite të vetme në Zagreb u gjenda në dy ekspozita të arkitekturës. Njëra u hap në Muzeun e Arkitekturës në 90-vjetorin e Bauhausit, shkollës së dizajnit dhe arkitekturës, të themeluar nga Walte

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Arkitekturë do me thënë jetë!Nga Enver Robelli

Brenda një dite të vetme në Zagreb u gjenda në dy ekspozita të arkitekturës. Njëra u hap në Muzeun e Arkitekturës në 90-vjetorin e Bauhausit, shkollës së dizajnit dhe arkitekturës, të themeluar nga Walter Gropius. Edhe pse mbërritëm me kohë, pak minuta pas orës 18:00, s’kishte vend për bé. Folën drejtori i Muzeut, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë, ambasadori i Gjermanisë (të gjithë nga pesë minuta, prandaj s’e lodhën askënd me përshëndetje banale si në tubimet në Kosovë!), pastaj studiues të fushave të ndryshme i shpjeguan publikut rëndësinë e Bauhausit, një shkollë që kishte aplikuar në arkitekturë funksionalitetin e ndërtimeve. “Qëllimi përfundimtar i të gjitha veprimtarive artistike duhet të jetë ndërtimi! (…) Arkitektët, skulptorët, piktorët, ne të gjithë duhet t’i kthehemi zejes! (…) Artisti është përsosje e zejtarit”, - shkruante Walter Gropius në Manifestin e Bauhausit.

Ekspozita e dytë është në Sallonin e Arkitekturës në Zagreb. Ky është Salloni i 44-t me radhë që nga viti i themelimit më 1965. Organizuar nga Shoqata e Arkitektëve të Kroacisë (UHA), në këtë ekspozitë përzgjedhëse po prezantohen 100 punimet më të mira ndërtimore të krijuara në tri vitet e fundit. Ndonëse Kroacia ka arkitektë të njohur, madje shkolla e arkitektëve të Zagrebit ka lënë pothuaj çdo kund gjurmë në ish-Jugosllavi, Shoqata e Arkitektëve të Kroacisë si selektor të ekspozitës kishte angazhuar arkitektin dhe kritikun e arkitekturës nga Holanda, Hans Ibelings. Prej 556 punimeve të dorëzuara për periudhën kohore 2006-2009 Ibelings ka përzgjedhur 100 punime, të cilat, sipas mendimit të tij, tregojnë se arkitektura kroate zë një vend të rëndësishëm në arkitekturën evropiane. Nuk ishte një mbrëmje vetëm për arkitektë, kur Hans Ibelings hapi Sallonin e Arkitekturës të premten e kaluar në Zagreb. Përkrah tij ishte prefekti i Zagrebit, zëvendësministrja e Kulturës, përfaqësues të medieve, kritikë të artit, artistë dhe, natyrisht, shumë arkitektë, teknikë ndërtimi, inxhinierë.

Çfarë tregojnë këto dy ekspozita? Mbi të gjitha ato flasin për praninë e arkitekturës në diskursin publik. Ato tregojnë se përmes tyre forcohet vetëdija e shoqërisë për një sjellje të kujdesshme ndaj hapësirës publike. Në këtë mënyrë synohet të forcohet përgjegjësia e politikanëve se çdo ndërhyrje në planin urbanistik, çdo ndërtim duhet të realizohet nga dora e profesionistëve, nga arkitektët. Shpesh flitet keq për kryetarin e Zagrebit, disa e quajnë të korruptuar, disa s’e shohin me sy të mirë, sepse Milan Bandiç është ardhacak nga Hercegovina e Bosnjës. Por edhe sikur Bandiçi të ishte qëllimkeq dhe të përpiqej t’i ngarkonte qytetit ndërtime pa leje dhe pa shije, një gjë të tillë nuk do ta lejonte as opinioni, as Shoqata e Arkitektëve, as bota mediale në Zagreb. Ngjashëm është edhe në pjesë të tjera të Kroacisë, ndonëse ky vend si pjesët e tjera të Ballkanit ka kaluar nëpër luftë dhe ka pësuar shkatërrime. Sigurisht, arkitektët nuk mund ta rregullojnë një hapësirë të devastuar publike, nëse nuk ekziston vetëdija se kaosi duhet të eliminohet. Për ta bërë këtë arkitektët duhet të kenë mbështetjen e politikanëve dhe të opinionit. Një rol të rëndësishëm duhet të luajë sidomos pushteti lokal, i cili është afër problemeve të ndërtimit. Në psikologji dhe në sociologji ky ndërveprim quhet interaksion, domethënë veprim i ndërsjellë i dy apo më shumë personave apo institucioneve.

Të gjitha këto vlejnë edhe për Kosovën, nëse seriozisht synohet që ky vend të çlirohet nga ndërtimet groteske, të cilat ia kanë zënë frymën shoqërisë. Në numrin e fundit të revistës së rëndësishme të arkitekturës “A10”, e cila botohet në Holandë, janë botuar disa shembuj të arkitekturës kosovare, të cilët e bëjnë atë të krahasueshme me rajonin. Arkitekti kosovar Lulzim Kabashi, zyra e të cilit në Sallonin e sapohapur të Arkitekturës në Zagreb ka prezantuar tri punime, shkruan në revistën “A10” se as dhjetë vjet pas luftës dhe një vit pas pavarësimit Kosova s’ka mësuar asgjë nga përvoja e tranzicionit në vendet fqinje. Derisa në këto vende kalimi nga sistemi socialist në ekonominë e tregut dhe në demokraci ka ndodhur me më shumë kujdes, në Kosovë hapësira urbane është shkatërruar nga një furtunë dramatike. Kjo ka ndodhur, sipas Kabashit, si pasojë e diskontinuitetit historik në strukturën fragmentare të qyteteve të Kosovës. Zhvillimi kaotik i tyre është pasojë e mungesës së një politike të artikuluar hapësinore. Megjithëkëtë, punimet e kolegëve kosovarë të prezantuara nga Kabashi japin shpresë se arkitektët në të ardhmen do të zënë një vend më të rëndësishëm në ndërtimin e objekteve të ndryshme në Kosovë. (Revista “A10” është themeluar në vitin 2004 me qëllim të përcjelljes së zhvillimeve arkitektonike në Evropë. “A10” ka një rrjet prej 70 korrespondentëve në të gjitha vendet e Evropës, të cilët njoftojnë rregullisht mbi ndryshimet hapësinore dhe gjeografike, si dhe projektet e reja në Evropën e bashkuar).

Të qahesh kundër gjendjes ekzistuese nuk është ndonjë meritë edhe aq dobiprurëse. Duhet të stimulohet aftësia se kaosi urban në Kosovë nuk rregullohet pa u mbështetur arkitektët e mirë, pa e forcuar ndjenjën se kjo tokë e ky nënqiell duhet të ekzistojnë edhe për të tjerët, për gjeneratat që vijnë. Çfarë duhet bërë tjetër? Shoqata e Arkitektëve të Kosovës duhet të jetë më aktive në nxitjen e debateve mbi rëndësinë e planifikimit hapësinor, duhet të jetë më hapur për bashkëpunim me kolegë të tjerë në rajon dhe në Evropën Perëndimore. Me një fjalë, siç nënvizon Kabashi, arkitektët e Kosovës do të duhej të ishin këmbëngulës në gjetjen e mënyrave se si autoritetet kombëtare dhe lokale mund të kanalizojnë energjinë shoqërore për të nxjerrë përfitim publik nga iniciativat private.

Pse, për shembull, të mos kontaktohet menjëherë instituti kulturor i Gjermanisë “Goethe”, i cili ka organizuar ekspozitën mbi 90-vjetorin e Bauhausit në Zagreb. Nuk është e pamundshme që kjo ekspozitë pas mbylljes në Zagreb të sillet edhe në Prishtinë. Për këtë do të duhej të angazhohej edhe Ministria e Kulturës. Duhet vetëm pak vullnet dhe shumë dëshira të mira. Atëherë të gjithë mund të përfitojnë. Ndryshimet në kaosin urban nuk mund të ndodhin brenda një kohe të shkurtër. Për këtë duhet durim, këmbëngulje dhe hapje kulturore.

Është e habitshme pse mediat në Kosovë nuk merrem më seriozisht me këtë çështje. Asnjërit prej projekteve arkitektonike kosovare të prezantuara në revistën “A10” më parë nuk i është kushtuar ndonjë rëndësi nga gazetat dhe televizionet e Prishtinë. Për çdo ditë mund të lexojmë mbi ndërtimet pa leje, inspektorët e korruptuar ndërtimorë, por asnjëherë nuk prezantohet qoftë edhe një projekt i pranueshëm si këta që po i shohim në “A10”. Në këtë mënyrë ndoshta njerëzit sadopak do të detyroheshin bile të mendonin se ka ilaç për kaosin arkitektonik të Kosovës. Sepse: Arkitekturë domethënë jetë! Këtë e kanë kuptuar të gjitha vendet e rajonit, përveç Kosovës dhe Shqipërisë (me përjashtim të Tiranës së Edi Ramës). Para disa javësh autoritetet në Mal të Zi njoftuan se fitues i konkursit për rregullimin urbanistik dhe arkitektonik të kompleksit të pendës së Mratinjës është zyra e arkitekturës “ivanishin.kabashi” nga Zagrebi, pronë e arkitektëve Krunoslav Ivanishin dhe Lulzim Kabashi. Përmes rregullimit të kësaj hapësire Qeveria e Malit të Zi synon të krijojë kushtet për valorizimin turistik të liqenit të Pivës në veriperëndim të vendit. Kur vjen ajo ditë, në të cilën autoritetet në Kosovë shpallin konkurs ndërkombëtar për të rregulluar ndonjë hapësirë publike? Është mirë të mësohet nganjëherë edhe nga Mali i Zi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›