LSI para zgjedhjeve: Berisha ia shiti Shqipërinë Greqisë për një përkëdhelje elektoraleNga TemaMinistri i Jashtëm, Ilir Meta, doli dje në mbrojtje të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar. Meta sulmoi ashpër opozitën
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
LSI para zgjedhjeve: Berisha ia shiti Shqipërinë Greqisë për një përkëdhelje elektoraleNga TemaMinistri i Jashtëm, Ilir Meta, doli dje në mbrojtje të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar. Meta sulmoi ashpër opozitën në lidhje me këtë marrëveshje, duke theksuar se ajo po nxit ksenofobinë dhe konfliktualitetin në rajon.
“Dua të garantoj të gjithë opinionin publik se për realizimin e kësaj marrëveshjeje, e cila është një detyrim ndërkombëtar i Shqipërisë që rrjedh nga aderimi i saj në Konventën e Detit, janë angazhuar specialistët më të mirë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme dhe institucioneve të tjera dhe janë ndjekur në mënyrë strikte të gjitha rregullat dhe procedurat që parashikon legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar. Dua të shpreh keqardhjen time të thellë për trajtimin që lidershipi i opozitës i ka bërë kësaj çështjeje, duke hyrë në një rrugë pa krye e të rrezikshme që nxit ndjenjat e ksenofobisë ndaj vendeve fqinje, rikthen frymën e konfliktualitetit dhe izolimit në politikën rajonale të paqes dhe stabilitetit që Shqipëria në vazhdimësi ka ndjekur në rajon, duke synuar cenimin e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes vendit tonë dhe Greqisë”, - tha Meta.
Por, krejt ndryshe mendonte zoti Meta, kur bënte rolin e opozitarit. Në atë kohë, pas shpalljes së marrëveshjes, Meta sulmonte ashpër Berishën duke theksuar se ai po i shet Shqipërinë Greqisë, vetëm që të marrë ndonjë përkëdhelje greke.
“Në vend që në bisedimet me Greqinë të shtrohej dhe të kërkohej zgjidhje për çështjen çame, për çështjen e pronave të shqiptarëve në Greqi, për të drejtat e emigrantëve tanë aty, për çështjen e gjendjes së luftës dhe çështje të tjera në interes të Shqipërisë, Berisha pranon pa kushte pushtimin në tavolinë të 220 km territor ujor. Sali Berisha sapo na dha të gjithëve edhe një shembull tjetër të antishqiptarizmit të tij, shembull që tregon qartë se ai është i gatshëm të shesë Shqipërinë te Greqia apo çdo ofrues tjetër për një mandat tjetër qeverisës”, - deklaronte më 29 prill të këtij viti, zëvendëssekretari i Përgjithshëm i LSI, Besian Pesha.
Kryetari i LSI, Ilir Meta
14.10.2009
Lidhur me çështjen e shumëpërfolur së fundmi në media për Marrëveshjen mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, për përcaktimin e kufirit detar dhe shelfit kontinental, dua të sqaroj se e gjithë kjo është një spekulim i pastër dhe keqinformim i opinionit publik.
Për të shuar çdo aludim, keqinterpretim apo keqdashje, do të ndiqet rruga me transparencë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe do të sqarohen në mënyrë të plotë të gjitha shqetësimet dhe pretendimet e ngritura, në mënyrë qe t’u jepet fund spekulimeve dhe falsifikimeve mbi të vërtetën e kësaj çështjeje.
Dua të garantoj të gjithë opinionin publik se për realizimin e kësaj marrëveshjeje, e cila është një detyrim ndërkombëtar i Shqipërisë që rrjedh nga aderimi i saj në Konventën e Detit, janë angazhuar specialistët më të mirë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme dhe institucioneve të tjera dhe janë ndjekur në mënyrë strikte të gjitha rregullat dhe procedurat që parashikon legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar.
Dua të shpreh keqardhjen time të thellë për trajtimin që lidershipi i opozitës i ka bërë kësaj çështjeje, duke hyrë në një rrugë pa krye e të rrezikshme që nxit ndjenjat e ksenofobisë ndaj vendeve fqinje, rikthen frymën e konfliktualitetit dhe izolimit në politikën rajonale të paqes dhe stabilitetit që Shqipëria në vazhdimësi ka ndjekur në rajon, duke synuar cenimin e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes vendit tonë dhe Greqisë.
Ftoj opozitën të gjykojë me kthjelltësi dhe pa emocione, si dhe të ndjekë rrugën institucionale për realizimin e transparencës së plotë të kësaj çështjeje, duke u distancuar nga frymëzimet ekstremiste që cenojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, sikurse mund të jenë thirrjet për djegien publike të flamujve kombëtarë të vendeve fqinje, apo siç është edhe rasti në fjalë, pasi epoka e nacionalizmit dhe ekstremizmit në Ballkan ka përfunduar dhe raste të tilla janë episodike dhe të nxitura nga qarqe që kërkojnë të na kthejnë pas apo që për arsye të mbijetesës së tyre nxisin këtë frymë regresive.
Nuk është dhe nuk mund të jetë kjo linja e politikës sonë të jashtme, e cila ka si objektiv kryesor integrimin e vendit dhe të të gjithë rajonit në rrjedhat dhe institucionet euroatlantike dhe Bashkimin Evropian.
Qeveria shqiptare është e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet e saj ndërkombëtare dhe ato kushtetuese, duke garantuar në çdo rast dhe mbi të gjitha sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë.
U bëj edhe një herë thirrje të gjitha palëve të interesuara dhe veçanërisht opozitës, të bëhen pjesë e transparencës mbi këtë çështje dhe të mos krijojnë me qëllim apo pa dashje emocione të dëmshme, por të respektojnë punën e ekspertëve dhe legjitimitetin e saj.
Zv/Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Besian Pesha
29.04.2009
Ndihem shumë i indinjuar dhe i fyer sot, në radhë të parë si shqiptar dhe mbi të gjitha si vlonjat, nga marrëveshja e fshehtë dhe grabitqare që Sali Berisha dhe qeveria e tij antikombëtare ka nënshkruar me shtetin grek për demilitimin e territorit ujor. Siç është bërë e ditur nga mediat shqiptare, kjo marrëveshje parashikon faljen e 220 km2 territor ujor nga ana e Sali Berishës shtetit grek. Është e papranueshme, jo vetëm për popullin e Vlorës, por për të gjithë shqiptarët që Berisha të sillet me Shqipërinë sikur ajo të ishte prona e tij private, të cilën mund t’ia shesë apo falë kujt të dojë dhe si të dojë, pa informuar më parë dhe pa marrë mendimin e shqiptarëve. Territoret ujore të vendit tonë, qofshin ato pranë Karaburunit, pranë Sazanit apo pranë Ksamilit, nuk janë dhe s’kanë për të qenë kurrë mjet pazari personal midis Berishës dhe Karamanlisit, por duhet të jenë siç kanë qenë në jetë të jetëve mjet për përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe pasuri e tyre e patjetërsueshme. Tokat dhe detet rreth Shqipërisë kanë qenë, janë dhe do të jenë pjesë e pasurisë kombëtare shqiptare dhe ne nuk do të lejojmë kurrë asnjë flamur të huaj që të valëvitet mbi to. Gjaku shqiptar i derdhur në vite për mbrojtjen e kufijve nuk do të mohohet dot kurrë nga Sali Berisha, i cili po tregon se është gati të shesë dhe vendin për një përkëdheli greke.
Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por dhe në emër të gjithë shqiptarisë, i bëj thirrje Sali Berishës që urgjentisht të bëjë transparente këtë marrëveshje të pistë, që i ngjan për nga përmasat marrëveshjes për shitjen e vendit nga Ahmet Zogu. Kjo marrëveshje duhet t’iu vihet në dispozicion të gjithë shqiptarëve dhe janë ata dhe vetëm ata që mund të vendosin se si do të përdoren territoret tona ujore. Unë, si drejtues i LSI për qarkun e Vlorës, nuk do të rresht kurrë së foluri, denoncuari dhe vepruari kundër kësaj marrëveshjeje të pistë dhe antikombëtare.
Në vend që në bisedimet me Greqinë të shtrohej dhe të kërkohej zgjidhje për çështjen çame, për çështjen e pronave të shqiptarëve në Greqi, për të drejtat e emigrantëve tanë aty, për çështjen e gjendjes së luftës dhe çështje të tjera në interes të Shqipërisë, Berisha pranon pa kushte pushtimin në tavolinë të 220 km territor ujor.
Sali Berisha sapo na dha të gjithëve edhe një shembull tjetër të antishqiptarizmit të tij, shembull që tregon qartë se ai është i gatshëm të shesë Shqipërinë te Greqia apo çdo ofrues tjetër për një mandat tjetër qeverisës. Iu bëj thirrje të gjithë vlonjatëve që të reflektojnë për këtë akt të turpshëm të Berishës dhe i bëj thirrje të gjithë spektrit politik shqiptar, faktorëve të shoqërisë civile dhe medies që të reagojnë menjëherë dhe pa reshtur deri në zbardhjen dhe anulimin e kësaj marrëveshje antikombëtare.