E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirupafshim në provokimin e ardhshëmNga Kim MehmetiNëse pyesni ndonjë partizan të zjarrtë të PDSH se cila Maqedoni është e mirë për popullin shqiptar, ai me siguri do u përgjigjej se ky shtet është i mirë, vetëm kur në pushtet është partia e tij, kur

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Mirupafshim në provokimin e ardhshëmNga Kim Mehmeti

Nëse pyesni ndonjë partizan të zjarrtë të PDSH se cila Maqedoni është e mirë për popullin shqiptar, ai me siguri do u përgjigjej se ky shtet është i mirë, vetëm kur në pushtet është partia e tij, kur punësohen vetëm shokët e tij partiakë, kur kjo parti kontrollon Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe rektorët e vërtetë të këtij institucioni më të lartë arsimor në gjuhën shqipe janë krerët e PDSH. Po qe se ia shtroni të njëjtën pyetje ndonjë simpatizanti të BDI, do merrni po të njëjtën përgjigje, përgjigje që kanë këtë domethënie: Maqedonia është e mirë dhe pranueshme vetëm për partizanët e BDI dhe të PDSH, edhe atë varësisht se cila nga këto dy parti është në pushtet. Dhe duke qenë Maqedonia e mirë herë për PDSH e herë për BDI, ajo mbeti gjithmonë e largët për shqiptarët e këtushëm. Dhe u bë shtet, për të cilin gjithashtu, shqiptarë “të mirë” janë vetëm ata që votojnë dhe kanë mbrojtjen e partisë shqiptare në pushtet, e përqindja e të cilëve gjithnjë e më shumë zvogëlohet. Apo thënë më qartë: Maqedonia mbeti shtet, i cili nuk ka nevojë për shqiptarët, por për partitë shqiptare që do garantojnë se do ia dalin të sigurojnë dëgjueshmërinë qytetare të popullit që përfaqësojnë. Pra, Maqedonia e sotme ka nevojë për parti shqiptare që do mbulojë antishqiptarin e Gruevskit.

Duke u nisur nga kjo e vërtetë, gabojnë ata që mendojnë se ka parti shqiptare, e cila do tërhiqej nga koalicioni qeveritar me Gruevskin, pasi të ndodhte, për shembull, ndonjë “Brodec” apo pas botimit të ndonjë “Enciklopedie” që shpreh frymën institucionale antishqiptare. Gabojnë, shkaku është se as BDI, as PDSH, nuk bëhen pjesë e koalicionit qeveritar me VMRO-DPMNE që të luftojnë antishqiptarinë institucionale në këtë shtet, por që të dëmtojnë njëra-tjetrën. Me çka ato u shpalosën si parti, të cilat nuk e dinë se legjitimiteti i keqpërdorur, ta merr kredibilitetin të përfaqësosh ata që të kanë votuar. Apo thënë edhe më qartë: një parti që bëhet mbulesë e antishqiptarisë së kujtdo qoftë, nuk ka kredibilitet të thirret në emër të votuesve, por vetëm në emër të udhëheqësisë së ngushtë partiake.

Nuk ka dyshim se, nëse dikush do e pyeste Gruevskin se cila parti shqiptare i pëlqen më shumë, e nëse ai do jepte një përgjigje të sinqertë, pa dyshim se do përcaktohej për atë që ka në koalicionin qeveritar dhe do shtonte se në të vërtetë partitë e këtushme shqiptare me asgjë nuk dallojnë mes veti. Apo, do tregonte se ai njeh një PDSH e një BDI që atë e shpallin antishqiptar, përderisa janë në opozitë, dhe po të njëjtat parti mike dhe të afërta me VMRO-DPMNE, që nga çasti kur bëhen pjesë të koalicionit qeveritar. Mbase Gruevski një ditë do u rrëfejë shqiptarëve të këtushëm edhe të vërtetën e madhe pse sillet aq komod ndaj partnerit të vet shqiptar: se nga çasti kur ato i bënë pjesë të koalicionit qeveritar, nga aty nuk mund t’i nxjerrësh as me shkelma, se nga aty ato mund t’i largojë vetëm ai e askush tjetër.

Duke u nisur nga kjo e vërtetë, lirisht mund të thuhet se Gruevski e zbuloi çelësin si mund t’i defaktorizojë e t’i kontrollojë partitë e këtushme shqiptare, ai e kuptoi se, duke mos pasur as program as koncept të qartë veprimi, ato parti qëllim të vetëm kanë ardhjen në pushtet me çdo kusht dhe me cilindo partner maqedonas. Andaj, duke e kuptuar këtë të vërtetë, Gruevski as që ka pasur nevojë ndonjëherë të heqë dorë nga bindjet e veta se Maqedonia ka shumë armiq të jashtëm, por vetëm një armik të brendshëm: rrezikun shqiptar. Dhe duke pasur këtë bindje, ai vepron ashtu si në vitet e socializmit: punëson shqiptarë që ata mos punojnë asgjë, që të marrin pagë, por të mbeten sa më larg institucioneve shtetërore, të dinë sa më pakë se si punohet në qendrat e vendosjes. Pra, duke e gjetur çelësin si t’i detronizojë partitë politike shqiptare, ai ia doli që ato t’i kënaqë me punësimin e aq shqiptarëve sa duan partitë shqiptare në pushtet, por me kusht që ata të mos u përzihen në punë qendrave antishqiptare nëpër institucionet e shtetit. Me çka shqiptarët e këtushëm nuk ia dolën të ndërtojnë as elita politike e as elita nga sferat tjera që duhet t’i ketë një shoqëri e shëndoshë. Apo kanë “elita” sezonale, të cilat jetojnë po aq sa është në pushtet partia që ato i ka promovuar si të tilla.

Pa dyshim se është e kotë të presësh nga cilado parti shqiptare që ajo të merret me shpalosjen e antishqiptarisë dhe pastrimin e institucioneve shtetërore nga qarqet proserbe politike e shkencore, sepse, as BDI, as PDSH, nuk ia dolën të bëhen partnerë që do bashkëqeverisin me VMRO-DPMNE, por vetëm zbukurim i ikebanës politike në Maqedoni. Dhe duke qenë parti të tilla, ato as që e kuptojnë se problemi i tyre nuk është pse ato i përfaqësojnë shqiptarët nëpër institucionet më të larta shtetërore, por si i përfaqësojnë. Dhe se shqiptarët nuk kanë nevojë për përfaqësues të tyre që fillojnë të mendojnë si duhet, vetëm kur janë në opozitë, apo ashtu si ata të partisë më të madhe të dikurshme shqiptare - Partisë për Prosperitet Demokratik - të cilët, derisa ishin ministra e deputetë, heshtnin si peshq, e posa mbetën pa kolltukët e butë, u bënë opinionistë dhe mendimtarë politikë. Pra, shqiptarët e këtushëm nuk kanë nevojë për politikanë që fillojnë të mendojnë drejt, kur janë në opozitë apo kur bëhen “kufoma” politike.

Nuk ka dyshim se pjesëmarrja e tanishme e BDI në këtë koalicion qeveritar me VMRO-DPME nuk mund të arsyetohet me asgjë. Përpos me projektin shumë fisnik dhe human të Ali Ahmetit, që nga një antishqiptar të përbetuar, siç është Gruevski, të edukojë e të bëjë një kozmopolit të përmasave leniniste. Gjë që është aq e mundur, sa ujkun ta bësh qen, që do ruajë kopenë e dhenve. Por nga ta dish, njeriu asnjëherë nuk duhet të thotë sa ke gjëra që kurrë nuk do mund të ndodhin. Më në fund, çdo gjë do varet nga durimi i shqiptarëve të këtushëm, nga ajo sa ata do lejojnë të mbeten pa të sotme, vetëm pse Ali Ahmeti beson se politika e tanishme shqiptare në Maqedoni nuk ka zgjidhje tjetër përpos të veprojë sipas parimit - duaje armikun tënd, sepse në këtë Ballkan një ditë të gjithë do përqafohemi si miq. Ku ta dish, mbase ky mund të jetë parakusht për të ardhmen ballkanase, për një të ardhme kur nuk do lodhemi se kush shkruan e kush boton enciklopedi, por cila rrugë të çon më shpejt nëpër qendrat evropiane. Mbase ky mund të jetë parakusht për ndërtimin e një Maqedonie, e cila nuk do jetë herë e mirë për PDSH e herë për BDI, por njësoj e keqe dhe e mirë për të gjithë qytetarët e saj. Mirëpo, ajo që mund të thuhet që tani është se këtë parakusht asnjëherë nuk do arrijnë ta përmbushin politikanë të atillë siç i ka populli shqiptar në Maqedoni, e me të cilët tallet edhe një Gruevski që pas mbylljes së një provokimi antishqiptar atyre u thotë: “Mirupafshim deri në provokimin e ardhshëm!” Kështu që, pas promovimit të “Enciklopedisë”, ai i ndalon librat nga Shqipëria të arrijnë në panairin e Tetovës. Më në fund, çdonjëri bën punën e vet: Gruevski ushtron antishqiptari e Ali Ahmeti i shpjegon se sa e dëmshme është kjo për shtetin. E ndërkohë Maqedonia ngadalë po sigurt kalbet dhe bëhet gjithnjë e më e huaj për shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›