E Diel, 1 Nëntor 2026

Arkiva britanike, largimi i agjentëve anglezë që mbetwn pa para në Shqipëri



(Vijon nga numri i kaluar)

Zyrtarët shqiptarë mbajtën një qëndrim të paarsyeshëm dhe iritues. Sidoqoftë, pavarësisht nga vështirësitë apo burokracitë e imponuara, italianët mbetën bashkëpunues dhe të mirëdisiplinuar. Në shumë raste ata ndihmuan Shqipërinë në ngarkimin dhe shkarkimin e anijeve dhe, si rrjedhojë, shmangën vonesat në transportin e mallrave.

11. Shqipëria është një vend prodhues i naftës dhe italianët kishin bërë shumë për shfrytëzimin e kësaj pasurie natyrore; rafineritë në Bari ishin ngritur me qëllimin e vetëm për të përpunuar naftën shqiptare.

Puset e naftës ruheshin mirë dhe një dyshim sado i vogël shqyrtohej menjëherë në rast se tentohej të diskutohej kjo çështje. Si rrjedhojë, ky raport duhet të përfshinte një deklaratë të shkurtër lidhur me qëndrimin e gjeneral-kolonel Enver Hoxhës ndaj Petsec-it gjatë periudhës së luftës në Shqipëri. Petsec-u dëshironte të dërgonte një përfaqësues në Shqipëri në fazat fillestare. Ky veprim u kundërshtua nga forcat ushtarake shqiptare pasi konsiderohej se çdo çështje që kishte të bënte me shfrytëzimin e naftës në atë periudhë do të sillte pasoja katastrofike.

Tema në fjalë iu përmend autoriteteve shqiptare kohë pas kohe por pa sukses. Në të vërtetë, Shqipëria nuk mori asnjë deklaratë të qartë lidhur me objektin e saktë të vizitës së Petsec-ut. Më 2 qershor 1945, AFHQ-ja informoi Shqipërinë se asnjë nënprodukt nafte nuk do të dërgohej si ndihmë humanitare deri sa të pranohej Petsec-u. Ky vendim iu komunikua zyrtarëve shqiptarë të cilët u përgjigjën se nuk arrinin të dallonin asnjë lidhje mes ndalimit të ndihmës humanitare dhe pranimit të përfaqësuesit Petsec në vend.
Çështja u parashtrua në mënyrë të vazhdueshme dhe më në fund, më 4 korrik 1945, në një konferencë, me pjesëmarrjen e gjeneral-kolonel Enver Hoxhës, Comd-i dhe D/Comd-i ishin në gjendje të sqaronin me detaje objektin e vizitës së Petsec-ut. Nëse kjo ishte hera e parë që gjeneral-koloneli e kishte marrë personalisht në konsideratë çështjen apo nëse kjo ishte ndërprerja e aktivitetit ushtarak në Shqipëri dhe bashkë me të, fundi i të gjitha mundësive për furnizime në ndihma, kjo nuk do të bëhej asnjëherë e ditur, por gjeneral-koloneli i kërkoi atëherë përfaqësuesit të hynte dhe të inspektonte të gjitha pajisjet dhe të jepte këshilla lidhur me prodhimin. Kapiteni Rudd Petsec-ut hyri në Shqipëri më 18 korrik 1945.

12. Një raport i përkohshëm i kolonel-lejtnant John B Breckinridge, USA D/Comd ML (Albania) që u shkrua nga ai lidhur me riemërimin e tij jepet në shtesën N.

13. Si konkluzion, kjo histori do të ishte e paplotë pa një mendim lidhur me Shqipërinë. Gjatë gjithë muajve rraskapitës të planifikimit dhe gjatë gjithë periudhës së shkurtër operacionale në Shqipëri, të gjithë aktorët u sollën në mënyrë ekzemplare. Shumë ishin të destinuar të mos e vizitonin Shqipërinë, por të ruanin linjën e furnizimit në Itali, por pavarësisht se ku ishte fronti i punës, ajo u krye me besnikëri dhe mirë.

Shembulli dhe sjellja e atyre anëtarëve të ML-së në Shqipëri të cilët punuan atje nuk mund të bënin tjetër veçse të çimentonin miqësinë ekzistuese për aleatët që ishte e dukshme në mbarë Shqipërinë. Kështu, pas 18 muajsh, detyra që iu caktua ML-së në Shqipëri përfundoi dhe të gjithë aktorët mund të hidhnin një vështrim pas në këtë periudhë (duke cituar Sir WS Gilbert) "me ndjesinë e kënaqësisë se detyra e tyre ishte përmbushur".

Subversionet

Kupi na siguroi të gjitha mundësitë për të kontaktuar personelin e armikut, si trupat turkistane dhe italiane që ne donim t'i shkatërronim, dhe me të vërtetë na ndihmoi dhe i rigrupoi ata pasi kishin dezertuar një herë. Gjithashtu, duhet thënë se në shumë raste Kupi u orvat t'i shkatërronte vetë trupat turkistane edhe pse në asnjë rast nuk pati ndonjë sukses të madh.

Shpëtimi i pilotëve

Tetë amerikanë dhe një pilot i forcës ajrore britanike u shpëtuan nga forcat zogiste. Kapiteni i marinës amerikane Teilor (Taylor) dhe togeri Bullok (Bullock) u ndihmuan gjithashtu nga zogistët kur ata ishin bllokuar në Kepin e Rodonit. Këtu duhet të theksohet gjithashtu se për të 11 pilotët amerikanë të parashutuar në Mirditë ishte raportuar se u ishin dorëzuar gjermanëve nga Gjon Markagjoni.

Ndihma kryesore

(a) Shtabi dhe personeli i misionit prej afro 200 personash ishin nën mbrojtjen e forcave zogiste prej 17 prillit deri më 27 tetor. Strehimi, ushqimi, rojat, udhërrëfyesit, përkthyesit ishin siguruar nga Abaz Kupi së bashku me gjithë ndihmën tjetër të mundshme gjatë kësaj periudhe, si për shembull bërja a pazarit për blerjen e kafshëve të transportit (mushka), tagjisë, drithit, naftës dhe gjetjes së korrierëve për t'u lidhur me Tiranën.

(b) Të gjitha masat ishin marrë për lejtënant Hands dhe grupin e tij të cilët, të sigurt, u shoqëruan për te partizanët në Jug të vendit, dhe për Nënkolonelin Seymour dhe një grup amerikanësh, të cilët u shoqëruan për në kufirin jugosllav, në Veri të vendit duke iu dorëzuar partizanëve.

(c) Gjatë muajit të fundit, misionit i mbaruan fondet dhe hyri në borxhe dhe, kur Forca 399 nuk pranoi të dërgonte para të tjera, u duk se nuk kishte më asnjë mënyrë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Për të shmangur një njollë të keqe në reputacionin britanik për mospagim të borxheve te fshatarët shqiptarë, Kupi na dha hua një shumë të konsiderueshme për zgjidhjen e borxhit, megjithëse ai në atë kohë ishte i vetëdijshëm se për pak kohë ne pritej të largoheshim nga Shqipëria dhe se ai nuk do udhëtonte me ne, e për pasojë kishte pak gjasa të merrte sërish paratë e tij.

(d) Evakuimi: Misionit iu siguruan të gjitha lehtësitë për njohjen e terrenit dhe kryerjen e evakuimit edhe pse largimi ynë nënkuptonte një goditje vdekjeprurëse për kauzën e Abaz Kupit. Duhet gjithashtu të theksohet se në një kohë kur nuk kishte mënyra të tjera të pranueshme për evakuimin tonë, Kupi bëri përpjekje për gjetjen e një varke për ne.

vijon

Materiali është marrë nga arkivat britanike me kujtime të agjentëve anglezë që morën pjesë në operacionet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri

30 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›