E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet lokale, Feith fton serbët e Kosovës të votojnë



Blerina Olldashi

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Piter Feith u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, pasi ky proces ndikon pozitivisht në përmirësimin e kushteve të jetesës. Feith ka vizituar komunën e Kamenicës ku është takuar me zyrtarë komunalë me të cilët ka biseduar për zgjedhjet dhe decentralizimit, ku pas zgjedhjeve lokale sipas planit të Ahtisarit pritet të formohen komuna të reja, si ajo Ranillukut me shumicë të komunitetit serb. “Ne po i presim zgjedhjet e lira dhe demokratike të 15 nëntorit dhe shpresojmë se edhe komuniteti serb do t’i përgjigjet ftesës sonë për të dalë në zgjedhje dhe kështu do të kemi edhe një komunë të re ku komuniteti serb do të përbëjë shumicën. Pra në këtë mënyrë, duke vepruar sipas planit të Ahtisarit, kryetari i komunës së Kamenicës, ashtu edhe qeveria po kontribuojnë për formimin e komunës së Ranillukut”,- ka deklaruar Piter Feith. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Piter Feith u ka folur serbëve të kësaj zone dhe për mundësisë së formimit të komunës së re të Ranillukut.
Ndërkohë fushata parazgjedhore e subjekteve politike serbe, pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale të Kosovës, po tensionohet. Ato akuzojnë njëra-tjetrën për korruptim të zgjedhësve dhe blerje të votave. Akuzat fillestare ndërmjet Lëvizjes Serbe të Rezistencës në njërën anë dhe Partisë së Pavarur Liberale në anën tjetër, për, siç thonë, lojë të ndyrë në kuadër të fushatës, tashmë janë shndërruar në akuza për korruptim të zgjedhësve dhe blerje të votave. Momçillo Trajkoviç, kryetar i Lëvizjes Serbe të Rezistencës, thotë se tashmë kanë argumente për një numër rastesh, ku Partia e Pavarur Liberale po ndikon te zgjedhësit përmes, siç thotë si, dhënies së parave, dhurimit të lavatriçeve, druve për djegie e të tjera. “Këtë është duke e bërë Partia e Pavarur Liberale. Ne kemi argumente. Kemi deklarata të njerëzve, argumente në letër dhe video-regjistrime. Kjo ka të bëjë me mënyrën më perfide të blerjes së njerëzve dhe votave të tyre. Kjo është e ndaluar edhe me Kushtetutën e Kosovës, edhe me të gjitha ligjet e të gjitha shteteve normale”,- thotë Trajkoviç, duke shtuar se e gjithë kjo nuk ka të bëjë me ndonjë formë të lobimit, por, siç shprehet ai, me korruptimin e njerëzve të varfër të bashkësisë serbe dhe të asaj rome. Në anën tjetër, Petar Milletiq, sekretar i Partisë së Pavarur Liberale, kundërshton akuzat e zotit Trajkoviq, duke i hedhur poshtë ato si të pabaza dhe dashakeqe. “Kjo, thjesht, nuk është e saktë. Unë mund ta kuptoj zotin Trajkoviç, për shkak se ai është i dëshpëruar, sepse, me sa duket, ai po i humb zgjedhjet”,- shprehet ai.

Prokurorët e Hagës kërkojnë rigjykim për Ramush Haradinaj

Prokurorët e Hagës kanë kërkuar një rigjykim të pjesshëm të ish-kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj. Prokurorët e gjykatës argumentojnë se gjyqi fillestar që rezultoi në dhënien e pafajësisë për Haradinajn në lidhje me akuzat për krime lufte në Kosovë në vitin 1998, nuk ishte i plotë. Gjykata shpalli të pafajshëm Haradinajn dhe një bashkëpunëtor të tij, Idriz Balajn për 37 akuzat për krime ndaj serbëve, romëve dhe shqitarëve në Deçan në 1998. Ndërsa një i tretë, Lah Brahimaj u dënua me 6 vite burg për trajtimin mizor të robëve të kapur nga ish-UÇK-ja, në kampin e Jablanicës. Ndërkohë, në apelin e vet prokuroria i kërkon gjykates që të urdhëroje gjykimin për 6 nga 37 akuzat që kanë lidhje me kampin e Jablanicës. Në debatin e zhvilluar në 28 tetor, prokurori Peter Kremer tha se gjyqi i Haradinaj nuk ishte i plotë, pasi gjykata nuk i mëshoi pyetjes së dy dëshmitarëve kyçë, të cilët refuzuan të dëshmonin pasi u kërcënuan dhe frikësuan.

30 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›