Arkivi albanologjik online
Një projekt i Qendrës Albanologjike në Tiranë, i filluar para tre muajsh, ka bërë të mundur digjitalizimin e 12 për qind të skedarëve të fondit të historiografisë shqiptare.
Përgjegjësi i këtij arkivi, Nuri Dragoi, deklaroi për televizionin Albaninan Screen se kompjuterizimi i të dhënave të këtij fondi është një proces tejet i domosdoshëm.
“Është ky një proces shumë i rëndësishëm, sepse e lehtëson shumë punën e studiuesve, të cilët nuk do të kenë më nevojë që të prekin skedarë me dorë, por nëpërmjet kompjuterëve do të mund të kërkojnë librin ose dokumentin që mund ta shfrytëzojnë. Një objektiv disi më i largët është arkivi digjital të bëhet edhe pjesë e rrjetit të bibliotekave të njohura dhe të qendrave albanologjike evropiane”, theksoi Dragoi.
Ndryshe, Dragoi e cilëson si të nevojshëm edhe procesin e fotokopjimit dhe të restaurimit të veprave albanologjike.
“Për librat që janë një kopje e vetme duhet të krijohet mundësia e fotokopjimit, dhe që fotokopja pastaj të qarkullojë nëpër duart e studiuesve, ndërkaq origjinali të ruhet. Veç kësaj, nevojitet edhe një punë shumë më e kujdesshme në restaurimin e librave”, sqaroi ai.
Tre arkivat, ai i historiografisë, i folklorit dhe i studimeve albanologjike, përmbajnë rreth 130,000 vepra. Një pjesë e konsiderueshme e tyre datojnë para vitit 900. Emrat si Barleti ose Budi gjithashtu janë pjesë e këtij arkivi, pjesë e të cilit janë edhe një numër i madh veprash të shkruara nga albanologë të huaj.