E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, pasqyrë e civilizimit

Shkrimtari, historiani i artit dhe fotografi francez, Gilbert Gardes, mendon se Kosova është pasqyrë e civilizimit. Para disa javësh, ai e ka vizituar Kosovën për të dytën herë, për të mbledhur materiale për librin e tij të ri për trashëgiminë e Kosovës. Nga Alfred Beka më 04 gusht 2011 në ora 10:40

Gilbert Gardes është një shkrimtar, historian i artit dhe fotograf francez. Para disa javësh ai qëndroi në Kosovë dhe në trojet e tjera ku jetojnë shqiptarët. Arsyeja e kësaj vizite ishte mbledhja e materialit për botimin e librit të tij të ri, i cili flet për kujtesën dhe trashëgiminë e Kosovës dhe të shqiptarëve.

Në Kosovë Gardes qëndroi gjashtë javë, dhe kjo nuk ishte vizita e dytë e tij në këtë vend. Në vitin 2005 ai në Kosovë kishte qëndruar një muaj. Gardes thotë për Express se libri i tij për Kosovën do të botohet në vitin 2013.

“Vizita ime në Kosovë ishte për kënaqësi dhe për punë. Qëndrova gjashtë javë në muajt maj dhe qershor. Ishte kjo vizita ime e dytë, pas asaj të qershorit të vitit 2005, kur qëndrova një muaj”, sqaron ai për Express.

Gilbert Gardes ka lindur në vitin 1942, në Saint Etienne, të Francës. Ka përfunduar studimet për histori të artit dhe ka doktoruar në të njëjtën fushë, në Universitetin Lumiere, në Lion. Ka doktoruar edhe në letërsi, në Universitetin e Sorbonës. Gardes ishte ndër hulumtuesit më të shquar të gjuhës dhe historisë së artit në CNRS (Qendra Nacionale për Hulumtime Shkencore) që nga viti 1975 e deri në vitin 2006. Shquhet si njohës shumë i mirë i identitetit dhe trashëgimisë. Deri më tani ka botuar mbi 240 tituj në fushën e arkitekturës, artit bashkëkohor, skulpturës, ikonografisë, urbanizmit, pikturës, biografisë, udhëtimeve dhe fushave tjera.

Ndryshe, lidhja e tij me Kosovën, me Shqipërinë dhe me shqiptarët në përgjithësi është e kahershme. Në vitin 1995 ka botuar librin ‘La Guide de l’Albanie’ (Udhërrëfyes për Shqipërinë), ndërkohë që në shtypin francez ka botuar artikuj të ndryshëm për kulturën dhe çështjen e shqiptarëve, e sidomos lidhur me lirinë e Kosovës. Aktualisht ai është duke mbledhur material për një librin tjetër të tij, i cili flet për shqiptarët e Kosovës dhe për trashëgiminë e tyre.

“Është kjo një lidhje e fortë ndërmjet Lyonit dhe Kosovës, pasi që për më shumë se njëzet vjet shumë njerëz dhe asociacione, sikurse ‘Illiria’, por edhe vetë unë, kemi qenë të shqetësuar me çështjen e lirisë së shqiptarëve të Kosovës”, shprehet Gardes. Ai shpjegon se vizita e tij e fundit në Kosovë ishte për të parë, për të fotografuar dhe për t’u takuar me një numër të madh njerëzish, të çdo segmenti, me qëllim të përgatitjes së një libri që subjekt ka kujtesën dhe trashëgiminë e Kosovës dhe të shqiptarëve.

Gardes thekson se veprat e veta i ndanë në dy grupe: në ato që kanë të bëjnë me artin, ngase është ekspert i kësaj fushe, dhe në ato që kanë të bëjnë me fiksionin, esenë, kritikën dhe biografinë.

“Libri për Shqipërinë është prezantuar si një ‘udhërrëfyes’, por në fakt është një portret i të gjitha llojeve të trashëgimisë së vendit. Tërë kjo në një kohë kur imazhi i vendit ka qenë absolutisht i keq, ose i panjohur”, thotë Gardes, derisa shton se “vështirësitë për të mësuar gjëra për Kosovën ndryshojnë nga ato për Shqipërinë. Ndonjëherë janë më të lehta, e ndonjëherë edhe më të vështira. Megjithëse, pjesa e dytë e librit sigurisht që do të jetë një përshkrim i trashëgimisë së Kosovës nëpër shekuj”.

Derisa flet për Kosovën dhe trashëgiminë e saj, Gardes thekson se ka ardhur në përfundimin se ajo është një pasqyrë e tërë civilizimit.

Ai shprehet se me librin e tij dëshiron që t’i vetëdijesojë kosovarët për rëndësinë e të gjitha trashëgimive, por edhe që t’ua bëjë me dije se ajo është një shembull që e tejkalon çështjen e tyre.

Gardes pohon se do të kthehet prapë në Kosovë, për ta prezantuar librin. Ndoshta edhe më herët, nëse do të ketë nevojë për material të shtesë, ose edhe vetëm sa për t’i takuar miqtë shqiptarë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›