Arkivi i Filmit
Në muajin gusht, ende pa një datë të saktë, Arkivi Qendror i Filmit njofton përurimin e kinemasë. Prej disa kohësh nënshtruar rikonstruksionit total, salla 100 vendëshe do të marrë funksionin e plotë. Pak javë më parë, në një bisedë mbi arkivin, drejtoresha Elvira Diamanti foli për një kinema në funksion të plotë, ku do të shfaqen filma nga fondi i arkivit, do të organizohen përvjetorë e të tjera aktivitete. “Kjo kinema e rikonstruktuar tërësisht do të jetë në funksion të plotë për premiera filmash apo edhe aktivitete të tjera”, thotë Diamanti. Ndërkohë, shefja e redaksisë në Arkivin e Filmit, Eriona Vyshka, thotë se thuajse është gati një program filmash që do të shfaqen në këtë sallë deri në muajin dhjetor. Mendohet se inaugurimi i kësaj kinemaje do të bëhet me shfaqjen e filmit “Shqiptari” me regji të gjermanit Johanees Naber, fitues i dy çmimeve të rëndësishme, atë të jurisë dhe çmimin e aktorit më të mirë (Nik Xhelilaj) në Festivalin Ndërkombëtar të Moskës. Producenti i këtij filmi, Dritan Huqi, shprehet se nuk bëhet fjalë për një premierë të mirëfilltë, por për një shfaqje ku do të jenë të ftuar personalitete të kinematografisë dhe gazetarë. Ky film ende po bën jetën e festivaleve dhe nuk është thënë se kur do të shfaqet për publikun në kinematë shqiptare. Por garancinë për aktivitetin e kinemasë e përbën fondi i Arkivit të Filmit. Gjatë kësaj kohe janë realizuar disa aktivitete disaditore për nostalgjikët e kinemasë, ku arkivi ka hapur fondet e ka projektuar filma të pashfaqur apo të censuruar më parë. E njëjta gjë do të ndodhë deri në muajin dhjetor të këtij viti. Duke filluar nga gushti, të mërkurën e çdo jave në mesditë do të shfaqet nga një film, ndërsa orari ndryshon në 19.00 pasdite për javën e fundit të çdo muaji. Publiku do të jetë i lirë të futet pa biletë për të ndjekur filmat. Programi i parashikuar, që sipas Vyshkës ka nevojë vetëm për saktësime të vogla, përfshin filma të huaj nga ata që nuk janë shfaqur apo janë shfaqur pak, pjesë e fondit të arkivit prej vitesh. I përkasin realizimit italian, janë filma rusë apo amerikanë, shpeshherë të realizuar nga regjisorë të njohur, e interpretuar po nga aktorë të famshëm të kohës. Një nga titujt është bashkëprodhimi italo-francez i vitit 1983 i “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” me regji të Luçiano Tovoli, ku luan Marcelo Mastroianni, më tej “Il tetto” (çatia), një prodhim i 1956-s i Vitorio de Sica-s, “Fantazi nënujore” i Roberto Roselini-t etj. Filmat shqiptarë do të jenë nga ata të vjetrit deri te të rinjtë. Vyshka përmend “Kur pranvera vonohet” i Ekrem Kryeziut, por edhe filmat e rinj si “Lindje, Perëndim, Lindje” i Gjergj Xhuvanit, filmat e Artan Minarollit, filmat e shkurtër të Eno Milkanit. Në këtë pikë, Vyshka sqaron se përveç filmave artistikë do të ketë filma me metrazh të shkurtër dhe nga ata të animacionit. Më parë, drejtoresha Diamanti ka folur edhe për premiera të filmave të ardhshëm shqiptarë që mund të organizohen për gazetarët. E gjitha kjo iniciativë mund të jetë më se e natyrshme për Arkivin Qendror të Filmit. Pikëpyetjet janë po të natyrshme të ngrihen mbi pjesëmarrjen e publikut në këtë kinema të rikonstruktuar. A do të ketë spektatorë në sallë? Disa aktivitete të mëparshme nuk të lënë të jesh shumë optimiste. Kjo nga një indiferentizëm që na karakterizon si shoqëri, e së dyti, duke parë edhe pozicionin periferik të godinës së Arkivit të Filmit, ndonëse në të shkuarën është folur për ta kthyer këtë zonë në qendër të filmit. Gjithsesi, shefja e redaksisë së AQSHF-së, Eriona Vyshka, shprehet se filmat do të shfaqen çdo javë, pavarësisht pjesëmarrjes së publikut. “Ky program me filma të fondit do të vazhdojë edhe vitin tjetër, pasi është një veprimtari që organizohet normalisht në Arkivin e Filmit, e ndërprerë për shkaqe të rikonstruksionit të kinemasë dhe vetë godinës në tërësi. Për nostalgjikët dhe ata që duan të shohin filma në një sallë të vërtetë kinemaje, do të jetë mundësia. Për këta muaj janë parashikuar vetëm filma artistikë. Në të ardhmen, mbetet për t’u parë.
#