Armand Duka: 3 milionë euro për 2009-ën Presidenti i FSHF-se: “Në Shqipëri, ne jemi FIFA dhe UEFA, ne jemi pjesëtarë të këtyre familjeve të futbollit. Nëse ka pasur ndonjë që ka menduar ndryshe, do të thotë se ka menduar gabim”

Bledar KUKA (Intervista) - Z. Duka, si do ta cilësonit vitin 2008?
“Vit me shumë ngjarje dhe probleme, por edhe zhvillime pozitive. Ndodhi pezullimi dhe rreziku për përjashtim nga FIFA dhe UEFA, por kjo ngjarje pati edhe anë pozitive sepse e konsolidoi më tej familjen e futbollit. Nga ana sportive jemi mirë, kombëtarja ka rezultate të kënaqshme, ka vazhduar ndërtimi i infrastrukturës, janë krijuar dy klube të reja si Mamurrai dhe Luzi 2008”.
-Bashkë me prokurorinë, jeni të vetmit institucione në Shqipëri që keni fituar betejën me qeverinë, saktësisht me kryeministrin Berisha ...
“Nuk do ta quaja betejë. Nuk e konsideroj të tillë. Nuk fituam ne, fitoi futbolli”.
-Sidoqoftë, këtë betejë të fituar (po vazhdoj ta quaj të tillë) e arritët falë mbështetjes ndërkombëtare të FIFA-s dhe UEFA-s. Pra, është shumë e rëndësishme një mbështetje e tillë.
“Në Shqipëri, ne jemi FIFA dhe UEFA, ne jemi pjesëtarë të këtyre familjeve të futbollit. Nëse ka pasur ndonjë që ka menduar ndryshe, do të thotë se ka menduar gabim”.
-Kur do të përfundojë projekti i 12 fushave stëvitore me bar artificial?
“Ky projekt është në bashkëpunim me bashkitë. Do të nisë në janar 2009 nga Kavaja dhe besoj që vitin që vjen të përfundojmë të paktën 70 për qind të projektit”.
-Atëherë nuk do të themi se neni për mosstërvitje në stadium është njëlloj me ligjin antiduhan sepse nuk zbatohen që të dy ...
“Me fushat e stërvitjes, fushat e stadiumeve do të shpëtojnë sepse janë dëmtuar jo pak”.
-Është edhe një projekt për pajisjen e disa stadiumeve me sistem ndriçimi?
“Do të jenë 6 stadiume me sisteme të tillë. Secili sistem kushton deri 300 000 euro. Për këtë projekt e them me bindje se do ta përfundojmë deri në fund të vitit të ardhshëm”.
E Premte, 28 Nentor 2008