Armand Duka: Unë, edhe 4 vjet në krye të futbollit
Futbolli shqiptar ka hapa të mëdhenj përpara për të bërë dhe Armand Duka kërkon që të vazhdojë të shkruajë historinë e ndryshimit të sportit më popullor në vend. Presidenti aktual i FSHF-së beson se do të jetë edhe për katër vitet e ardhshme në krye të këtij institucioni, për punën e zhvilluar deri më tani, por edhe për të arritur nivelet e vendeve të tjera kontinentale. “Përse e kërkoj mandatin e tretë në krye të federatës më 9 mars? Nuk jam dakord me ata që thonë se Shqipëria nuk prodhon futboll. Sporti këtu te ne ka përparuar gjatë kësaj periudhe. Madje, besoj se të jesh president i FSHF-së është më mirë sesa të jesh president i DFB-së në Gjermani, pasi ata kanë arritur një nivel ku është e vështirë që të përmirësohesh më tepër, ndërsa këtu ka më shumë shanse për hapa të mëdhenj përpara”, deklaroi Duka në emisionin “Procesi Sportiv”. “Futbolli në udhëkryq? Mendoj se futbolli në vendin tonë nuk është i veçantë nga shoqëria shqiptare. Ne pretendojmë se kemi bërë gjëra të mira. Ngjarjet e ndodhura së fundmi në kampionatin shqiptar, edhe pse janë të pakëndshme dhe i dënoj, e shoqërojnë këtë lojë. Ai që thotë se nëse duke ardhur në krye të federatës do t’i eliminojë këto probleme, ju siguroj se bën thjesht demagogji. Personalisht jam vërtet i bindur se situata nuk është përkeqësuar në krahasim me vitet e mëparshme”.
Më pas ai foli për ndryshimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur në sportin më popullor në vend gjatë këtyre 8 viteve, duke e vënë theksin tek investimet që kapin shifrën mbi 11 milionë euro, përmirësimin e infrastrukturës, por edhe te synimet për të ardhmen. “Për të qenë i sinqertë, këtë nuk e shoh si mandatin tim të tretë, por si të dytin: kjo për faktin se herën e parë, kur kandidova për postin e presidentit të federatës, më tepër më thanë të futesha në garë. Kemi bërë disa ndryshime në sensin pozitiv, është përmirësuar menaxhimi. Në harkun e këtyre 8 viteve, FSHF ka marrë formën e një institucioni të mirëfilltë. Gjithashtu kemi investuar për infrastrukturën, duke ndërtuar disa fusha. është e vërtetë që këto nuk ishin paratë e mia, por duhet të theksoj se që prej vitit 2002 janë investuar rreth 11 milionë euro, fonde këto të thithura nga UEFA falë projekteve që kemi paraqitur. Të ardhurat nga sponsorët përpara vitit 2002 ishin vetëm 60 mijë euro, ndërsa tashmë kjo shifër është rritur në 1.6 milionë euro, tha ai. Fushat e këqija në vend? Gjatë muajve të fundit, kjo ka ardhur edhe për shkak të kushteve jo të favorshme atmosferike dhe të reshjeve. Korça ka fushë të re, por prej reshjeve ajo është bërë thuajse e papërdorshme. Nga 12 fusha të Kategorisë Superiore, vetëm ajo e Peqinit nuk është rikonstruktuar. Aktualisht po përfundojmë 12 fusha stërvitore në të gjithë vendin. Klubet janë të varfra dhe ne duhet t’i ndihmojmë financiarisht, por terrenet për ndërtimin e fushave sigurohen nga bashkitë dhe jo nga federata. Në katërvjeçarin e ardhshëm synojmë që vendi ynë të ketë të paktën një stadium të licencuar për ndeshjet e Champions League apo të Europa League, pasi me formatin e ri të këtyre kompeticioneve, tashmë klubet shqiptare kanë më tepër shanse për të luajtur në fazën e grupeve. Një pikë e rëndësishme e platformës është përhapja e futbollit në nivel fëmijësh. Më parë, numri i fëmijëve që praktikonin futbollin kishte pësuar rënie, por tashmë numëron afro 12200 të rinj që luajnë sportin e top-këmbës në nivel amator. Ne kemi prioritet infrastrukturën, por gjithashtu edhe përfshirjen e futbollit në shkolla. Këtë projekt ia kemi parashtruar Ministrisë së Sporteve, por ai duhet të aprovohet edhe nga Ministria e Arsimit. Ne do të dyfishojmë buxhetin për fëmijët që praktikojnë futbollin dhe kemi hequr taksat e regjistrimit për t’i lehtësuar sadopak. Pika të tjera të platformës sime për asamblenë janë organizimi dhe përmirësimi i aktiviteteve kombëtare; puna dhe përmirësimi i kushteve dhe rezultateve të ekipeve kombëtare; përmirësimi i administratës në FSHF; përmirësimi i komunikimit të klubeve me federatën, si dhe kualifikimi i gjyqtarëve dhe trajnerëve për të zhvilluar edhe më tej lojën”. Në fund, Duka bëri një batutë për rivalët: “Nuk kam marrëdhënie të këqija me askënd. Megjithatë, nuk më pëlqen fakti që në zgjedhjet e futbollit, deklaratat janë importuar nga politika, duke përdorur sharje dhe ofendime. I respektoj dhe i inkurajoj rivalët e mi, Vata dhe Halili, për të vazhduar garën dhe u uroj atyre suksese”.
#