Tri orë në këmbë për të shkuar në spital
Një vajzë nëntëvjeçare e sëmurë ka mbërritur në spital pas tri orësh udhëtimi në këmbë, pasi rruga në fshatin e saj është shembur. Mjekët thanë se vogëlushja kishte probleme me apendicitin dhe vonesa mund t’i kushtonte edhe jetën. Banorja e fshatit Kapinovë, nëntëvjeçarja Xh.H. mbërriti paraditen e djeshme pranë spitalit të Beratit pas tri orësh udhëtimi në këmbë nga fshati i saj deri në rrugën automobilistike Berat–Vërtop, me kriza nga apendiciti. Ajo ndodhet aktualisht në spitalin e Beratit dhe është në pritje të analizave për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Sipas mjekëve, vajza është paraqitur me shenjat e apendicitit akut, por simptomat e para i janë shfaqur disa ditë më parë. Sipas tyre, gjendja e vajzës është normalizuar pas marrjes së qetësuesve, ndërkohë që çdo rast neglizhence, mund të sillte pasoja për jetën. Vajza kishte nisur të ankohej prej ditësh, por bllokimi i rrugës kishte penguar prindërit që të shkonin pranë qendrës shëndetësore më të afërt. I ati i vogëlushes, Bilbil Hoxha, ka treguar në spital se vajza kishte disa ditë që nuk ndihej mirë. Në pamundësi për ta vizituar vajzën, pasi prej ditësh në fshatin Kapinovë të Komunës Vërtop nuk shkon mjeku, si pasojë e shkatërrimit të rrugës, familjarët janë kujdesur në kushtet e shtëpisë, duke i dhënë qetësues. Por, sipas 40-vjeçarit Hoxha, mëngjesin e djeshëm vajza ka pasur kriza dhe temperaturë të lartë, çka ka vënë në alarm të atin. Ai e ka marrë në krahë vajzën dhe pa pritur më gjatë është nisur drejt qytetit të Beratit. Duke përshkuar tri orë rrugë në këmbë së bashku me vajzën e tij në krahë, Hoxha ka mbërritur fillimisht në rrugën automobilistike Berat-Vërtop dhe më pas me një mjet të rastit transportoi vajzën në spital. Fshati Kapinovë është izoluar prej ditësh, pasi rruga e vetme që lidh fshatin me qendrën e komunës, fshatrat e tjerë dhe Beratin është shkatërruar në të gjithë gjatësinë e saj.
#