E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armand Duka është i bindur: Marrim pikë ndaj Danimarkës

Kanë mjaftuar dy ndeshje që trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, të fitojë mbështetjen e plotë të lojtarëve, tifozëve e së fundmi edhe të Federatës Shqiptare të Futbollit. Kreu i institucionit që drejton sportin më popullor në vend, Armand Duka, duket entuziast për paraqitjen e kuqezinjve me Portugalinë dhe Gjeorgjinë, pavarësisht se fitorja ka munguar. Tashmë ai sheh nga e ardhmja dhe beson se në sfidën e radhës në "Qemal Stafa", atë të 9 shtatorit, ku Shqipëria pret Danimarkën, kryesuese të grupit 1 eliminator. "Jam i bindur se ndaj Danimarkës do të marrim pikë", deklaroi Duka, i ftuar në emisionin "Ora Sport". "Nuk fituam me Portugalinë, por skuadra tregoi lojë të mirë dhe kjo jep siguri për më tej. Pas dy ndeshjeve të para në krye të Kombëtares shqiptare, jam mjaft i kënaqur nga puna e trajnerit Josip Kuzhe. Mund t‘ju siguroj se ai do të ketë "dorë të lirë" në çdo vendim që do të merret në skuadër, për ta përmirësuar dhe rinovuar kontingjentin". Më tej, presidenti i FSHF-së konfirmoi marrëdhëniet e mira me ish-trajnerin Oto Bariç, i cili kishte një rol mjaft të rëndësishëm në emërimin e Kuzhe. Pasi studioi listën e kandidatëve, nga ku do të zgjidhej pasardhësi i Ari Han, "Oto Maksimal" bindi drejtuesit e federatës, se 56-vjeçari kroat ishte zgjedhja më e mirë. "Është e vërtetë që jam këshilluar dhe vazhdoj të konsultohem me Oto Bariç. Ai është një person mjaft i afërt me mua, ashtu sikurse edhe ish-trajneri i mëparshëm, Brigel. Han? Nuk duhet ta paragjykojmë holandezin".

Një temë e nxehtë e momentit është zgjerimi i Kategorisë Superiore. Ndryshimi i strukturës, me qëllim që në elitë të kthehen Partizani dhe Elbasani, por edhe Bylis e Lushnja kërkohet nga skuadrat kryesore dhe disa anëtarë të Ekzekutivit në FSHF. Gjithsesi, Duka vazhdon të shprehet kundër: "Kampionati i pandryshueshëm. Këto janë rregullat e lojës, të cilat përcaktohen prej fillimit dhe nuk mund të ndryshohen në rrugë e sipër. Le të mblidhen të gjithë specialistët dhe ta shqyrtojnë këtë çështje. Ata që janë shprehur ‘pro‘ zgjerimit të strukturës janë oportunistë, të cilët duan të bëjnë figurë të mirë përpara klubeve". Për ta mbyllur në mënyrën më të mirë mandatin e dytë, Duka ka premtuar se brenda vitit 2010, në vend do të ketë edhe pesë stadiume me ndriçim. Kjo do të bëjë që ndeshjet të luhen në oraret kur duan klubet dhe që i intereson në bazë të marrëveshjeve për shitjen e të drejtave televizive. Ai foli edhe rreth akuzave se javët finale të kampionatit ishin një farsë. "Finalja e Kupës është e ligjshme, nuk është ndryshuar data. Në rregullore ishte në datën 6 maj. Starova deklaroi se është luajtur teatër? Shpresoj që mos të ketë qenë një prej aktorëve. Ndryshime në Federatë? Nuk do të ketë. Shulku dhe Kotherja kanë bërë një punë mjaft të mirë te sektori i garave dhe me gjyqtarët", përfundoi Duka.

Stadiumi

"Mungon ndihma e shtetit për

ndërtimin e një impianti të ri"

Në Federatën Shqiptare të Futbollit ekziston një plan disavjeçar, për ndërtimin e një stadiumi modern, i cili do të jetë "shtëpia" e re e përfaqësueses. Prej vitesh presidenti Armand Duka dhe institucioni i tij zotërojnë një planimetri, ku paraqitet një impiant me formën e "kutisë së shkrepëses", ashtu si në Angli. Gjithsesi, problemi kryesor për zbatimin e këtij projekti është mungesa e mbështetjes nga shteti shqiptar. "I kemi kërkuar shtetit një truall për ndërtimin e një impianti kombëtar, aty ku do të luajë përfaqësuesja, por akoma nuk kemi marrë sinjalet që presim, nënvijëzoi ai. Mjafton të sigurohet vendi për ndërtimin e një stadiumi të ri, sepse më pas fondet për ndërtimin do t‘i marrim nga FIFA dhe UEFA". Një tjetër alternativë është rikostruktimi i "Qemal Stafës". "Ka kohë që në Ministrinë e Sportit kemi dorëzuar një plan për rikonstruktimin e tribunave të këtij stadiumi, ku investimi do të ndahet përgjysmë ndërmjet federatës dhe MTKRS. Kushti është që Kombëtarja të luajë për një kohë të gjatë pa paguar në këtë impiant. Kam biseduar me ministrin Turku, por pavarësisht dëshirës së tij, ministria nuk zotëron fondet. Gjatë ndeshjes me Portugalinë problemet në stadium u konstatuan edhe nga një vëzhgues i lartë i UEFA-s. Duhet rikonstruktuar të paktën tribuna, për ta zgjeruar kapacitetin në gjashtëmijë vende dhe për të krijuar kushte me komode për të gjithë", sqaroi kreu i FSHF-së.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›