E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lindje e Mesme, Siria përfshihet në bisedimet e paqes

I dërguari i posaçëm amerikan në Lindjen e Mesme, Xhorxh Mitçell, diskutoi dje lidhur me procesin e paqes në këtë rajon me Presidentin sirian, Bashar Al Asad, duke shënuar njëherësh edhe një tjetër hap pozitiv në raportet mes dy shteteve. "Ne jemi mjaft të vetëdijshëm për vështirësitë e shumta, e megjithatë ndiejmë detyrimin për krijimin e terrenit në mënyrë që negociatat të nisin në rrugën e duhur dhe me sukses", tha pas takimit i dërguari amerikan. Vizita e tij në Siri qe paraprirë nga bisedimet e së premtes të zhvilluara mes zyrtarëve sirianë dhe amerikanë të çështjeve të sigurisë. Raportet mes Sirisë dhe Shteteve të Bashkuara janë përmirësuar ndjeshëm që me hyrjen e Presidentit Barak Obama në Shtëpinë e Bardhë. Zyrtarët amerikanë kanë bërë me dije se Presidenti është shumë i interesuar në arritjen e një marrëveshjeje mes Sirisë e Izraelit si pjesë e rëndësishme e procesit të paqes në Lindjen e Mesme. "Sirisë i takon një rol shumë i rëndësishëm në mbërritjen e paqes", vërejti Mitçell.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›