E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta dhe e djathta bashkë në qeverisje

Sapo të lexohet ky titull kam bindjen se refleksionet mbi të do të jenë të ndryshme. Por sikundër ndodh në raste të tilla, më së shumti do të jenë befasuese dhe kundërshtuese. Ideja tradicionale se e majta është kundërshtare historike e së djathtës, dhe të dyja së bashku, janë opozitare të pa konkurrueshme në tregun politik, nuk na ndihmon të shohim të sotmen, por njëkohësisht nuk na ndihmon as t‘u japim përgjigje disa pyetjeve që ngrihen në udhëkryqin e sotëm të zhvillimit. Atmosfera politike e botës së sotme nuk është më ajo e shekullit të 18 kur krahët u pozicionuan majtas e djathtas, megjithëse ishin në të njëjtën varkë sociale: borgjezi, nuk është as koha e 1917 kur e nisi koha e së majtës së kuqe. E majta, si përfaqësuese e interesave të proletariatit dhe shtresave të tjera të popullsisë në nevojë, sot ka një shtrirje tjetër shumë më të gjerë; ajo përfshin më së pari solidaritetin social, barazinë sociale, njohjen e të drejtave të grupeve të ndryshme sociale, dhe mbi të gjitha hapjen drejt Europës dhe Bashkimit Europian. Kjo është tendenca e së majtës të paktën në Europën e ditëve tona. Po e djathta? Sigurisht dhe ajo nuk është më si dikur. E djathta e sotme Europiane tenton drejt një shoqërie të masave, drejt rregullit dhe forcimit të ekonomisë, drejt një shoqërie të meritës dhe ruajtjes së traditave. Pra, bazat ideologjike që ndanin dikur të majtën nga e djathta, tashmë kanë rënë. Globalizimi, si një dukuri që po merr përmasa të reja në këtë mijëvjeçar, ka sjellë para shoqërive, pra para politikës, probleme, por dhe vështirësi, të cilat e kapërcejnë konceptin tradicional të së majtës e së djathtës.

Ja pse sot në Europën ku dëshirojmë të hymë, gjejmë modele të ndryshme të bashkëpunimit mes krahëve të politikës tradicionale, sikundër gjejmë dhe mjaft formacione partiake, që rrekin të afrojnë të dy krahët (partitë e qendrës, të majta apo të djathta). Problemet madhore që kanë vendet e Europës, problemet e arsimit, të financave, të teknologjisë, të politikës së jashtme, etj., kanë sigurisht mbështetjen e të dy krahëve. Mbase dhe modeli gjerman i qeverisjes, tregon se më shumë se ndarje, simbolika në të djathtë e në të majtë, mbetet në traditën e profileve partiake, por jo të programeve apo aktiviteteve të tyre.

Në vendin tonë, gjithçka duket se ka një kuptim tjetër. Kjo jo vetëm sepse programet e partive të majta dhe të djathta, kanë pak a shumë të njëjtat probleme, por sepse kanë dhe të njëjtën gjuhë e të njëjtin qëllim; fitoren elektorale të radhës. Në Shqipëri, qoftë dhe simbolikisht, e majta dhe e djathta janë derivate të së njëjtës rrënjë politike, por edhe sociale. Prandaj dhe diferenca ndaj tyre është jo aq ideologjike, jo aq sociale dhe ekonomike, por thjesht politike. E djathta, u pozicionua si kundërshtare e komunistëve me një gjuhë të ashpër, dhe me një tendencë për të rikthyer historinë e vërtetë të shqiptarëve. E majta, u pozicionua si kundërshtare e komunistëve me një gjuhë më pak agresive, duke pranuar gabime, por dhe duke theksuar rolin e madh të Luftës Nacionalçlirimtare. Programet e të dyja krahëve kishin, që në momentin e parë; vendosjen tërësore të pronës private, lirinë dhe barazinë e qytetarëve dhe mbështetjen e grupeve sociale në nevojë, luftën kundër varfërisë dhe integrimin europian. Pra, të dy krahët tentojnë drejt njëri-tjetrit, duke qenë rrathë prerës me një target të madh pikash programore të përbashkëta. Elektorati shqiptar, i pamësuar me demokracinë sipas shkallës së tij kulturore, sociale ekonomike në sistemin socialist, pozicionoi veten si ithtar i njërës apo tjetrës parti.

Nëse do të na duhej të përcaktonim sot bazën sociale të së djathtës, do të vinim re fare thjesht, se në numër sundojnë grupe sociale, disa të margjinalizuara: grupe imigratore( të ardhur në rrethinat e qyteteve sidomos të kryeqytetit), grupe të ish të përndjekurve politikë, grupe krahinore,( në varësi lideri) grupe të ish-pronarëve, grupe qytetare, si dhe grupe intelektualësh etj.

Po të bënim po të njëjtën fotografi sociale për të majtën do të thoshim se dhe ky krah mbështetet më së shumti nga: grupe rurale, grupe qytetare, grupe të ish pronarëve, intelektualë, individë të përndjekur politikë etj., etj. Pra nuk kemi një target grup që të jetë i njohur si i njërës parti apo tjetrës.

Nuk është vështirë të kuptosh pse elektorati shqiptar duket në sondazhe si i ndarë me thikë. Sepse, ky elektorat nuk ka njohje për programet, nuk ka sensin e së majtës apo së djathtës së demokracive të sotme, ky elektorat shkon me dy ide fikse, që burojnë nga secili krah. Sipas idesë të së djathtës:

Kush është me Sali Berishën është kundër komunizmit( dhe sot që kanë kaluar 20 vjet nga rrëzimi i tij). Kush është me Ramën është komunist!

Sipas idesë të së majtës: Kush është me Saliun është kundër Shqipërisë, se na bëri ‘97-n, Gërdecin etj. Kush është me Ramën është me Luftën Nacionale, është me Shqipërinë dhe patriotizmin! Sikundër shihet është mjaft vështirë të thuhet se ç‘përfaqëson në të vërtetë e majta dhe e djathta shqiptare do të duheshin studime të tëra. Por ama një gjë mund të thuhet: Zgjedhjet që po afrojnë për herë të parë po tregojnë se populli shqiptar është pothuaj i dyzuar mes partive, duke e bërë rezultatin fort të komplikuar për një qeverisje pa presione të të vegjëlve, presione që shpesh dalin jashtë logjikës politike. Si do të mund të qeverisë e djathta, nëse nuk do të marrë numrin e mjaftueshëm të votave dhe do t‘i duhen votat, qoftë edhe fare të vogla në numër, të Polit të Lirisë? Deklarata e lidershipit të këtij Poli ka qenë e qartë: Aleancë me PD pa Sali Berishën Kryeministër!

E njëjta gjë mund të thuhet dhe për të majtën. Si do të mund të qeverisë Rama, nëse nuk merr dot numrin e mjaftueshëm dhe do t‘i duhen votat e LSI? Por është e njohur deklarata e lidershipit të LSI-së: Me PS po me Metën Kryeministër!

Mos vallë ka një moment kur nisur nga nevojat pragmatike, por edhe nga problemet madhore që duhet të zgjidhë Shqipëria, që të integrohet në Europë, probleme që kërkojnë konsensus, do të duhet bashkëpunimi PS-PD? Asgjë nuk duhet paragjykuar. Pragmatizmi sjell zgjidhje që i pranon logjika politike e demokracive bashkëkohore. Por gjithnjë llogarinë e fundit e bëjnë numrat.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›