Entuziazmi i Ujkanit: 2009-a ishte viti im
Sezoni që sapo u mbyll ka qenë mjaft pozitiv për Samir Ujkanin. Ai është bërë portieri i dytë i Palermos, duke qëndruar vetëm pas Marko Amelias, i cili është pjesë e Kombëtares italiane. Përveç kësaj, 20-vjeçari ka fituar edhe një vend fiks në kontingjentin e përfaqësueses shqiptare, madje në miqësoren e 10 qershorit kundër Gjeorgjisë, ai debutoi me skuadrën e drejtuar nga Josip Kuzhe. Ish-lojtari i Anderlehtit në Belgjikë tregoi: "Ka qenë një vit shumë i mirë për mua, jam i kënaqur. Nuk kam menduar se do të arrija kaq lartë brenda një kohe kaq të shkurtër. Seria A është një kampionat i fortë dhe në ekip kam pasur dy konkurrentë, ku njërit kam arritur t‘ia zë vendin. Në Kombëtare me ftoi Han, por Kuzhe më dha shansin të luaj. Do të vazhdoj të punoj dhe jam i gatshëm të mbroj portën". Te Palermo, Amelia është i paprekshëm dhe Ujkani duhet të kënaqet me rolin si portier i dytë, ose të kërkojë një tjetër skuadër. "Kontrata aktuale përfundon në vitin 2012, por po diskutojmë me Palermon për rinovimin e kontratës edhe për një vit, tha ai për kosovaren ‘Express‘. Nëse më sigurojnë se do të mbetem portieri i dytë edhe do të luaj në Kupën e Italisë, do të qëndroj. Në të kundërt, do të kërkoj të luaj në formë huazimi në ndonjë skuadër tjetër".