Armand Duka para “gjyqit”

Armand Duka, njeriu që ka drejtuar për tetë vjet Federatën Shqiptare të Futbollit, qysh kur mposhti në vitin 2002, rivalin e atëhershëm Mehdi Bushati e në vitin 2006, Salvador Kaçajn e Edmond Haxhiajn, do të kërkojë sërish një mandat të tretë, më 9 mars 2010, datë edhe kur do të zhvillohet Asambleja e
Përgjithshme Zgjedhore e FSHF-së. Komiteti Ekzekutiv vendosi ta zhvillojë në hotel “Adriatik” në Durrës, Asamblenë për kreun e ri të institucionit që drejton futbollin shqiptar, teksa dy të parat janë zhvilluar në kryeqytet, respektivisht në Pallatin e Kongreseve dhe Hotel “Tirana International”.
Nga 9 marsi mungon diçka më shumë se një muaj, dhe ende nuk janë përvijuar zyrtarsht emrat e kandidatëve, por mediatikisht Armand Duka (kreu aktual i FSHF-së), Rudi Vata (ish-kapiten i Kombëtares dhe agjent i FIFA-s), por dhe indirekt Refik Halili (presidenti i Tiranës) kanë lënë të kuptohet se janë në garë.
BILETAT - Në mbledhjen e Ekzekutivit u morr edhe vendimi çmimet e biletave për miqësoren e 3 marsit me Irlandën e Veriut, biletat do të kenë çmime “popullore”. Një vend në tribunat kryesore të stadiumit (A dhe B) do të kushtojë dymijë lekë të rinj, në tribunën D2 bileta kushton 500 lekë, për tribunat D1 dhe D3 vetëm 300 lekë, ndërsa mbrapa portave (tribunat C dhe E) kostoja e biletave është simbolike: 100 lekë të rinj.
GJYQTARET - Komiteti Ekzektutiv bëri një ndryshim në lidhje me gjyqtarët, duke miratuar propozimin e Sektorit të Garave, për ndryshime në rregulloren që lidhet me caktimin e gjyqtarëve në Kategorinë Superiore. Në nenin 40, është bërë ndryshimi i dispozitës penguese, e cila nuk lejonte që i njëjti “bilbil” të drejtonte ndeshje një skuadre specifike për dy javë, që prej përballjes së fundit kur kishte arbitruar. Kufizimi zbret nga dy në një javë, ndërsa për gjyqtarët ndërkombëtarë ai nuk ekziston më.
LOJËRAT E DETIT TË ZI
Shqipëria do të marrë pjesë në Lojërat e Detit të Zi, që do të zhvillohen në Kostanca të Rumanisë nga data 19 deri më 29 qershor. Në këtë aktivitet, kuqezinjtë do të përfaqësohen nga skuadra U-19, me lojtarë të datëlindjes 1992.
Burimi: Albania-sport.comE Diele, 07 Shkurt 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili