Armando Broja dhe Sterling, menjëherë nën urdhërat e Tuchel

Grupit të Chelseat prej 29 lojtarësh në turne iu bashkuan edhe dy të tjerë të mërkurën, duke përfshirë të huazuarin e rikthyer Armando Broja dhe sigurisht nënshkrimin (e parë) të madh të verës, Raheem Sterling. Dyshja fluturuan për në Los Anxhelos nga Anglia së bashku dhe të dy ishin drejtpërdrejt në aksion në terrenin e stërvitjes.
Thomas Tuchel e mirëpriti Sterlingun me disa fjalë të këndshme, ndërsa kolegët e tij anglezë Reece James dhe Mason Mount ishin gjithashtu të emocionuar.
Mount: “Ai ka shënuar shumë dhe krijon shumë, sepse është i rrezikshëm sa herë që ka topin. Dhe kur nuk e ka topin, ai është një kërcënim, ne jemi të kënaqur me ardhjen e tij. Ai do të sjellë shumë në grup, kështu që janë momente emocionuese”.
James: “Është një nënshkrim shumë emocionues. Të luash kundër tij është një makth, kështu që jam shumë i lumtur që ai është këtu tani dhe nuk kam nevojë të luaj më kundër tij!”.